Kërko

Konferenca e shtypit në Gemelli Konferenca e shtypit në Gemelli

Papa Françesku: përfundoi pa ndërlikime operacioni në Gemelli, që zgjati 3 orë

Në orët e para të pasdites Papa iu nënshtrua laparotomisë dhe operacionit plastik të murit të barkut, me protezë. Zëdhënësi vatikanas, Bruni, sqaron se shtrimi, i treti në strukturën shëndetësore, do të zgjasë disa ditë. Mjekët, optimistë, në konferencën për shtyp të mbrëmjes

R.SH. – Vatikan

“Laparotomia dhe operacioni plastik i murit të barkut, me protezë”, të cilit Papa Françesku iu nënshtrua pasditen e sotme, 7 qershor, në Poliklinikën Gemelli të Romës, përfundoi “pa ndërlikime” dhe zgjati “tre orë”. Njoftimi u dha nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili komunikoi të rejat nga operacioni i Jorge Mario Bergoglio-s. Lajm i konfirmuar edhe nga mjekët e spitalit, në konferencën për shtyp të mbrëmjes.

“Pasi ta marrë veten nga ndërhyrja, Papa Françesku mund të vazhdojë të bëjë ç’ka planifikuar. E vetmja gjë që i rekomandova është të mos sforcohet dhe të mos mbajë pesha. Ai më pa si për të më thënë 'Unë jam Papa, si e mendon ti se mbaj pesha?'” Kështu deklaroi doktori, Sergio Alfieri, kirurgu i spitali Gemelli, që operoi Atin e Shenjtë, sipas të cilit nuk do të ketë asnjë kufizim. Papa bëri edhe shaka, duke pyetur se kur do të bëjë ndërhyrjen e tretë.

Që sot paradite, Bruni lajmëroi se “operacioni i organizuar ditët e fundit nga ekipi mjekësor, që asiston Atin e Shenjtë, ishte i domosdoshëm, për shkak të një hernie krijuar mbi plagën e një operacioni të mëparshëm, që shkakton sindroma subokluzive të përsëritura, të dhimbshme dhe rënduese për gjendjen. Qëndrimi në strukturën shëndetësore do të zgjasë disa ditë për të mundësuar ecurinë normale pas operacionit dhe shërimin e plotë”.

Atit të Shenjtë po i vijnë mesazhe dhe urime për shërim të shpejtë nga të gjitha anët e botës.

07 qershor 2023, 19:27