Kërko

Françesku nis kremtimet trevjecare për nder të Shën Tomës së Akuinit

Tre përvjetorë njëri pas tjetrit, do të na krijojnë mundësinë të reflektojmë më tej për figurën e Doctor Angelicus, Shën Tomës së Akuinit. Më 18 korrik 2023 do të mbushen 700 vjet nga shenjtërimi i Doktor Angelicus, 2024-ta do të shënojë 750-vjetorin e vdekjes së tij, ndërsa 2025, 800 vjetorin e lindjes.

R.SH. / Vatikan

Tre përvjetorë, tri vjet për të festuar Shën Tomën e Akuinit: më 18 korrik 2023 do të mbushen 700 vjet nga shenjtërimi i Doktor Angelicus: 2024-ta do të shënojë 750-vjetorin e vdekjes së tij, ndërsa 2025, 800 vjetorin e lindjes. Një rast sa unik, aq edhe i rrallë për tri dioqezat që lidhen me Shën Tomën: dioqeza e Sora-Cassino-Aquino-Pontecorvo, ku lindi dhe ku hodhi hapat e para; dioqeza e Latinës, ku ndodhet abacia e Fossanova, e  vendi ku i mbylli sytë për dritën e kësaj toke dhe dioqeza e Frosinones, ku Toma kaloi ca kohë në Monte San Giovanni Campano, në kështjellën e familjes së tij.

Ishte një rast i volitshëm për Papës Françesku t'u dërgonte një letër tre ipeshkvijve të dioqezave, për të nisur këto tre vjet festimesh dhe reflektimesh. Letra iu dërgua personalisht secilit e, më pas u bë e njohur nga mediat e Vatikanit. Por ndërkohë, ipeshkvijtë tashmë ua kishin dhënë lajmin besimtarëve, që nisen të përgatisin çastet e para të festës: më 18 korrik, Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, do të jetë në Fossanova, si përfaqësues i Papës, për të kremtuar një meshë në kujtim të shenjtërimit të Shën Tomës. Pas kësaj, më 14 korrik, do të organizohet një shtegtim në kishën mesjetare të Shën Tomës, në Roccasecca, kisha e parë në botë që u ndërtua dhe iu kushtua Doktor Angelicus - Doktorit Engjëllor.

Prandaj, letra e Papës iu dërgua ipeshkvijve Gerardo Antonazzo të Sora-Cassino-Aquino-Pontecorvo; Mariano Crociata të Latina-Terracina-Sezze-Priverno; Ambrogio Spreafico të Frosinone-Veroli-Ferentino dhe Anagni-Alatri-t.

Në letrën e tij Papa Françesku nënvizon se Doctor Communis (një tjetër nga emërtimet e Tomës) është "gurrë" për Kishën e sotme dhe të nesërme,  duke i bërë kështu jehonë kërkesës së tij në Kongresin Ndërkombëtar Tomist të vitit të kaluar për të shkuar dhe për t’i rizbuluar rrënjët e Tomës Akuinas.

Shkruan Papa Françesku: “I shoqëruar nga vetëdija e vazhdueshme se të vërtetat e fesë, duke nisur nga Trinia e Zotit dhe nga natyra hyjnore e njerëzore e Krishtit, nuk 'pranohen' vetëm nga intelekti, por vërtetojnë edhe ekzistencën e përditshme dhe realitetin konkret të çdo besimtari në kishë dhe në shoqëri, Toma, si domenikan i mirë, iu kushtua bujarisht ungjillizimit duke e shkrirë pa kursim vetveten përmes lutjes, studimit serioz dhe apasionant, prodhimit mbresëlënës teologjik dhe kulturor, predikimit, përgjigjes së kërkesave që i drejtoheshin Urdhërit të tij nga Autoritetet Kishtare dhe ato civile, nga të njohurit dhe miqtë e tij”.

Duke kujtuar se Pali VI e quajti Tomën "Pishtar i Kishës dhe i mbarë botës", Papa nënvizon se ta nderosh Shën Tomën në thellësi si një "burim gjithmonë i gjallë" do të thotë "përqendrim në studimin e veprës së  Shenjtit, në historinë e saj dhe rrethanat kulturore e, në të njëjtën kohë,   vlerësim për t'iu përgjigjur sfidave të sotme kulturore”.

Ipeshkvijve, Papa Françesku u beson dy detyra: “ndërtimin durimtar dhe sinodal të bashkësisë” dhe “njohjen e plotë të së vërtetës”. Lidhur me të parën, Papa kujton se “sinodalitet i vërtetë do të thotë të rritemi së bashku në Krishtin, si gjymtyrë e gjalla dhe aktive të korpit kishtar, të bashkuar ngushtë dhe të lidhur me njëri-tjetrin. Të jemi një Kishë, përmasa komunitare e së cilës ushqehet dhe manifestohet në jetën sakramendore dhe në liturgji, në përshpirtëri, në diakoninë kulturore e intelektuale, në dëshmi të besueshme, në bamirësi dhe në vëmendjen ndaj më të varfërve dhe më të pambrojturve”. E, më pas, ecja mbi gjurmët e së vërtetës, në vazhdën e Tomës, i cili - siç shkroi Gjon Pali II - "e donte të vërtetën pa interes". Megjithatë, sipas Papës Françesku, duhet nënvizuar se "trashëgimia e shkëlqyer" e Shën Tomës është "mbi të gjitha shenjtëria”…Pra, “le të shkojmë në shkollën e tij!".

Më 14 korrik, në Roccasecca, ipeshkvi Gerardo Antonazzo u autorizua të japë bekimin papnor për të gjithë të pranishmit. Më pas, deri më 18 korrik 2024, gjatë Vitit Jubilar të Shën Tomës, do të jetë e mundur të fitohet edhe ndjesa e plotë!

08 korrik 2023, 10:45