Kërko

 Mesha e falënderimit në përfundim të Sinodit Mesha e falënderimit në përfundim të Sinodit 

Papa: të bëhemi të afërt e dëshmitarë të Jezusit, jo doktrinalistë e aktivistë

Të dëgjojmë, të bëhemi të afërt e të dëshmojmë: tre hapat e udhës së fesë, në qendër të homelisë së Papës gjatë Meshës përfundimtare të Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit: “Zoti është i ri e i do të rinjtë”, kujtoi Papa, duke i mbyllur, me këto fjalë, këto 26 ditë të Sinodit.

R. SH.- Vatikan

Jo, mësues të të gjithëve, as specialistë kishtarë, por “mbartës të jetës së re”, “dëshmitarë të dashurisë së Zotit, që shpëton”: kështu duhet të jenë të krishterët! E kujtoi sot paradite Papa Françesku në Meshën, me të cilën mbylli Sinodin e ipeshkvijve kushtuar të rinjve. Një Sinod që, nga 3 tetori, në 26 ditë, etapë pas etape, vuri në qendër të botës të rinjtë, fenë dhe shqyrtimin e thirrjes. Fjalët e fuqishme të Papës kumbuan në Bazilikën e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë. E gjithë homelia u shtjellua rreth tre hapave, që duhen bërë në udhën e fesë, pasqyruar në Liturgjinë e sotme, Ashtu si Bartimeu, i verbëri i Jerikos i cili, pasi shërohet nga Jezusi, bëhet dishepull, kështu edhe ne, që bëmë Sinodin, duhet të ecim së bashku.

Kisha dëshironte ta dëgjonte rininë: Zoti i do të rinjtë

“Të dëgjojmë një herë, pastaj të flasim!” - ky quhet “apostullim i veshit”. Është hapi i parë, që bën vetë Jezusi, kur dëgjon britmën e të verbërit të Jerikos dhe e lë të flasë, pa u ngutur. Ndërsa ata, që ishin rreth Zotit, e qortonin qorrin e donin t’ia mbyllnin gojën. “Kishin në mend planet e veta!” - vërejti Papa - për të vënë në dukje se për Jezusin britma e njeriut, që kërkon ndihmë, nuk është shqetësim, por “kërkesë jetike”. Prej këndej, të krishterët janë të thirrur t’ua vënë veshin “jo thashethemeve të kota”, por nevojave të të afërmit, duke e dëgjuar nevojtarin me dashuri e durim. E ashtu si Zoti nuk lodhet kurrë, por gëzohet gjithnjë “kur e kërkojmë”, kështu edhe të krishterët duhet të kërkojnë “hirin e një zemre  të gatshme për të dëgjuar”.

Dëshiroj t’iu them të rinjve, në emër të të gjithë të rriturve: na falni, nëse shpesh nuk ua vumë veshin; nëse, në vend që t’jua hapnim zemrën, ju shurdhuam veshët! Si Kishë e Jezusit, dëshirojmë t’ju dëgjojmë me dashuri, të qartë për dy gjëra: jeta juaj është e çmuar para syve të Zotit, sepse Zoti është i ri e i do të rinjtë;  e jeta juaj është e çmuar edhe për ne, madje është e domosdoshme, për të ecur përpara!

Të bëhemi të afërt. Feja nuk duhet përqendruar mbi formulime doktrinore ose shoqërore

Të bëhemi të afërt, si Jezusi në takimin me njeriun, që kërkon dritën e syve, është etapa e dytë e udhës së fesë. Jezusi e pyet Bartimeun: “Ç’dëshiron të bëj për ty?”. Zoti, pra, interesohet vetë, drejtpërdrejt, me dashuri e kujdes të madh për secilin. Këtë e nënvizoi fort Papa,  që tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtuar nga dy rreziqe, të cilat mund t’i ndeshim në rrugën e fesë.

