Kërko

Papa: Sinodi, jo doganë, por përvojë e një Kishe mikpritëse

Në meshën, që hapi asamblenë XVI të përgjithshme e të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, Papa fton të përballohen sfidat dhe problemet e sotme jo me frymë përçarëse dhe konfliktuale, por duke i ngulur sytë tek Zoti, për të qenë një Kishë, që dëgjon dhe dialogon, pa përçarje. Protagonist është Shpirti Shenjt, që shkon përtej pritshmërive tona dhe krijon gjëra të reja, pohon Françesku, i cili na kërkon të imitojmë Shën Françeskun e Asizit për të përhapur Ungjillin

R.SH. – Vatikan

“Nuk na duhet një këndvështrim i kësaj bote, i përbërë nga strategji njerëzore, llogari politike apo beteja ideologjike. Të cilat hyjnë nën rrogoz: nëse Sinodi do t’ua japë lejen për këtë, do të hapë këtë derë e atë tjetrën... e kjo nuk na duhet. Nuk jemi këtu për mbledhje parlamentare apo për ndonjë plan reformash. Sinodi, të dashur vëllezër dhe motra, nuk është parlament, protagonist është Shpirti Shenjt. Jo! Nuk jemi këtu për të bërë parlament: jemi këtu për të ecur së bashku me vështrimin e Jezu Krishtit, i cili bekon Atin dhe mirëpret të lodhurit e të shtypurit. Të nisemi, pra, nga vështrimi i Jezusit, i cili është vështrim, që bekon dhe mirëpret”.

Më këto fjalë, duke e nxitur Kishën të kundrojë veprën e Hyjit dhe të shqyrtojë të tashmen, Papa Françesku hapi sot (4 tetor) Asamblenë XVI të Përgjithshme e të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me meshën e kremtuar në sheshin e Shën Pjetrit, në ditën e përkujtimit liturgjik të Shën Françeskut të Asizit. Të pranishëm edhe dy ipeshkvij nga Shqipëria: imzot Gjergj Meta dhe imzot Arjan Dodaj. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë e inkurajoi Kishën të qëndrojë e fortë para “valëve shpesh të trazuara të kohës sonë", të mos kërkojë "shtigje të lehta ideologjike", të mos fshihet "pas bindjeve të sigurta", të mos marrë “vendime veç për leverdi” dhe të mos e lejojë “botën t’i diktojë axhendën”. Para 25 mijë besimtarëve, me 490 bashkëkremtues - 120 kardinaj dhe 370 etër sinodalë, meshtarë e ipeshkvij – Françesku kujtoi fjalën hyrëse të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, mbajtur nga Papa shenjt Gjoni XXIII, i cili e këshilloi Kishën të qëndrojë e palëkundur në "trashëgiminë e shenjtë të së vërtetës, marrë nga lashtësia" e, njëkohësisht, "të shikojë të tashmen", pa u bërë ballë “sfidave dhe problemeve të sotme me frymë përçarëse dhe konfliktuale", por duke i kthyer "sytë kah Zoti, që është bashkim”.

Detyra kryesore e asamblesë sinodale

Por si mund t'ia bëjmë të njohur njeriut të sotëm zbulesën e Zotit, në mënyrë që ajo të bëhet shpëtim? Për Papën, është pikërisht Sinodi, që ia jep përgjigjen kësaj pyetjeje.

“Kjo është detyra kryesore e Sinodit: ta ripërqendrojë vështrimin tonë drejt Zotit, të jemi Kishë, që e shikon njerëzimin me mëshirë. Një Kishë e bashkuar dhe vëllazërore, ose të paktën që përpiqet të jetë e bashkuar dhe vëllazërore, që dëgjon dhe dialogon; një Kishë që bekon dhe inkurajon, që e ndihmon kë kërkon Zotin, që shkund si duhet indiferentët, që nis rrugë për t'i bërë njerëzit të kuptojnë bukurinë e fesë. Prandaj, një Kishë që ka Hyjin në qendër nuk përçahet nga brenda dhe nuk është kurrë e ashpër nga jashtë. Kishë, që rrezikon bashkë me Jezusin. Kështu e do Jezusi Kishën, Nusen e tij”.

Kisha dhe sfidat kulturore e baritore të sotme

Duke komentuar Ungjillin e sotëm, Papa nënvizoi se Jezu Krishti ka një vështrim mikpritës për të vegjlit, për më të vuajturit e më të përjashtuarit, pasi sheh në ta dritën e Mbretërisë së Zotit, që e shndrit udhën edhe në natën më të errët.

“Ky vështrim mikpritës i Jezusit na fton edhe ne të jemi një Kishë mikpritëse. Jo me dyer të mbyllura. Në një kohë të ndërlikuar si kjo e jona, lindin sfida të reja kulturore dhe baritore, të cilat kërkojnë një qëndrim shpirtëror të përzemërt dhe dashamirës, ​​në mënyrë që të konfrontohemi pa frikë. Në dialogun sinodal, në këtë "marshim të bukur në Shpirtin Shenjt", që ndërmarrim së bashku si Popull i Zotit, ne mund të bashkohemi më shumë dhe të bëhemi më tepër miq me Zotin për t’i parë sfidat e sotme me vështrimin e tij; për t'u bërë, duke përdorur një shprehje të bukur të Shën Palit VI, një Kishë që "kthehet në bisedë"”.

Të ecim në gjurmët e Shën Françeskut

Kisha duhet t’i ketë portat hapur për të gjithë, pa u ngurtësuar në qëndrimet e saj e pa u kthyer në doganë, vërejti Ati i Shenjtë. Ajo nuk duhet të armatoset kundër botës e të shohë vetëm të kaluarën, që nganjëherë, idealizohet tepër, por as nuk duhet të dorëzohet para rrymave të modës në këtë botë. Jezu Krishti, theksoi Papa, troket në derë e pret që ajo të hapet. Shembulli për t’u ndjekur, sipas Atit të Shenjtë, është ai i Varfanjakut të Asizit, Shën Françeskut, të cilit i ka marrë edhe emrin si Papë. Ai nuk hezitoi kur para kryqit, dëgjoi Zotin, që i kërkonte “ta riparonte Kishën e tij”.

“Sinodi shërben për të na e kujtuar këtë: Kisha jonë Nënë ka gjithmonë nevojë për pastrim, për t'u "riparuar", sepse ne jemi të gjithë një Popull mëkatarësh të falur, të dyja gjërat: mëkatarë të falur, gjithmonë me nevojën për t'u kthyer tek burimi, që është Jezusi dhe për të rimarrë shtigjet e Shpirtit Shenjt që të arrijmë tek të gjithë, me Ungjillin e tij”.

Sinodi, vend hiri dhe bashkimi

Françesku kërkon të imitohet Shën Françesku i Asizit, i cili "në një kohë betejash dhe përçarjesh të mëdha, ndërmjet pushtetit tokësor e atij fetar, ndërmjet Kishës institucionale dhe rrymave heretike, ndërmjet të krishterëve dhe besimtarëve të tjerë, nuk kritikoi dhe nuk sulmoi askënd”, por përdori “vetëm armët e Ungjillit: pra, përvujtërinë dhe unitetin, lutjen dhe bamirësinë”.

“E, nëse populli i shenjtë i Zotit bashkë me barinjtë e tij, nga çdo anë e botës, ka pritshmëri, shpresa, madje edhe frikë për Sinodin që po fillojmë, të kujtojmë përsëri se ai nuk është ndonjë tubim politik, nuk është parlament, por është mbledhje në Shpirtin Shenjt; jo parlament i polarizuar, por vend hiri dhe bashkimi”.

Pikërisht Shpirti Shenjt, që “shpesh shkon përtej pritshmërive për të krijuar diçka të re, që tejkalon parashikimet dhe negativitetet tona”, është protagonisti i asamblesë sinodale, sqaroi së fundi Papa. “Le t’ia hapim zemrën Atij dhe t’i lutemi”, duke ecur me Të “me besim e gëzim”.

04 tetor 2023, 10:50