Kërko

Protestë në Pakistan për djegien e Kuranit në Stokholm Protestë në Pakistan për djegien e Kuranit në Stokholm  (ANSA)

Papa: më indinjon djegia e Kuranit në Suedi

Intervistë e Françeskut me gazetën e Emirateve Al-Ittihad: rëndësia e dokumentit kushtuar Vëllazërisë njerëzore dhe angazhimi i të rriturve për të mos i lënë të rinjtë pré e joshjeve dhe e ndeshjeve ndërmjet qytetërimeve.

R. SH. - Vatikan

“Më indinjojnë e më neverisin këto veprime”. Kështu e komentoi Papa Françesku djegien e kopjeve të Kuranit në Suedi, ditët e fundit. "Çdo libër që konsiderohet i shenjtë nga autorët, duhet respektuar, për respekt të besimtarëve të tij, e liria e shprehjes nuk duhet të përdoret kurrë si justifikim për t’i përbuzur të tjerët dhe për të lejuar që të refuzohen dhe të dënohen". Në dialog me Hamad Al-Kaabi, drejtor i gazetës së Emirateve të Bashkuara Arabe Al-Ittihad, Françesku foli për gjendjen e tij shëndetësore pas operacionit të fundit në bark: “Ishte i vështirë, por tani jam më mirë, falë Zotit dhe angazhimit e profesionalizmit të mjekëve dhe të stafit të infermierëve, të cilët i falënderoj shumë dhe lutem për ta, për familjet e tyre dhe për të gjithë njerëzit, që më shkruan e u lutën për mua këto ditë”.

Papa, duke kujtuar vizitën e tij në Abu Dhabi, në vitin 2019, vlerëson lart angazhimin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Shehut Mohamed bin Zayed për rrugën e nisur në shërbim të vëllazërisë, paqes dhe tolerancës dhe kërkon që të rriturit të mos i lënë të rinjtë të  bëhen pré e mirazheve dhe përplasjeve të qytetërimeve:

Sipas mendimit tim, mënyra e vetme për t'i mbrojtur të rinjtë nga mesazhet negative, lajmet e rreme e të shpikura dhe nga tundimet e materializmit, urrejtjes dhe paragjykimeve, është të mos i lëmë të vetëm në këtë betejë, por t’u japim mjetet e nevojshme, që janë liria, aftësia për të dalluar dhe përgjegjësia. E çka e dallon njeriun, është pikërisht liria! Zoti na krijoi të lirë e na la të lirë edhe për ta refuzuar! Liria e mendimit dhe e shprehjes janë themelore për t'i ndihmuar të rriten dhe të mësojnë”. “Nuk duhet të biem kurrë në përvojën e trajtimit të të rinjve si fëmijë të paaftë për të zgjedhur dhe për të marrë vendime - vazhdon Papa - ata janë e tashmja e pranishme dhe të investosh ndër ta do të thotë të garantosh vazhdimësinë”, duke ndjekur gjithmonë rregullin e artë për t’u bërë të tjerëve, çka do të dëshiroje të ta bënin ty.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, Papa pohon se ua jep gjithmonë delegacioneve që pret në Vatikan, “mbasi beson se është tekst i rëndësishëm jo vetëm për dialogun ndërmjet feve, por edhe për bashkëjetesën paqësore ndërmjet gjithë njerëzve. Do të kemi qytetërimin e vëllazërisë, ose të armiqësisë; do ta ndërtojmë të ardhmen bashkë, ose nuk do të ketë të ardhme!”. Françesku pohon se është i kënaqur për pranimin e mesazhit dhe objektivave të dokumentit nga bashkësia globale:

“Vëllazëria njerëzore është ilaçi, që i duhet botës, për të shpëtuar nga helmi i këtyre plagëve. E ardhmja e bashkëpunimit ndërfetar bazohet mbi parimin e reciprocitetit, të respektit për tjetrin,  të së vërtetës”.

“Detyra jonë - shton Françesku - është ta shndërrojmë ndjenjën fetare në bashkëpunim, në vëllazëri, në vepra konkrete të së mirës. Sot kemi nevojë për ndërtues paqeje, jo për prodhues armësh; na duhen ndërtues të paqes, jo nxitës të luftës; na duhen zjarrfikës, jo zjarrvënës; kemi nevojë për avokatë pajtimi, jo njerëz që na kërcënojnë me shkatërrim”.

Duke folur për angazhimet konkrete në këtë drejtim e duke inkurajuar nismat bamirëse të nisura pas publikimit të dokumentit, Papa theksoi edhe se….:

 “Është e lehtë të flitet për vëllazëri, por masa e vërtetë e vëllazërisë është ajo që bëjmë konkretisht për të ndihmuar, për të mbështetur, për të shpëtuar, për të ushqyer dhe për të mirëpritur vëllezërit dhe motrat tona.   Çdo e mirë për nga natyra e saj duhet t'u përkasë të gjithëve, pa dallim. Nëse u bëj mirë vetëm atyre që mendojnë apo besojnë si unë, atëherë e mira ime është hipokrizia, sepse e mira nuk njeh dallime as përjashtime”.

Lidhur me rritjen e kërcënimeve terroriste, Françesku u përgjigj me fjalët e dokumentit, duke dënuar "të gjitha praktikat kërcënuese për jetën si gjenocidi, aktet terroriste, zhvendosja e detyruar, trafikimi i organeve njerëzore, aborti dhe eutanazia si dhe politikat që i mbështesin të gjitha këto praktika ogurzeza!

Së fundi, Papa shprehu vlerësimin e tij për Shtëpinë e Abrahamit në Abu Dhabi, hapësirë që përfshin një kishë kushtuar Shën Françeskut, një xhami dhe një sinagogë, krijuar për të zbatuar parimin e vëllazërisë njerëzore.

E, lidhur me emergjencën klimatike dhe ambientale, pohoi:

“E vetmja mënyrë e frytshme për t’i bërë ballë kësaj krize, është të gjesh zgjidhje të mirëfillta për problemet reale të krizës ekologjike.Çka duhet të bëjmë, është t'i kthejmë fjalët në vepra, para se të jetë tepër vonë”.

03 korrik 2023, 11:18