Kur feja përqendrohet kryesisht mbi formulime doktrinore, rrezikon t’i flasë vetëm kokës, pa e prekur fare zemrën. E kur përqendrohet vetëm tek puna, rrezikon të bëhet moralizëm e të rëgjohet në veprimtari shoqërore. Po feja nuk është kështu! Feja është jetë: fe do të thotë ta jetosh dashurinë e Zotit, që ta ndryshon krejt jetën. Nuk mund të jemi doktrinalistë apo aktivistë; jemi të thirrur ta çojmë përpara veprën e Zotit në botën e Zotit, pranë Tij, të lidhur ngushtë me Të, në bashkim ndërmjet nesh, afër vëllezërve!

Dëshmitarë të dashurisë së Zotit, jo mësues, as specialistë kishtarë

“Të bëhesh i afërt”, “ilaç kundër tundimit të recetave të gatshme”, do të thotë “ta çosh risinë e Zotit në jetën e vëllait”. Prandaj, Papa kërkoi të dalim nga rrethi ynë, për t’i përqafuar ata, që nuk janë tanët e që Zoti i kërkon me gjithë shpirt. Jemi gjithnjë para tundimit “për të larë duart”, ndërsa Papa na nxit të bëjmë si Jezusi, që u përkul mbi të verbërin, domethënë, t’i ndotim duart!

E dimë se Zoti i ndoti duart për secilin prej nesh e, duke shikuar kryqin, duhet të nisemi prej aty, duhet të kujtojmë se Zoti u bë i afërmi im në mëkat e në vdekje. U bë i afërmi im: gjithçka fillon që këtu! E kur, për dashuri të Tij, edhe ne jemi të afërt, bëhemi mbartës të jetës së re: jo mësues të të gjithëve, jo specialistë të Kishës, por dëshmitarë të dashurisë shpëtimtare!

Kisha nuk është OJQ, por bashkësi njerëzish të shpëtuar, që jetojnë gëzimin e Zotit

Hapi i tretë, që duhet bërë në udhën e fesë - ftoi Papa - është ai i “Dëshmisë”. Të dëshmosh! Ashtu si i verbëri i Jerikos, shumë të rinj kërkojnë jetën, por shpesh gjejnë vetëm premtime rrenacake, që pak e aspak u interesojnë. Nuk është e krishterë - kujtoi Papa - të presësh që vëllezërit të na trokasin tek porta; duhet të shkojmë ne tek ata, duke çuar jo vetveten, por Jezusin, sepse ai na nis për të dhënë guxim, në emër të Tij:

“Na çon për t’i thënë secilit: ‘Zoti të kërkon ta duash! Ndërsa ne, shpesh herë, në vend të këtij mesazhi çlirues shëlbimi, çuam në Kishat tona vetveten, “recetat”, “etiketat tona”. Sa e sa herë, në vend që t’i bëjmë tonat Fjalët e Zotit, përhapëm idetë tona! Sa herë njerëzit ndjenë më shumë barrën e institucioneve tona, se praninë mike të Jezusit! Atëherë  dukemi si të ishim OJQ, organizatë parashtetërore, e jo bashkësi njerëzish të shpëtuar, që jetojnë gëzimin e Zotit.

Feja është takim me Jezusin, jo teori

Në përfundim, Papa kujtoi se feja, që e shpëtoi Bartimeun, nuk buronte nga idetë e tij të qarta për Zotin. Ai e kërkoi. Deshi ta takonte! Ndjeu nevojën ta kish pranë. E pikërisht kjo nevojë për të gjetur shpëtimin, është fillesa e fesë.  Feja - vijoi Papa – është çështje takimi me Jezusin, jo teorie. Çka vlen, prandaj, është dëshmia e jetës sonë, jo predikimet tona - përfundoi Françesku - që i kujtoi edhe një herë tre hapat e fesë dhe i ftoi të rinjtë të bëhen të afërt me të gjithë e t’ua dëshmojnë të gjithëve “gëzimin e jetës sonë: Jezusin!”.

 

28 tetor 2018, 12:56