Papa Françesku: “Edhe unë jam bir emigrantësh”
R.SH. – Vatikan
“Do të doja të isha personalisht aty me ju…”.
Me këto fjalë prekëse, Papa Françesku u drejtohet sot, 21 mars, burrave dhe grave të strehuara në Stacionin e Mikpritjes së Përkohshme të Emigrantëve (ETRM) në Lajas Blancas të Panamasë. Është qendër, nëpër të cilën kalojnë emigrantë nga Kolumbia, Haiti, Ekuadori, Venezuela, Nikaragua, pasi mbijetojnë në pyllin Darién, xhungël në kufirin ndërmjet Kolumbisë dhe Panamasë, rrugë kryesore për ata, që shkojnë në SHBA.
Falenderimi për ata, që kujdesen për emigrantët
Në letër, Papa vë në dukje dëshirën për t'i shoqëruar personalisht dhe shpreh mirëkuptimin për situatën e tyre. "Edhe unë jam bir emigrantësh," shkruan, "të cilët u nisën në kërkim të një të ardhmeje më të mirë" nga Piemonte e Italisë drejt Argjentinës. Edhe kur nuk kishin ç’të hanin, tregon Françesku, e kishin zemrën plot shpresë, ashtu si njerëzit, që edhe sot, detyrohen ta lënë atdheun për një sërë arsyesh. Ati i Shenjtë falënderon ipeshkvijtë dhe punonjësit baritorë, që kujdesen për emigrantët, në vend të tij, sqaron. Ata përfaqësojnë “fytyrën e Kishës nënë, që ecën me bijtë e bijat e saj, në të cilët zbulon fytyrën e Krishtit dhe, si Veronika, u jep me dashuri lehtësim dhe shpresë në Udhën e Kryqit të emigracionit”.
Emigranët janë korpi i vuajtur i Krishtit
Ati i Shenjtë shton se emigrantët “përfaqësojnë korpin e vuajtur të Krishtit kur detyrohen të largohen nga vendi i tyre, të përballen me rreziqet dhe mundimet e një udhëtimi të vështirë, kur nuk gjejnë rrugëdalje tjetër”. Papa u bën thirrje migrantëve të mos e harrojnë kurrë dinjitetin e tyre njerëzor dhe të mos “kenë frikë t'i shohin të tjerët në sy”, pasi ata nuk janë hedhurina. I siguron se “janë pjesë e familjes njerëzore dhe e familjes së bijve të Zotit”. Së fundi, i falënderon për praninë e tyre dhe u kërkon të luten për të.
Rreziqet dhe dhuna
Janë mbi gjysmë milioni - shifër rekord e dhënë nga qeveria panameze – njerëzit, që vetëm në vitin 2023, kanë hyrë në të ashtuquajturin Darién Gap, një itinerar vdekjeprurës ku, përveç rreziqeve të xhunglës, ka edhe banda kriminale, të cilat i grabitin, ose u kërkojnë para refugjatëve për t’u treguar rrugën në këtë korridor prej 265 kilometrash. Ushtrojnë edhe dhunë, veçanërisht kundër grave. Të mbijetuarit strehohen në Lajas Blancas, ku kohët e fundit, njerëzit janë shtuar tej mase, me pasojë keqësimin e problemeve shëndetësore dhe të sigurisë, për shkak të mungesës së ujit dhe të shtretërve. Për gjendjen në Darién, Papa pati folur edhe në Engjëllin e Tënzot të 17 dhjetorit të kaluar, si edhe në mesazhin e djeshëm drejtuar ipeshkvijve të Kolumbisë, Kosta Rikës e Panamasë, ku u bën thirrje të punojnë për të çrrënjosur indiferencën ndërkombëtare ndaj këtyre emigrantëve.