Kërko

Papa: Ungjilli është për të gjithë, jo për një grup të zgjedhurish

Në katekizmin e 27-të kushtuar zellit apostolik gjatë audiencave të përgjithshme, Françesku nënvizoi se Lajmi i Mirë është universal: Zoti zgjedh një, për të arritur tek të gjithë. Thirrja nuk është privilegj. Thirresh për të shërbyer!

R. SH. - Vatikan

Mesazhi i krishterë është për të gjithë. Gëzim, për të gjithë. Ungjilli është për të gjithë. Papa Françesku e përsërit disa herë këtë të vërtetë në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, i ndjekur nga mijëra besimtarë. Përpara se të fillojë katekizmin e njëzet e shtatë kushtuar "pasionit për ungjillëzimin: zellit apostolik të besimtarit", ndalohet për pak çaste ndërmjet shtegtarëve, shkëmben fjalë e përshëndetje me disa prej tyre, bekon fëmijtë, i zgjat dorën një shoku. Më në fund arrin në tremen e Bazilikës së Vatikanit. E prej aty nis sakaq t’i flasë turmës për Lajmin e Mirë. U kujton se Lajmi i Mirë ka "fuqi humanizuese”, e bën njeriun-njeri, ka forcë ta përkryejë jetën e çdo burri e të çdo gruaje", sepse Krishti lindi, vdiq dhe u ringjall "për të gjithë, pa asnjë përjashtim". Kujton, më pas, nxitjen e tij të parë apostolike, Evangelii gaudium, shkruar dhjetë vjet më parë, në fillim të papnisë, duke përsëritur se të krishterët kanë për detyrë të shpallin Ungjillin "pa përjashtuar askënd, jo si ata që vendosin një detyrim të ri, por si ata që ndajnë një gëzim të panjohur, hapin një horizont të bukur, ofrojnë një banket të dëshirueshëm, sepse "Kisha nuk rritet përmes prozelitizmit, por "përmes forcës tërheqëse":

“Vëllezër, motra, ta ndiejmë veten në shërbim të destinacionit universal të Ungjillit; është për të gjithë, e të dallohemi për aftësinë e daljes nga vetvetja, për të kapërcyer çdo kufi. Të jemi kumt i vërtetë! Kumtim. Por për të qenë kështu, duhet të dalim nga egoizmi ynë. E të kemi edhe aftësi për të kapërcyer çdo kufi”.

Të krishterë të përzemërt e komunikativë

Françesku i nxit të krishterët të "jenë të përzemërt dhe  komunikativë, duke pasur para sysh se  Jezusi "e bëri praninë e tij në botë shtegtim të vazhdueshëm, që synon të arrijë tek të gjithë", siç e shikojmë edhe në takimet e ndryshme të rrëfyera në Ungjill. E pikërisht për t’i arritur të gjithë, Zoti zgjedh disa prej nesh:

“Bibla na tregon se kur Zoti thërret një njeri a lidh besë me disa, kriteri është gjithmonë ky: zgjedh dikë, që të arrijë tek të tjerët. Ky, kriteri i Zotit, i thirrjes së Zotit”.

Mjetet e dashurisë së Zotit

Ata që janë zgjedhur nga Zoti "e kanë provuar bukurinë, por edhe përgjegjësinë e peshën që ka njeriu 'i zgjedhur' prej Tij. Kanë përjetuar edhe dekurajim përballë ligshtive a humbjes së sigurisë së tyre" - shpjegoi Papa - por nuk duhet të harrojmë se Zoti dëshiron t’i arrijë të gjithë pikërisht nëpërmjet atyre që  zgjedh:

“Tundimi më i madh është ta konsiderojmë thirrjen e Tij si privilegj, ju lutem jo, thirrja nuk është privilegj, kurrë, nuk mund të themi se jemi të privilegjuar në krahasim me të tjerët, jo, thirrja është për shërbim. Dhe Zoti zgjedh një, për t’i dashur të gjithë, për të shkuar tek të gjithë”.

Kujdes kur bëhet fjalë për "identifikimin e krishterimit me një kulturë, me një etni, me një sistem" - porosit Françesku - sepse do të humbiste "natyrën e tij vërtetë katolike, domethënë universale për të gjithë", nuk është një grup i vogël i të zgjedhurve të klasit të parë. Ky është horizonti i universalitetit- përfundon Papa - duke përsëritur rishtas: "Ungjilli është për të gjithë".

22 nëntor 2023, 10:45

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >