Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
 Imzot Hoser Imzot Hoser 

Medjugorje, Papa emëron Hoser vizitator të përhershëm

Papa emëron kryeipeshkvin Hoser, vizitator të përhershëm në Medjugorje. Kryeipeshkvi Polak do të merret me shoqërimin besimtarëve, por pa hyrë në problemet, që kanë të bëjnë me vërtetësinë e dukjeve.

R. SH. - Vatikan

Akoma asgjë e re lidhur me dukjet mariane në Medjugorje, që përsëriten prej dhjetra vitesh; ndërsa Papa merr një vendim, që flet vetë për vëmendjen e madhe me të cilën i ndjek këto dukje, por pa i përcaktuar si të mbinatyrshme. Vendimi ka të bëjë me shoqërimin e besimtarëve të panumërt, që vijojnë të arrijnë në Medjugore nga të katër anët e botës.

Papa Bergoglio, më datën 31 maj 2018, emëroi imzot Henryk Hoser, kryeipeshkëv nderi i Varshavë-Pragës, në Poloni, si “vizitator apostolik me karakter të posaçëm për famullinë e Medjugorjes, me kohë të papërcaktuar  dhe ad nutum Sanctae Sedis” - domethënë në dispozicion të Selisë së Shenjtë.

“Bëhet fjalë - njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - për një detyrë baritore, në vazhdimësi me misionin e të dërguarit të posaçëm të Selisë së Shenjtë për famullinë e Medjugorjes, besuar imzot Hoser më 11 shkurt 2017 e përfunduar nga ai muajt e kaluar”.

“Misioni i vizitatorit apostolik - përfundon komunikata - ka për qëllim t’i sigurojë shoqërim të vazhdueshëm bashkësisë famullitare të Medjugorjes dhe besimtarëve, që shtegtojnë në shenjtërore, kërkesat e të cilëve duhen trajtuar me vëmendje të posaçme”.

Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, nënvizon “karakterin baritor, jo doktrinor” të misionit të Hoser, duke sqaruar se “vendimi i sotëm nuk hyn në çështje doktrinore, që lidhen me vërtetësinë e dukjeve mariane në Medjugorje”. Emërimi, prandaj, nuk ka të bëjë me përfundimin  e çështjes së Medjugorjes, por është një hap i ri i misionit të vetë Hoser. Prelati do ta ketë selinë në Medjugore, për të bashkëpunuar më nga afër me ipeshkvin dhe françeskanët vendas.

Më 2 qershor Heparkia e Ungros do të kremtojë ditën e rinisë. Do të marrin pjesë më se 500 të rinj, që do të kenë mundësi të bisedojnë e të ballafaqohen.

 

31 maj 2018, 15:04