Kërko

Papa: të përvetësojmë nga Jezusi i kryqëzuar durimin, "vitaminë kryesore" e të krishterit

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Françesku ia kushtoi katekizmin durimit, virtytit që ka si rrënjë dashurinë. Me të i përgjigjet Jezusi vuajtjeve që pëson

R.SH. / Vatikan

Durimi është virtyti, që spikat më shumë gjatë mundimeve  të Jezusit: "Jezu Krishti Zot pranon butësisht të arrestohet, të fshikullohet me kamxhik, të dënohet padrejtësisht". Në prag të Triditshes së Pashkëve, Papa e shpjegon këtë qëndrim në katekizmin e tretë kushtuar virtyteve, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Ungjijtë tregojnë se Krishti “nuk i kundërvihet Pilatit; duron fyerjet, pështymën dhe fshikullimin e kamxhikut të ushtarëve mbi trupin e tij të zhveshur; duron barrën e kryqit mbi shpatulla; i fal ata që e gozhdojnë mbi dru e, në kryq, nuk u përgjigjet fyerjeve e pështymëve, por i shikon të gjithë me mëshirë, e i fal”; e ky - nënvizon Papa Françesku- është një mësim i madh, i jashtëzakonshëm, për secilin prej nesh:

“Durimi i Jezusit nuk është rezistencë stoike ndër vuajtje, por fryt i dashurisë më të madhe”.

Gjesti i parë i çdo dashurie të madhe

Bibla na kujton disa herë se "Zoti, përballë pabesisë sonë, tregohet ‘i ngadalshëm në zemërim’” - theksoi Papa - nuk e shfren "pështirosjen e tij për të keqen dhe mëkatin e njeriut".  Përkundrazi, është "gjithmonë gati të nisë nga e para, me durim të pafundmë". E nëse për Shën Palin ky propozim i faljes përballë mëkatit "është tipari i parë i dashurisë së Zotit", për Françeskun është gjithashtu "tipari i parë i çdo dashurie të madhe, që di t'i përgjigjet së keqes me të mirë, që nuk zjen nga zemërimi e nga inati, por këmbëngul dhe rifillon":

“Në rrënjë të durimit qëndron dashuria, siç thotë Shën Agustini: sa më i fortë të jetë njeriu në durimin e çfarëdolloj të keqeje, aq më e madhe është në të dashuria e Zotit".

Virtyt, që shpesh mungon

 “I krishteri durimtar e dëshmon dashurinë për Krishtin - nënvizoi Papa Françesku - i cili kujtoi, në vijim, edhe shembullin e “nënave e të baballarëve, të punëtorëve, mjekëve, infermierëve dhe të sëmurëve që çdo ditë e zbukurojnë botën në fshehtësi të shenjtë", virtyt që nuk e kemi gjithnjë:

“Shpesh na mungon durimi. E pra kemi nevojë për të, si për ‘vitaminën kryesore’, që të mund të ecim përpara, por instinkti na bën të padurueshëm e i gjegjemi të keqes me të keqe: e kemi vështirë të rrimë të qetë, të kontrollojmë instinktet tona, të frenojmë përgjigjet e këqija, të zbutim debatet dhe konfliktet në familje, në punë, në bashkësinë e krishterë. Ndaj duhet të kujtojmë se durimi nuk është thjesht domosdoshmëri, është thirrje: nëse Krishti është i durueshëm, edhe i krishteri thirret të jetë durimtar”.

Shkoni kundër rrymës dhe prisni

Por si mund të jesh i durueshëm? Papa na këshillon "të shkojmë kundër rrymës të mendësisë së përhapur sot, kur mbizotërojnë nxitimi dhe synimi për ta shtënë në dorë "gjithçka tani", menjëherë; kur njerëzit, në vend që të presin të piqen situatat, i shtrydhin, duke pritur që ato të ndryshojnë në çast”. Duhet kujtuar se nxitimi dhe padurimi janë “armiq të jetës shpirtërore” - kujtoi Françesku - ndërsa Zoti “është dashuri, që do, që nuk lodhet, nuk nervozohet, nuk jep ultimatume, por di të presë”.

Bëjeni tuajin durimin e Kryqit

Për ta bërë tonin durimin, si “fryt i Shpirtit Shenjt”, është e nevojshme të lutemi dhe ta kërkojmë “nga Shpirti i Krishtit”- këshillon Papa:

“Sidomos në këto ditë na bën mirë ta kundrojmë të Kryqëzuarin për ta bërë tonin durimin e Tij. Një ushtrim i mirë është edhe t’i afrosh pranë Tij njerëzit më të bezdisshëm, duke kërkuar hirin të vërë në jetë atë vepër mëshire sa të njohur, aq edhe të papritur: t’i mbartësh me durim njerëzit më të padurueshëm. E kjo nis  duke i shikuar me dhembshuri, me shikimin e Zotit, duke i dalluar fytyrat e tyre, nga gabimet e tyre”.

Zgjerojeni shikimin

Së fundi, durimi duhet kultivuar, e për këtë "është mirë ta zgjerosh shikimin", për shembull të mos ngujohesh vetëm në hallet tuaja - këshillon Papa Françesku - por t’i jetosh edhe vuajtjet më të rënda të të tjerëve, që të mësohesh kështu t’i durosh tuajat.

E, sidomos Papa na fton “t’i përngjajmë Krishtit”, duke na kujtuar se "nuk ka asgjë, sado e vogël të jetë, por e duruar për dashuri të Zotit, që kalon pa marrë shpërblimin e vet prej Tij".

Edhe kur ndihemi “në morsën e provës”, duhet të kundrojmë me besim dhe “me shpresë risinë e Zotit”, inkurajon Papa, sepse Ai “nuk i lë bosh  duart tona, të shtrira në lutje drejt Tij”.

27 mars 2024, 11:25

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >