Kërko

Françesku: para mjeteve, Kishës i duhen zemrat që tërhiqen nga Zoti

Papa: Shën Tereza e Krishtit Fëmijë është pajtore qiellore e misioneve, ndonëse nuk qe kurrë në mision. E si mund të shpjegohet kjo? Ishte shëndetligë, aq sa u nda shpejt nga kjo jetë: vetëm 24-vjeçare, por zemra i mbeti ndërmjet misionarëve. Në ‘ditarin’ e saj shkruan se çka dëshironte më shumë, ishte të nisej për  mision,  e jo vetëm për disa vite, por për gjithë jetën. Ishte ‘motra shpirtërore’ e disa misionarëve: i shoqëronte, nga kuvendi, me letrat e saj, me lutje, me flijime të vazhdueshme

R.SH. / Vatikan

Sot, në qendër të katekizmit të audiencës së përgjithshme të Papës, mbajtur paradite në Vatikan, ishte Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, Doktore e Kishës, dëshmitare e zellit apostolik. Me këtë rast në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, qe vendosur urna me reliket e Shenjtores, shpallur "Pajtore e misioneve", së cilës Ati i Shenjtë Françesku kujtoi se dëshiron t’i kushtojë një Letër Apostolike

Që nga 6 qershori, në Kishën rektoriale romake të Shëna Ndout Abat në Esquilino, janë vendosur reliket e Shën Terezës së Lisieux dhe prindërve të saj. Kremtimet e shumta do të vijojnë deri më 16 qershor, por sot, me rastin e audiencës së përgjithshme, reliket e murgeshës karmelitane u vendosën në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Duke i soditur me devocion të thellë, Papa pohoi: “Është e mrekullueshme që kjo po ndodh ndërsa është në qendër të vëmendjes pasioni për ungjillëzimin, zelli apostolik”. Më pas Ati i Shenjtë Françesku kujtoi se dëshmia e Shën Terezës do të ishte në qendër të katekizmit të sotëm dhe se e ka ndër mend t'i kushtojë një Letër Apostolike,  me rastin e 150-vjetorit të lindjes së saj, që nisi të kremtohet këtë vit.

Tereza: "Pajtore e misionarëve", pa lëvizur nga kuvendi

“Është pajtore e misioneve, ndonëse nuk qe kurrë në mision” - vërejti Papa. E si mund të shpjegohet kjo? Ishte shëndetligë, aq sa u nda shpejt nga kjo jetë: vetëm 24-vjeçare, por “zemra i mbeti ndërmjet misionarëve”:

“Në ‘ditarin’ e saj shkruan se çka dëshironte më shumë, ishte të nisej për  mision,  e jo vetëm për disa vite, por për gjithë jetën. Madje ëndërronte të shkonte deri në fund të fundit të botës. E prandaj ishte ‘motra shpirtërore’ e disa misionarëve: i shoqëronte, nga kuvendi, me letrat e saj, me lutje, me flijime të vazhdueshme. Pa u ndjerë e pa u dukur fare, Tereza vijoi të ndërmjetësojë për misionet, si një motor që, i fshehur, i jep automjetit forcën për të ecur përpara”.

Mos kërkoni ngushëllime për vete, "ngushëlloni" Jezusin

Jeta në manastir nuk ishte e lehtë, "por ajo e pranoi çdo gjë me dashuri, me durim, duke ofruar, bashkë me sëmundjen, edhe gjykime e keqkuptime" për të mirën e Kishës dhe mbi të gjitha, për më të largëtit.

