Shpella e Betlehemit sivjet vjen nga Jesolo, Bredhi, nga Concordia-Pordenone
R. SH. - Vatikan
Të premten, më 7 dhjetor, në Sheshin e Shën Pjetrit do të përurohet Shpella e Betlehemit. Njëherësh do të ndriçohet edhe Bredhi i Krishtlindjes, që sivjet vjen nga Pylli i Cansiglio-s”, dhuratë e dioqezës së Concordia-Pordenone.
Një bredh i kuq, simbol i 2019-tës
Pema e Vitit të Ri 2019 është një bredh i kuq, i gjatë rreth 21 metra, me diametër 50 centimetra e trashësi rreth 10 metra në bazë. Do ta presin punonjësit e ndërmarrjes pyjore të Pordenones. Për ta zbukuruar do të kujdeset Drejtoria e shërbimeve teknike e Guvernatoratit, në bashkëpunim me ndërmarrjen Osram, që do të ofrojë sistemin e ndriçimit dekorativ modern, për të kufizuar konsumin energjitik.
Shpella e Betlehemit, nga Jesolo
Shpella e Betlehemit, që do të shtrihet mbi një sipërfaqe prej rreth 25 metrash katrore, do të jetë shprehje e traditës së lashtë të skulpturave prej rërës jesolane, me origjinë nga Dolomitet. Përbëhet nga një basoreliev prej 16 metrash gjatësi, 5 lartësi e 6 thellësi. Si Shpella, ashtu edhe Bredhi, do të qëndrojnë në Shesh deri në përfundim të Kohës së Krishtlindjes, që përkon me pagëzimin e Zotit, domethënë, deri më 13 janar 2019.