Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Clericus Cup: kampionati i futbollit në Vatikan Clericus Cup: kampionati i futbollit në Vatikan  (ANSA)

Papa: në sport, ashtu si në jetë, vlen loja e skuadrës

Sporti është “burim i pasur vlerash” dhe vend, ku eksperimentohet “gëzimi i garës” për një qëllim të përbashkët. Kështu shkruan Papa Françesku në letrën për kardinalin Farell, me rastin e publikimit të dokumentit “Të japësh ç’ke më të mirë nga vetja”, mbi marrëdhëniet e Kishës me sportin.

R.SH. - Vatikan

Një baba me fëmijën e vet, dy shkëmbime me top mbi barin e parkut e shumë buzëqeshje. Pastaj, në stadium, emocioni i golit vendimtar, që i dhuron fitoren skuadrës së zemrës. Dy skena të ndryshme, që shprehin lidhjen e ngushtë të njerëzve me sportin, si në jetën private, ashtu edhe në atë publike; fillin, që bashkon gjestin teknik, i cili mund të zhvillohet në fushën prapa shtëpisë apo në ndonjë palestër, por edhe para miliona syve. Në të dyja rastet, lojtarët “japin ç’kanë më të mirë nga vetja” për ta fituar garën me të tjerët, pavarësisht se ku ndodhen.

Së bashku drejt qëllimit

         Për sportin shkruan sot edhe Papa Françesku në një letër për kardinalin Kevin Farell, reflektim për dokumentin e fundit të publikuar nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, kryesuar nga prelati. Sporti, thekson Ati i Shenjtë, duke sqaruar edhe kuptimin e dokumentit kishtar, që u paraqit sot për mediat, “është vend takimi ndërmjet njerëzve”, është “vend i privilegjuar” pa “dallim race, seksi, feje apo ideologjie”, ku mund “të eksperimentohet gëzimi i garës për t’ia arritur së bashku qëllimit”. Papa nënvizon se sporti funksionon si “katalizator i përvojës së bashkësisë dhe të familjes njerëzore” e se “rezultatet e rëndësishme, si në sport, ashtu edhe në jetë, arrihen në skuadër”.

Zhvillim i gjithanshëm

         Sport do të thotë rini. Prej vitesh, Papa Françesku pohon se “agonizmi i shëndoshë”, në çdo nivel, favorizon “zhvillimin e gjithanshëm të njeriut”. Përgatitja e zhvillimi i garës, shkruan në letër, nxit “bujarinë, përvujtërinë, flijimin, qëndrueshmërinë dhe gëzimin”. Mund t’u mësojë sportistëve solidaritetin e madje, siç shkruan Ati i Shenjtë, mund të shërbejë edhe si mjet misioni e shenjtërimi. Mund “të hapë udhën drejt Krishtit, në ato vende e ambiente ku, për arsye të ndryshme, nuk është i mundur kumtimi i drejtpërdrejtë; e njerëzit, me dëshminë e gëzimit të tyre, duke praktikuar sportin bashkë me të tjerët, mund të bëhen lajmëtarë të Ungjillit”.

Përtej kufijve njerëzorë

         Edhe për shenjtërimin e jetës, ashtu si në sport, duhet “dhënë ç’ke më të mirë nga vetja”. Papa Françesku kujton se e përdor këtë shprehje në Letrën “Gaudete et exsultate”, prandaj e nxit Kishën “të thellohet në marrëdhëniet e ngushta, që ekzistojnë ndërmjet sportit e jetës”, në mënyrë që “përpjekjet për t’i kaluar kufijtë e vetvetes në një disiplinë atletike, të shërbejnë edhe si nxitje për t’u përmirësuar në të gjitha aspektet e jetës”. “Sporti – përfundon Papa – është burim shumë i pasur vlerash e virtytesh, që na ndihmojnë të përmirësohemi si njerëz. Ashtu si atleti gjatë stërvitjes, praktikimi i sportit na ndihmon të japim ç’kemi më të mirë nga vetja, të zbulojmë pa frikë kufijtë tanë dhe, të luftojmë për t’u përmirësuar çdo ditë”.

01 qershor 2018, 12:51