Kërko

2023.05.10 Udienza Generale, Papa Francesco e Tawadros insieme in piazza San Pietro all'udienza generale 2023.05.10 Udienza Generale, Papa Francesco e Tawadros insieme in piazza San Pietro all'udienza generale

Papa dhe përqafimi me Tawadros: vizita e tij na ndihmoftë të bashkohemi

Françesku dhe patriarku kopto-ortodoks i Aleksandrisë së bashku në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme, dhjetë vjet pas takimit të tyre të parë të vitit 2013 dhe atij të vitit 1973 të Palit VI me Shenouda-n III: "Kjo vizitë na afron më shpejt me ditën, kur do të jemi një gjë e vetme". Një mendim për 21 të krishterët koptë të vrarë në Libi në 2015: "Martirët koptë janë martirët tanë"

R.SH. / Vatikan

“Le të na sjellë kjo vizitë më shpejt në ditën e bekuar kur do të jemi një në Krishtin!".

Para së gjithash përqafimi, më pas puthja e medaljonit, shkëmbimi i disa fjalëve me ndihmën e një përkthyesi, së fundi, ecja krah për krah drejt podiumit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për të bekuar së bashku turmën e besimtarëve mbledhur në audiencën e përgjithshme, mbajtur nën një shi të lehtë.

Pas dhjetë vjetësh - e disa muajve - që kur Jorge Mario Bergoglio u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit - Papa Françesku dhe Tawadros II takohen sërish. Dhjetë vjet nga përshëndetja e parë e Ipeshkvit të Romës dhe Patriarkut kopto-ortodoks të Aleksandrisë, pesëdhjetë nga takimi historik i 10 majit i paraardhësve të tyre, Palit VI dhe Shenoudas III (1973), që "arriti kulmin me nënshkrimin e një deklarate të paharrueshme të përbashkët kristologjike,”. Përvjetor i dyfishtë, që festohet me vizitën e patriarkut në Romë deri të dielën më 14.

“I dashur mik dhe vëlla”- tha Papa Françesku - i cili nuk e mbajti katekizmin e audiencës së përgjithshme - në urimin e tij, që pasoi atë të Tawadros në arabisht. “Ju falënderoj që pranuat ftesën time në këtë përvjetor të dyfishtë dhe lutem që drita e Shpirtit Shenjt ta ndriçojë vizitën tuaj në Romë, takimet e rëndësishme që do të keni këtu dhe veçanërisht bisedat tona personale”.

Papa dhe Tawadros II
Papa dhe Tawadros II

Premtim për miqësi

Papa e falënderoi ngrohtësisht patriarkun për "angazhimin e miqësisë në rritje ndërmjet Kishës Ortodokse Kopte dhe Kishës Katolike". Më pas kujtoi takimin e tyre të parë në vitin 2013, "disa muaj pas zgjedhjes së të dyve"; atëherë Tawadros pati propozuar të kremtohej çdo 10 maj "Dita e Miqësisë Kopto-Katolike". “Që nga ajo kohë - kujtoi - ne e festojmë çdo vit. I telefonojmë njëri-tjetrit, përshëndetemi dhe mbetemi vëllezër të mirë, pa u grindur kurrë” - kujtoi Papa, duke u shkëputur nga teksti i shkruar.

Një lidhje e vetme, e shenjtë

Më pas iu drejtua ipeshkvijve, besimtarëve, delegacionit kopto-ortodoks dhe u kërkoi të gjithëve të bashkohen në lutjen drejtuar Zotit të Gjithëpushtetshëm, “me ndërmjetësimin e Shenjtorëve dhe të Martirëve të Kishës Kopte, për të na ndihmuar të rritemi në bashkësi, në një lidhje të shenjtë dhe të vetme të fesë, shpresës dhe dashurisë së krishterë”.

U kërkoj gjithë të pranishmëve - shtoi Papa - t'i luten Zotit ta bekojë vizitën e Papës Tawadros në Romë dhe ta mbrojë të gjithë Kishën ortodokse kopte.

