Cerca

Vatican News
Papa Françesku në Sinodin e ipeshkvijve në Vatikan Papa Françesku në Sinodin e ipeshkvijve në Vatikan 

Sinodi: të përtërihet aleanca Kishë-familje në favor të të rinjve

Në Vatikan vijojnë punimet e Sinodit kushtuar të rinjve: sot paradite, kongregacioni i katërt i përgjithshëm. 20, reflektimet e Etërve Sinodalë mbi pjesën e parë të Instrumentum Laboris. Pastaj, hapësirë për 8 Dëgjues dhe për të Ftuarin e veçantë.

R.SH. - Vatikan

“Shumë, sot, flasin për të rinjtë, por jo shumë u flasin të rinjve”: kështu thoshte i Lumi Pali VI, që më 14 tetor do të shpallet shenjt nga Kisha. Sinodi i ipeshkvijve, që po vijon në Vatikan, duke i bërë të vetat këto fjalë, i ka përqendruar reflektimet e tij të ditëve të para pikërisht në temën e dëgjimit: si t’i dëgjojë Kisha të rinjtë. Ndihet nevoja e dëgjimit të të rinjve në botën dixhitale, ku bulimia informatike përkon shpesh me anoresinë e ëndrrave, me rrezikun për të krijuar të rinj “info-obezë”; por duhet parë edhe fytyra pozitive e rinisë, bartëse e thesareve të mëdha njerëzore e shpirtërore, si miqësia, solidariteti, vullnetariati, vërtetësia e dëshmisë, kërkesa e koherencës drejtuar shoqërisë civile, thirrja për një Kishë më të gëzueshme e më ungjillore.

Konfrontim konstruktiv me të rriturit

         Në Sinod, u nënvizua se të rinjtë kanë nevojë për pika referimi tek të rriturit, të cilët, në kohën e sotme, duket se shpesh sëmuren nga “rinizmi”, duke u sjellë me të rinjtë si të ishin shokë, pa qenë për ta mbështetje dhe udhërrëfyes në jetë. Edhe Kisha duhet të jetë për ta përkrahje e fuqishme, por duhet edhe t’u përshtatet, me një predikim më të gëzueshëm e frymëzues, sepse të rinjtë duhet të kuptojnë me mendje, por duhet të besojnë me zemër. Kisha, nënvizuan Etërit sinodalë, nuk duhet t’i lërë të rinjtë vetëm me miqësitë e tyre virtuale, por të dalë për t’i gjetur aty ku jetojnë e për t’i tërhequr pas vetes. Shkollat katolike, përveçse institucione të vlefshme didaktike, duhet të jenë edhe vende për t’i përfshirë të rinjtë në jetën fetare.

Aleanca Kisha-familje

         Qendrore edhe përtëritja e aleancës Kishë-familje. Ambienti familjar, u theksua në Sinod, është edukatori i parë i të rinjve, i shoqëron drejt pjekurisë e u jep sigurinë e lidhjes bashkëshortore, që sot, duhet rivlerësuar. E familja është e rëndësishme edhe për shoshitjen e thirrjes për meshtari, sidomos figura atërore, për të cilën është i nevojshëm një reflektim i veçantë.

Të mirëpresim refugjatët dhe emigrantët

         Nga Sinodi, edhe thirrja në favor të pritjes së refugjatëve dhe emigrantëve, shpesh të rinj, dinjiteti i të cilëve dhunohet vazhdimisht. Fjala kyç është solidaritet, por edhe punë që popujt të mos detyrohen të emigrojnë.

“Shërbimi i dëgjimit”

         E mori fjalën edhe i Ftuari i veçantë në Sinod, eprori i Bashkësisë ekumenike të Taizé-së, frère Alois, i cili theksoi rëndësinë e shërbimit të dëgjimit, që mund t’u besohet edhe laikëve. Vërtet, themeluesi i Bashkësisë, frère Roger, thoshte: “Kur Kisha dëgjon, bëhet ç’është në të vërtetë: bashkim dashurie”. Hapësirë edhe për tetë dëgjues nga 34 të rinjtë e pranishëm në Sinod, të cilët bënë thirrje të mos lejohet, që rinia të bjerë pre e kulturës së mënjanimit.

05 tetor 2018, 16:00