Kërko

 Policlinico Universitario Agostino Gemelli a Roma Policlinico Universitario Agostino Gemelli a Roma

Papa Françesku, ndërhyrje e re kirurgjikale në spitalin Gemelli

Ati i Shenjtë do të bëjë sot pasdite një “laparotomi dhe një ndërhyrje plastike në murin abdominal, me protezë”. Papa u shtrua në spital menjëherë pas audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit. Qëndrimi në strukturën shëndetësore do të zgjasë disa ditë për të mundësuar ecurinë normale pas operacionit dhe shërimin e plotë

R.SH. – Vatikan

Operacion i ri për Papën Françesku në Poliklinikën Gemelli të Romës. Ati i Shenjtë, siç thuhet në deklaratën e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, do të bëjë sot pasdite një “laparotomi dhe një ndërhyrje plastike në murin abdominal, me protezë”. Papa u shtrua në spital menjëherë pas audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.

 “Operacioni – thuhet në notë – organizuar ditët e fundit nga ekipi mjekësor, që asiston Atin e Shenjtë, është i domosdoshëm, për shkak të një hernie krijuar mbi plagën e një operacioni të mëparshëm, që po shkakton sindroma subokluzive të përsëritura, të dhimbshme dhe rënduese për gjendjen. Qëndrimi në strukturën shëndetësore do të zgjasë disa ditë për të mundësuar ecurinë normale pas operacionit dhe shërimin e plotë”.

Lutja për Shën Terezën e Krishtit Fëmijë: "T'ia ofrojmë sprovat Jezusit"

Papa mbërriti në Gemelli pak para orës 11.30, i përshëndetur nga gazetarët dhe njerëz të ndryshëm. Pas dy audiencave private të mëngjesit në Pallatin Apostolik, Françesku kryesoi edhe audiencën e përgjithshme, duke u ndalur si zakonisht për të përshëndetur besimtarët dhe të sapomartuarit. Në fillim të saj, nderoi reliket e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, në 150-vjetorin e lindjes së shenjtes, për të cilën ka shumë devocion. Françesku vendosi një trëndafil të bardhë para relikes dhe i kushtoi një postim në Twitter, duke u kërkuar gjithë besimtarëve katolikë t’i luten "shenjtores pajtore të misioneve, për hirin që ta duan Jezusin ashtu siç e donte ajo, duke i ofruar sprovat dhe dhimbjet, ashtu siç bëri ajo, në mënyrë që [Biri i Zotit] të njihet dhe të duhet nga të gjithë”.

Kontrollet e djeshme në Gemelli

Që dje, Françesku bëri disa kontrolle në Gemelli - i ashtuquajturi "Vatikan III" sipas Gjon Palit II - pasi shkoi në FAS (Fondi i Asistencës Shëndetësore), institucioni që siguron ndihmë shëndetësore për personelin e Vatikanit. Aty bëri vizitën dhe më pas, u shoqërua në Poliklinikën universitare për kontrolle të mëtejshme. Siç u njoftua po dje nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa u kthye në Shtëpinë e Shën Martës para mesditës.

Shtrimi i tretë në Gemelli për Papën Françesku

Kjo është hera e tretë në Gemelli për Papën Françesku, i cili u shtrua më 29 mars për një bronkit infektiv, që i shkaktoi probleme me frymëmarrjen. Doli nga spitali më 1 prill. Në konferencën për shtyp, gjatë kthimit me avion nga Hungaria, gazetarëve që e pyetën për gjendjen shëndetësore, Jorge Mario Bergoglio iu përgjigj: “E ndjeva veten shumë keq në fund të audiencës të së mërkurës, nuk më hahej për drekë, u shtriva pak, nuk më ra të fikët, por kisha ethe, temperaturë të lartë, prandaj, në orën tre pasdite mjeku më çoi menjëherë në spital: bronkopolmonit akut, në pjesën e poshtme të mushkërive. Falë Zotit mund ta tregoj. Organizmi, trupi, iu përgjigj mirë trajtimit. Faleminderit Zotit". Në një intervistë tjetër, me Telemundo, Papa shpjegoi se shtrimi në spital erdhi “vërtet i papritur. Por e kapëm problemin me kohë, më thanë, po të kishim pritur edhe disa orë do të ishte më serioze. Për katër ditë dola nga spitali”.

Më i ndërlikuar, operacioni kirurgjikal, të cilit Papa iu nënshtrua më 4 korrik 2021, për një stenozë divertikulare. Operacioni u krye në anestezi të plotë, në moshën 84 vjeçare, prandaj, i shkaktoi disa shqetësime. Vitet e fundit, Ati i Shenjtë ka pasur probleme në gju, që po i trajton me terapi të ndryshme, të cilat e kanë lejuar të ecë përsëri, megjithëse me shkop e për distanca të shkurtra. Gjithsesi, për distanca të gjata, Papa përdor karrigen me rrota.

Humori i mirë

Tani, një ndërhyrje e re, të cilën sigurisht do ta përballojë me lutje e me humorin e tij të zakonshëm, “që bën gjithmonë mirë”, siç thotë vetë shpesh, duke përsëritur fjalët e Shën Tomas Morit. I njëjti humor i mirë, që karakterizon çdo përgjigje të tij, ashtu si herën e fundit, që e pyetën “Si jeni?”. "Ende gjallë!" – përgjigjja e Papës.

07 qershor 2023, 11:43