Besimtarët në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit
Besimtarët në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit

Dëshmimi i fortë i fesë të 21 koptëve ortodoksë, pesë vjet pas martirizimit

Së fundi, një mendim për "martirët në plazhin libik, të  martirizuar disa vite më parë". Papa kujtoi, kështu, 21 të krishterët, që u masakruan dhe iu pre koka nga xhihadistët e Shtetit Islamik, në vitin 2015, në një plazh të Libisë. U shuan - vijoi - duke pëshpëritur emrin e Krishtit. E nuk ishte hera e parë që i kujtonte!

Martirët e Kishës Kopte janë tanët...

Përshëndetja e Tawadros

Nga ana e tij, Tawadros, duke i sjellë Papës përshëndetjet e anëtarëve të Sinodit të Shenjtë dhe të të gjitha organeve të Kishës Kopto-Ortodokse, i shprehu vlerësimin e tij për "gjithçka bëri në këtë periudhë shërbimi për të gjithë botën, në të gjitha fushat, dhe u lut që Krishti ta mbajë me shëndet dhe t'i japë bekimin e një jetë të gjatë".

Patriarku kujtoi me mirënjohje edhe përqafimin e dhjetë viteve më parë si dhe "dashurinë" e mikpritjen e Papës: "Kaluam së bashku me ju një kohë të shenjtë e plot me dashuri vëllazërore”.  E kjo dashuri u bë “moto” e kremtuar çdo vit në “Ditën e dashurisë vëllazërore”. “Ndihemi në telefon, çdo vit për ta përtërirë dhe është një ditë që mishëron shpirtin e krishterë dhe dashurinë që na bashkon në shërbimin të Zotit si dhe të vëllezërve dhe motrave tona në fe” - komentoi Tawadros - “Zgjodhëm dashurinë, edhe pse shkojmë kundër rrjedhës së botës lakmitare dhe egoiste; pranuam sfidën e dashurisë, që na kërkon Krishti e do të jemi të krishterë të vërtetë, që bota të bëhet më njerëzore, mbasi mbarë bota do ta dijë se Zoti është dashuri dhe se ky është emri i tij më i lartë".

Përshëndetja e Patriarkut
Përshëndetja e Patriarkut

Të ecim së bashku

Primati i Kishës kopte-ortodokse kujtoi gjithashtu vizitën "e çmuar" të Papës në Egjipt, në vitin 2017, e cila - kujtoi - "ishte bekim i madh" për të gjithë vendin. “Të ecim së bashku në rrugën e jetës” - shtoi - "Megjithë dallimet e rrënjëve dhe të përkatësive tona, jemi të bashkuar nga dashuria e Krishtit, që banon në ne dhe aradhet e etërve, apostujve dhe shenjtorëve tanë, që na rrethojnë dhe na prijnë".

Prej këndej, lutja përfundimtare:

"Ju kërkoj të gjithëve ta mbani këtë premtim, ta kapërceni të keqen e botës, me të gjitha ligështitë e saj, siç na mësuan etërit tanë, të jemi në lartësinë e përgjegjësisë që kemi, të jetojmë si parfumi i ëmbël i Krishtit në këtë botë e të mblidhemi së bashku për paqen e Tij”.

Lutja për Ukrainën e "martirizuar".

Pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme - duke përfshirë edhe atë për besimtarët italianë, të cilët i nxiti t'i luteshin Virgjëreshës Mari "në muajin që i kushtohet", duke ia besuar "Ukrainën e martirizuar" - Papa Françesku kërkoi:

"Tani të gjithë së bashku, me Patriarkun Tawadros, t'i lutemi Atit tonë dhe pastaj patriarku dhe unë do të japim bekimin".

Patriarku e shoqëroi Françeskun pas palkut, ku të dy delegacionet u fotografuan në grup

Nesër, 11 maj, Tawadros II do të ketë një takim privat me Françeskun dhe një çast lutjeje të përbashkët. Më pas do të shkojë në Dikasterin për Promovimin e Unitetit të të Krishterëve, ku do të takojë besimtarët e bashkësisë kopte me banim në Romë.

Të diel, më 14 maj, do të kremtojë për ta një Liturgji Eukaristike në Bazilikën Papnore të Shën Gjonit në Lateran.

10 maj 2023, 12:02

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >