Kërko

Papa në Sinod Papa në Sinod

Papa: në Sinod, dëgjim e agjërim nga prononcimi publik. Gazetarët të ndihmojnë

Françesku hapi Mbledhjen e parë të Përgjithshme të Sinodit mbi Sinodalitetin në Sallën Pali VI dhe u kujtoi të gjithë pjesëmarrësve se asambleja "nuk është parlament, as takim mes miqsh": punimet “për interesa njerëzore, personale, ideologjike, nuk janë Sinod”. Papa ritheksoi se “protagonist” është Shpirti Shenjt

R.SH. – Vatikan

Dita e dytë e Sinodit të Ipeshkvijve mbi sinodalitetin në Vatikan. Në kuadrin e temës, që fton për “një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje e mision”, sot, vijoi puna në grupe të vogla, si në sesionin e paradites, ashtu edhe në atë të pasdites. Pjesëmarrësit diskutuan mbi argumentet e seksionit A të Instrumentum Laboris, pra, të dokumentit, që përmban orientimet për reflektimin gjatë punimeve sinodale. Ky seksion flet për shenjat, që e karakterizojnë një Kishë sinodale dhe nxjerr në pah dialogun në Shpirtin Shenjt si mënyrë për të ecur përpara në një Kishë të tillë.

Papa Françesku përuroi punimet

Ndërkaq, dje pasdite, pasi kryesoi meshën e paradites për hapjen e Sinodit, Papa Françesku përuroi punimet e asamblesë XVI të përgjithshme e të zakonshme, duke kërkuar dëgjim, agjërim nga prononcimet publike, hapësirë për dikimin e Shpirtit Shenjt, lutje, reflektim – sidomos mbi tekstet e Shën Bazilit – asnjë vend për thashetheme, ideologji e gjëra të tjera të kësaj bote. 464 pjesëmarrësit, por edhe gazetarët, Ati i Shenjtë i nxiti të bëjnë një punë të bukur e të mirë, duke u kërkuar të ndihmojnë që të përhapet mesazhi se gjëja më e rëndësishme e këtij Sinodi është dëgjimi.

“Protagonisti i Sinodit – vërejti Françesku – nuk jemi ne, është Shpirti Shenjt e nëse ne i lemë vend Shpirtit Shenjt, Sinodi do të shkojë mirë”.

“Jo” thashethemeve

Shpirtit Shenjt, vijoi Papa, nuk i pëlqejnë fjalët boshe, thashethemet, që janë sëmundje e përhapur edhe në Kishë. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë t’ua thonë të tjerëve në sy, nëse e mendojnë ndryshe nga ata, por jo pas shpine. Përparësi dëgjimit, theksoi më tej Françesku, duke u kërkuar gazetarëve të mos publikojnë diskutime të pafrytshme, por të shohin në punimet e Sinodit, dikimin e Shpirtit Shenjt e frytet, që sjell Ai, pa bërë presione mediatike mbi pjesëmarësit e sidomos, mbi argumentet që shqyrtohen. Ai kujtoi sinodet e mëparshme mbi familjen e mbi Amazonën, që patën probleme të kësaj natyre.

“Tani – vuri në dukje Papa – kemi disa hipoteza mbi këtë Sinod: ‘Po çfarë do të bëjnë? Ndoshta, do t’u japin meshtarinë grave… nuk e di, këto gjëra thuhen jashtë, apo jo? E thonë se shpesh, ipeshkvijtë kanë frikë të tregojnë ç’ndodh brenda”.

Papa përshëndet disa pjesëmarrës
Papa përshëndet disa pjesëmarrës

Prandaj, Françesku u kërkoi komunikatorëve të thellohen më mirë në çështjet sinodale për të transmetuar më mirë se Kisha, në këtë çast, është në dëgjim. E, pjesëmarrësve në Sinod, u këshilloi disa tekste të antologjisë patristike, si ato të Shën Bazilit, që ka shkruar një traktat të bukur për Shpirtin Shenjt.

Sinodi nuk është parlament

Tema e sinodalitetit, sqaroi Papa, është zgjedhur nga vetë ipeshkvijtë, pas Sinodit të fundit për Amazonën, sepse e konsideronin të nevojshme të reflektohej për këtë. Edhe një herë, ashtu siç bëri në meshën e paradites, Ati i Shenjtë kujtoi se sinodi nuk është parlament.

“Nëse ndërmjet nesh ka mënyra të tjera për të ecur përpara, për interesa njerëzore, personale e ideologjike, nuk do të kemi një Sinod, por do të kemi një mbledhje më tepër parlamentare, që është diçka krejt tjetër. Sinodi është rrugë, të cilën e bën Shpirti Shenjt”.

05 tetor 2023, 13:59