Kërko

Stokholmi Stokholmi

Suedi, Këshilli i Krishterë Suedez dënon djegien e Kuranit në Stokholm

Organizmi suedez dënon ngjarjen e 28 qershorit para xhamisë dhe shpreh solidaritetin me myslimanët. “Është dhunim i qëllimshëm i fesë dhe i identitetit mysliman; është sulm kundër besimtarëve”

R.SH. – Vatikan

         Një 37-vjeçar përdhosi dhe i vuri zjarrin Kuranit përpara Xhamisë së Madhe, më 28 qershor, në Stokholm të Suedisë, në fillim të festës triditore myslimane të Kurban Bajramit, në kujtim të sakrificës së Abrahamit. Gjesti shkaktoi reagime të fuqishme në mbarë botën dhe në Bagdad, u sulmua ambasada suedeze. Salwan Sabahmetti Momika, nënshtetas suedez, por i lindur në Irak, afër Mosulit, akuzohet për urrejtje etnike dhe racore. Për gazetën suedeze të mbrëmjes “Expressen”, ai deklaroi se nuk është fjala për krimin e urrejtjes apo për nxitje kundër një grupi të caktuar njerëzish, por kundër një libri për të cilin thotë se fton për dhunë e vrasje.

Dhunim i qëllimshëm i fesë myslimane

Menjëherë pas incidentit, kryesia e Këshillit të Krishterë Suedez publikoi një notë, duke dënuar aktin. "Si Kisha të krishtera - pohohet në tekst - ne mbrojmë të drejtën e çdo personi për të praktikuar besimin e tij pavarësisht nga feja. Djegia e Kuranit është dhunim i qëllimshëm i fesë dhe identitetit mysliman - vazhdon deklarata - por e shohim edhe si sulm kundër gjithë besimtarëve. Prandaj, duam t’u shprehim solidaritet besimtarëve myslimanë në vendin tonë”.

Kryesia e Këshillit të krishterë Suedez përbëhet nga kardinali Anders Arborelius, ipeshkëv i dioqezës së Stokholmit; Martin Modéus, kryeipeshkëv i Kishës së Suedisë (Luterane); Lasse Svensson, udhëheqës i Equmeniakyrkan (Lëvizje luterane); Benjamin Dioscoros Atas, kryepeshkop i Kishës Ortodokse Siriane; si edhe Sofia Camnerin, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Krishterë të Suedisë.

Kryeministri suedez: duhet të reflektojmë

Edhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, e dënoi aktin në një konferencë për shtyp. “Mendoj se në Suedi duhet të refletojmë mirë. Politikisht, jemi në një situatë të rëndë për sigurinë dhe nuk ka asnjë arsye për të fyer njerëzit e tjerë”.

Demonstratat kundër Kuranit në Suedi vijojnë që nga viti 2020. Në janar të këtij viti, djegia e tekstit të shenjtë të Islamit para ambasadës turke shkaktoi reagime të fuqishme ndërkombëtare. Edhe për këtë arsye, në prag të anëtarësimit në NATO, Suedia u bllokua nga Turqia. Autorizimi për demonstratën e fundit u dha pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, sipas të cilit policia nuk mund t’i mohojë tubimet, edhe kur ka rrezik atentati.

03 korrik 2023, 13:33