Kërko

Papa: në këto kohë dramatike, le të rizbulojmë dhe praktikojmë virtytet

Pasi i kushtoi tetë katekizma veseve, Françesku nisi të flasë sot për virtytet, paraprirë nga një reflektim. “E mira, që lind nga pjekuria e ngadaltë e njeriut deri në atë pikë, sa të bëhet karakteristikë e brendshme”, mbështetet nga hiri i Zotit, kujtoi. Por, që të rritet e të kultivohet, duhet urti, duhet vullnet i mirë. Në një botë të deformuar, duhet të kujtojmë figurën e Zotit, ngulitur përgjithmonë në shpirtin tonë

R.SH. / Vatikan

"Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes! E mirëseardhët! Jam akoma pakëz i ftohur e prandaj i kërkova Imzotit ta lexojë katekizmin. Ta ndjekim me vëmendje, mbasi besoj se mund të na bëjë shumë mirë". Kështu e paraqiti audiencën e sotme të përgjithshme Papa Françesku, duke i dhënë fjalën njërit nga bashkëpunëtorët e tij.

Edhe këtë paradite audienca e përgjithshme me Françeskun u zhvillua në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa, duke vazhduar ciklin e katekizmit kushtuar "Veseve dhe virtyteve", e përqendroi reflektimin  mbi temën "Veprimi i virtytshëm". Ishte reflektimi i hyrjes kushtuar virtyteve. As sot nuk e lexoi katekizmin, për shkak se vijon të jetë pakëz i ftohur. Madje, e kujtoi edhe ai vetë: “Jam ende i ftohur. Ashtu si javën e kaluar”.  

Ishte reflektimi i hyrjes kushtuar virtyteve, pas tetë katekizmash kushtuar veseve, ky që zhvilloi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Ende i ftohur, Françesku ia besoi leximin  bashkëpunëtorit të Sekretarisë së Shtetit, Atë Pierluigi Giroli.

Teksti i Papës na fton ‘t’i sjellim sytë nga gjithçka i kundërvihet së keqes". Na shpjegon se "zemra e njeriut mund t’i kënaqë pasionet e liga" dhe t’i nënshtrohet tundimeve, "por edhe mund t'u kundërvihet të gjithave", sepse "njeriu u krijua për të mirën", prandaj mund të bëjë mirë, mund ta "ushtrojë këtë art", duke i bërë disa prirje të përhershme e të qëndrueshme. Filozofët romakë flisnin për virtus - shpjegoi Françesku - që kujtoi më pas se njeriu i virtytshëm është edhe "i fortë, i guximshëm, i aftë për disiplinë e asketizëm". Por - sqaroi - nuk duhet harruar se ushtrimi i virtyteve "kërkon përpjekje, madje edhe vuajtje". Megjithatë grekët përdorën termin aretè, për të treguar "diçka që shkëlqen", "që del në pah", "që ngjall admirim", duke arritur në përfundimin se individi i virtytshëm është "besnik ndaj thirrjes së tij" dhe e "realizon plotësisht" vetveten.

T’i rizbulojmë virtytet

 Atëhere mund të themi se vërtet të virtytshëm janë shenjtorët, "ata që bëhen plotësisht vetvetja, që realizojnë thirrjen e duhur për çdo njeri" - nënvizoi Papa - duke sqaruar se as ata nuk duhet të konsiderohen "përjashtime të njerëzimit: një lloj rrethi i kufizuar kampionësh që jetojnë  përtej kufijve të specieve tona”. E nëse sot "drejtësia, respekti, dashamirësia e anasjelltë, shpirtmadhësia dhe shpresa janë "anomali e rrallë", ndjehet edhe më shumë nevoja që t’i praktikojmë virtytet dhe të kemi parasysh se Zoti na krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij:

“Kapitulli mbi veprimin e virtytshëm, në këto kohët tona dramatike, kur gjithnjë më shpesh kemi të bëjmë me më të keqen e njerëzimit, duhet të rizbulohet dhe të praktikohet nga të gjithë. Në një botë të deformuar, ne duhet të kujtojmë formën me të cilën jemi formuar, figurën e Zotit që është e ngulitur në ne përgjithmonë”.

Çfarë është virtyti

“Virtyti është prirje e zakonshme, e vendosur për të bërë mirë”, lexojmë në Katekizmin e Kishës Katolike. Nuk është diçka e “improvizuar” - shtoi Françesku - dhe nuk mund të klasifikohet ndër veprat e mira, për të cilat mund të jenë të aftë deri kriminelët “në një çast kthjelltësie” të shkruar në “Librin e Zotit”. Përkundrazi, “është një e mirë që lind nga pjekuria e ngadaltë e njeriut, derisa bëhet virtyt ”:

“Virtyti është habitus, zakon i lirisë. Nëse jemi të lirë në çdo veprim e çdo herë thirremi të zgjedhim ndërmjet së mirës dhe së keqes, virtyti është ai që na mëson të bëjmë zgjedhjen e drejtë”.

Zoti i përkryen veprat e mira, që skicon njeriu

Por si mund ta arrijmë virtytin? I krishteri mund të përfitojë para së gjithash nga ndihma e hirit të Zotit - theksoi Papa - e tek ata që pagëzohen, "vepron Shpirti Shenjt, që punon në shpirtin tonë për ta udhëhequr drejt një jete të virtytshme". E kështu, edhe ata që mendojnë se nuk janë të aftë për t’i kapërcyer disa dobësi, kujtohen "se Zoti e përfundoi" punën e mirë të saponisur, sepse "hiri i paraprin gjithnjë angazhimit tonë moral" - vërejti Françesku.

Mençuria dhe vullneti i mirë

Së fundi, duhen dy elemente, që virtyti të rritet dhe të kultivohet. Është e nevojshme, para së gjithash, të kërkojmë, ndërmjet dhantive të Shpirtit Shenjt, atë të urtisë - kujtoi Papa. Njeriu "nuk është tokë e lirë për t’u pushtuar nga kënaqësitë, emocionet, instinktet, pasionet". I paaftë për t’i përballuar “këto forca, ndonjëherë kaotike, që banojnë në të”, mençuria e ndihmon  “të mësojë nga gabimet, për ta drejtuar si duhet jetën e tij”. E pastaj duhet edhe vullneti i mirë - përfundoi Françesku - domethënë "aftësia për të zgjedhur të mirën, për ta formuar vetveten me ushtrime asketike, larg prej çdo teprimi".

13 mars 2024, 11:53

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >