Kërko

Shën Toma i Akuinit Shën Toma i Akuinit

Papa: Shën Toma i Akuinit, njeri i Kishës me urti të madhe shpirtërore e njerëzore

Françesku emëron kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, si të dërguar të posaçëm për kremtimin e 700-vjetorit të kanonizimit të “Doctor Angelicus”, më 18 korrik në Abacinë e Fossanova-s, në Itali

R.SH. – Vatikan

"Njeri i Kishës", meshtar dhe dijetar, që e ndau me të tjerët "urtinë e tij të pamasë shpirtërore dhe njerëzore", përmes lutjeve dhe shkrimeve. Papa Françesku kujton figurën e Shën Tomës së Akuinit në letrën, shkruar në latinisht, me të cilën emëron kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, si të dërguarin e tij të posaçëm për kremtimin e 700-vjetorit të kanonizimit të shenjtit, më 18 korrik, në Abacinë e Fossanova-s, në provincën e Latinës, jo larg Romës.

“Kurrë me mburrje për dijen e tij, por gjithmonë i mbushur me dashuri”, frati domenikan, të cilin bashkëkohësit e quanin “Doctor Angelicus”, ishte “plot me një kulturë të mrekullueshme”, nënvizon Papa në letrën, që mban datën 30 qershor, por u bë e njohur sot. “Shkroi shumë vepra dhe u mësoi të tjerëve gjëra të panumërta; ishte tejet i kualifikuar në disiplinat filozofike dhe teologjike. Shkëlqeu me inteligjencën dhe kthjelltësinë e duhur dhe, ndërsa i shqyrtonte me nderim e arsye misteret hyjnore, i kundronte me fe të zjarrtë”.

Trevjeçari tomist

Ashtu si edhe në letrën drejtuar ipeshkvijve të Latinës, Sorës dhe Frozinones, botuar më 28 qershor, Papa Françesku përmend trevjeçarin tomist, gjatë të cilit do të kujtohet, përveç 700-vjetorit të kanonizimit, edhe 750-vjetori i vdekjes së Shën Tomës së Akuinit, që bie më 2025. “Me kënaqësi e gëzim të madh shpirtëror, kemi pranuar projektet e ndryshme të Kishës për të nderuar denjësisht zellin e Doktorit më të shquar të shenjtërisë, si edhe studimin e doktrinës së tij kishtare”, shkruan Papa, duke shtuar se, sipas kërkesës së ipeshkvijve të zonave ku ka vepruar shenjti, ka caktuar një kardinal për të kryesuar kremtimet e korrikut në nder të Shën Tomës.

Kremtimi

Për këtë arsye, kardinali Marcelo Semeraro, si i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë, do të kryesojë meshën solemne në abacinë e Fossanova-s, vendi ku shenjtori "fjeti në Zotin", siç e përshkruan Françesku vdekjen e tij në letër. “Të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje – vijon Papa – do të inkurajohen ta dëshmojnë dashurinë e tyre të veçantë për Krishtin dhe Ungjillin e tij, me forcë të përtërirë dhe zell të ri përmes lutjes", si edhe përmes inkulturimit të fesë në jetën e përditshme.

Ngjarje të tjera

Përveç kremtimeve të 18 korrikut, do të ketë edhe ngjarje të tjera në nder të shën Tomës së Akuinit. Sot pasdite, për shembull, mbahet një takim reflektimi në Latina, ndërsa një çast lutjeje është caktuar për në Abacinë e Fossanova-s, pasditen e së premtes, 14 korrik. E në datën 18 korrik, siç e thamë, në orën 18.30, kremtimi solemn me kardinalin Semeraro.

11 korrik 2023, 15:07