Pasi pyeti veten nga i erdhi gëzimi dhe forca e saj misionare, Papa përmendi dy episode nga jeta e Shenjtores, përpara se të hynte në manastir, të cilat  të ndihmojnë për ta kuptuar: i pari, natën e Krishtlindjes 1886, kur Tereza ishte vetëm 14 vjeç. Një ngjarje e padëshiruar në familje e bën të qajë, por pas pak harron gjithçka e rizbulon gëzimin dhe dëshirën për të dashur:

“Çfarë kishte ndodhur? Kishte ndodhur që atë natë, kur Jezusi qe ligështuar nga dashuria, ajo qe bërë e fortë në shpirt: në pak çaste kishte dalë nga burgu i egoizmit dhe i keqardhjes për veten: ndjeu se "i hyri në zemër bamirësia, dëshira për ta harruar vetveten. Që atëherë  ia kushtoi gjithë zellin e saj të tjerëve, që ata të gjenin Zotin;e në vend që të kërkonte ngushëllime për veten, nisi të ‘ngushëllojë Jezusin’, që shpirtrat ta donin ", sepse – vërejti - Jezusi është i sëmurë nga dashuria [.. .] e sëmundja e dashurisë mund të shërohet vetëm me dashuri”.

Forca e ndërmjetësimit

"Ta duash Jezusin" ishte kërkesa kryesore e përditshme e Terezinës, kjo, e   ndërmjetësimi "që edhe të tjerët ta duan atë":

“Do të doja të shpëtoja shpirtrat dhe të harroja vetveten për ta: do të doja t'i shpëtoja edhe pas vdekjes sime. Unë do ta kaloj qiellin tim, duke  bërë mirë mbi tokë” (nga letrat e Shën Terezës)”

Papa Françesku kujton edhe një episod të dytë nga jeta e Shenjtores së Lisieux, kushtuar zellit të saj apostolik e, veçanërisht mëkatarëve: Tereza dëgjon të flitet për një kriminel të dënuar me vdekje. Quhej Enrico Pranzini. E dëgjon edhe se ai nuk pranon ta marrë ngushëllimin e fundit të fesë. Menjëherë nis të të lutet me gjithë shpirt për kthimin e tij, që të tregojë "një shenjë të vogël pendimi dhe t'i lërë vend mëshirës së Zotit".

E Papa vazhdon:

“I dënuari ekzekutohet! Të nesërmen Tereza lexon në gazetë se Pranzini, pak para se të vendoste kokën në litarin e trekëmbshit, i pushtuar nga një frymëzim i papritur, kthehet, rrëmben kryqin, që po ia zgjaste prifti dhe puth tri herë varrët e të Kryqëzuarit. Shenjtorja komenton: ‘Atëherë shpirti i të varurit shkoi për të marrë dënimin e mëshirshëm të Atij që deklaroi se në parajsë do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm, që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, që nuk kanë nevojë për pendim!".

Misionar është ai që jeton, në mënyrë që Jezusi të kalojë nëpër të

Papa Françesku pohoi se forca shtytëse e misionit është pikërisht kjo "fuqi e ndërmjetësimit e vënë në lëvizje nga bamirësia" dhe nënvizon se misionarë "nuk janë vetëm ata që shtegtojnë shumë, shkelin shumë vise të tjera, mësojnë shumë gjuhë të reja". Misionarë janë edhe të gjithë ata që kudo ndodhen, jetojnë "si mjet i dashurisë së Zotit"; misionar është kush "bën gjithçka mundet që Jezusi të kalojë nëpërmjet dëshmisë së tij, lutjes së tij, ndërmjetësimit të tij".  E në përfundim, sinteza e gjithë katekizmit:

“Ky është zell apostolik që, le ta kujtojmë gjithmonë, nuk funksionon kurrë për prozelitizëm - kurrë! - ose për detyrim - kurrë! - por për tërheqje: besimi lind nga tërheqja, nuk bëhesh i krishterë sepse të detyron kush, jo, por sepse prekesh nga dashuria. Kisha, para shumë mjeteve, metodave dhe strukturave, që nganjëherë e largojnë vëmendjen nga themelorja, ka nevojë për zemra si ajo e Terezës, zemra që të na afrojnë me Zotin. E ne i kërkojmë Shenjtores - reliket e së cilës i kemi këtu - hirin ta kapërcejmë egoizmin tonë dhe të kërkojmë pasionin për të ndërmjetësuar, për të ndërmjetësuar që kjo tërheqje të jetë më e madhe ndër njerëzit e që Jezusi të njihet dhe të duhet”.

07 qershor 2023, 11:39

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >