Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Uniforma e Athletica Vaticana në Lojrat Olimpike të Seulit Uniforma e Athletica Vaticana në Lojrat Olimpike të Seulit 

Kisha është e shtëpisë në botën e sportit, palestër jete e feje

“Të japësh ç’ke më të mirë nga vetja”: ky është titulli i dokumentit, paraqitur në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën. Teksti përmbledh magjisterin e Papëve e të Kishës mbi sportin, duke vënë në dukje analogjitë ndërmjet garës sportive dhe impenjimit në jetën e krishterë.

R.SH. - Vatikan

Kanotierë, kilota e muskuj. Është skenë e paparë në Vatikan, ajo e asaj dite të vitit 1904. Gjimnastë të rinj garojnë në vende, që gjithnjë kanë parë vetëm veladonë dhe seriozitet kishtar. Një monsinjor i Kuries, i hutuar, pëshpërit në veshin e Piut X: “Ku po shkojmë kështu?” E Papa i përgjigjet: “Imzot i dashur, në Parajsë!” Kjo anekdotë, që përmendet nganjëherë në Vatikan, kujtohet edhe në faqet e para të dokumentit mbi sportin, të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, me titull “Të japësh ç’ke më të mirë nga vetja”,  që u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Tregon se Kisha Katolike i ka kushtuar gjithnjë vëmendje disiplinave sportive, të cilat kanë “mundësi të mëdha edukative dhe formuese”.

Sporti për njeriun

         Në 5 kapitujt e në rreth 50 faqet e tekstit, analizohet përmbledhtas historia e sportit; interpretohet ai nga pikpamja antropologjike, duke parë vlerat, sfidat, por edhe devijimet e fenomenit, si doping dhe korrupsioni; për të përfunduar me përshkrimin e rolit të Kishës në këtë sektor, konsideruar një “Oborr modern i jo besimtarëve”. Theksohet se nuk ekziston ndonjë “sport i krishterë”, por natyrisht, është më se i ligjshëm “një këndvështrim i krishterë mbi sportin”. Prandaj, nënvizohet se Kisha – siç na ka mësuar shpesh Gjon Pali II – nuk kufizohet me inkurajimin e një “praktike cilësore sportive”, por dëshiron të jetë “brenda sportit”, i kuptuar si “sport për njeriun”, pra, si hapësirë ku mund të japësh “ç’ke më të mirë nga vetja”, nga ku merr shkas edhe titulli.

Gjimnastikë e trupit dhe e shpirtit

         Pas një historie të shkurtër mbi zhvillimin e sportit, në kapitullin 2, vëmendja zhvendoset në vlerat e veprimtarive sportive, marrë parasysh paralelisht me ato të fesë, duke u nisur nga “zhvillimi i harmonishëm dhe i gjithanshëm i njeriut, turp e shpirt”. Paralelizëm, që shtjellohet në 10 pika, njëra prej të cilave ndalet në “fair play”, pra në lojën pa hile. Atletët të respektojnë kundërshtarin, thuhet në dokument, sepse mënyra e sjelljes së tyre në fushë ndikon në vlerat e të rinjve, që i shohin si “edukatorë” të tyre.

Gara e korruptuar

         Nëse fytyra e pastër e sportit u mëson të gjithëve “shijen e bukurinë e lojës në skuadër”, vlerën e flijimit e të vetëmohimit për të arritur fitoren, “komercializimi” i skajshëm i veprimtarive sportive mund t’u sjellë dëm të madh njerëzve. Kapitulli 4 i dokumentit vatikanas është i shkurtër, por denoncon pasojat e mendësisë “të fitojmë me çdo kusht”. Së pari, rreziqet për shëndetin e atletëve, që kthehen në mall - duke pasur parasysh sidomos të miturit dhe abuzimet “fizike, seksuale dhe emotive” me ta – e deri në sjelljet antisportive të tifozëve, që e minojnë bukurinë e sportit.

Katër sfidat

         Për Kishën ka katër fusha, në të cilat duhet ndërhyrë për të shmangur interesat e pjesshme, që e ndotin sportin. E para ka të bëjë me “prishjen e trupit”, për shkak të stërvitjeve të tepruara, ose ushqimit të parregullt, që minon shëndetin. Së dyti, doping, pra, përdorimi i drogës për të arritur me çdo kusht rezultatin. Selia e Shenjtë kërkon përpjekje ndërkombëtare konkrete për të luftuar këtë fenomen, në bashkëpunim me median, financën dhe politikën. Në spektakolarizimin e ngjarjeve sportive fshihet edhe “korrupsioni”, konsideruar nga dokumenti sfida e tretë për të mbrojtur rregullat e për ta mbajtur sportin të pastër. Fusha e katërt ka të bëjë me spektatorët dhe tifozët. Edhe këtu, thirrja për mbrojtjen e bashkësisë së tifozëve, që ajo ta jetojë drejt pasionin e saj, i cili mund të jetë “burim fantastik gëzimi e bukurie”.

Strategjia edukative

         Kapitulli i pestë dhe i fundit i dokumentit vatikanas mbi sportin i kushtohet baritorisë së Kishës. Nga famullitë tek familjet, nga vendet ku mësohen disiplinat sportive, por edhe ato të mirëqënies së trupit, nënvizohet nevoja e një “strategjie edukative” që mbështet sportistët, profesionistët, prindërit, vullnetarët, meshtarët e rregulltarët. Batuta përfundimtare i takon Papës Françesku dhe fjalëve të tij për Qendrën Sportive Italiane, në vitin 2014: të vihemi “në lojë me të tjerët e me Zotin, pa u kënaqur me një ‘barazim’ mediokër. Të japim ç’kemi më të mirë nga vetja për diçka, që mbetet përgjithmonë”.

01 qershor 2018, 14:55