Kërko

Papa Françesku: misioni, shqetësimi dhe gëzimi i përhapjes së Ungjillit

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, Papa Françesku foli për Shën Françesk Saverin, zellin e tij apostolik dhe dëshirën për ta bërë Jezusin të njohur në viset më të largëta dhe më të panjohura, si në Kinë. Veprimtaria e tij e jashtzakonshme mistike dhe medituese, shoqërohej gjithnjë me lutje, gjithnjë me Zotin, shpjegoi Papa, duke uruar që të rinjtë e sotëm ta provojnë të njëjtën shtytje, që pati provuar jezuiti i ri.

R.SH. / Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur paradite nëVatikan, Papa Françesku foli për Shën Françesk Saverin, zellin e tij apostolik dhe dëshirën për ta bërë Jezusin të njohur në viset më të largëta dhe më të panjohura, si në Kinë. Veprimtaria e tij e jashtëzakonshme mistike dhe medituese, shoqërohej gjithnjë me lutje, gjithnjë me Zotin, shpjegoi Papa, duke uruar që të rinjtë e sotëm ta provojnë të njëjtën shtytje, që pati provuar jezuiti i ri.

Dashuria e Krishtit ishte forca që e çoi deri në kufijtë më të largët, me kapitje e rreziqe të vazhdueshme, duke kapërcyer dështime, zhgënjime e çkurajime, madje duke dhënë ngushëllim dhe gëzim gjatë ndjekjes së Zotit dhe shërbimit deri në fund të fundit”.

Kjo ishte jeta e Shën Françesk Saverit, shembull zelli apostolik, që Papa e zgjodhi në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, për katekizmin e tij të trembëdhjetë të ciklit "Pasioni për të ungjillëzuar". Ai, pajtor i misioneve katolike, konsiderohet si misionari më i madh i kohëve moderne. E kështu edhe është! Por - reflekton Papa Françesku - si mund ta quajmë më i madhi nga të gjithë ata burra dhe gra që i kushtohen misioneve, që lënë vendin e vet për ta përhapur Ungjillin nëpër botë? Papa uron që secili të ketë sadopak zellin e Françesk Saverit për të shpallur Ungjillin me gëzim. E më pas mendimet e tij shkojnë tek të gjithë ata të rinj të shqetë, që kërkojnë rrugën e tyre, në mënyrë që të mund t'ia çojnë botës Lajmin e Mirë.

Në Paris, kthesa e Françesk  Saverit

Më pas Papa skicon një jetëshkrim të shkurtër për shenjtin spanjoll, që jetoi në shekullin e 16-të. Përshkruan studimet e tij në Universitetin e Parisit, për të nisur një detyrë kishtare, të paguar mirë si dhe tiparet e tij rinore. “Simpatik, brilant” e njohës i mirë i botës në të cilën jetonte, Françesk Saveri shkëlqen në gjithçka bën, e kështu premton shumë për të ardhmen. Por pikërisht në kryeqytetin francez jeta e tij nis kthesën, mbasi në kolegj takohet me Injacin e Lojolës, me të cilin pastaj themelon Shoqërinë e Jezusit.

Caqet e para të jezuitit të ri

Në Evropën e krishterë, që shikonte "drejt skajeve të panjohura të botës" dhe drejt atyre popujve, që nuk e njihnin Ungjillin, Françesk Saveri qe ndërmjet  jezuitëve të dërguar nga Pali III në Inditë Lindore me kërkesën e mbretit të Portugalisë, shpjegoi Papa:

U nis kështu aradha e parë e madhe e misionarëve të pasionuar, të gatshëm për të duruar vështirësi e rreziqe të pafundme, për të shkelur toka të largëta dhe për të takuar popuj me kultura dhe gjuhë krejtësisht të panjohura, të nxitur vetëm nga dëshira shumë e fortë për ta bërë të njohur Jezu Krishtin dhe Ungjillin e tij”.

Françesk Saveri shtegton shumë, përballon udhëtime të vështira në det, e Papa kujton se shumë, në atë kohë, vdisnin "për shkak të mbytjes së anijeve a të sëmundjeve", ndërsa sot shumë vdesin duke kaluar Mesdheun në kërkim të një ardhmërie më të mirë.

Pastaj Ati i Shenjtë kujtoi edhe fillimin e misionit të jezuitit të ri në Goa dhe ungjillëzimin e peshkatarëve të bregdetit jugor të Indisë. U shpjegonte fëmijëve katekizmin dhe u mësonte lutjet, pagëzonte dhe kujdesej për të sëmurët… Por një natë, ndërsa lutej pranë varrit të Shën Bartolomeut Apostull, "ndjeu thirrjen për të shkuar përtej Indisë".

Kështu, duke e lënë punën tashmë të nisur "në duar të mira" lundroi me guxim "drejt Molukeve, ishujt më të largët të arkipelagut indonezian". E atje, gjatë dy vjetëve, "themeloi disa bashkësi të krishtera", "krijoi katekizmin në vargje në gjuhën lokale dhe i mësoi banorët për ta kënduar", sepse vetëm kështu mund ta mbanin mend më lehtë, analfabetë siç ishin. Përvoja misionare e bën t’i quajë "thesare të pasura me ngushëllime të mëdha shpirtërore", rreziqet dhe vuajtjet e pranuara vullnetarisht vetëm e vetëm për dashurinë dhe shërbimin e Zotit", siç shkruan ai vetë e siç e nënvizoi Papa.

Shkel ku nuk kishte shkuar ende asnjë misionar evropian

Më pas, misioni i Saverit mbërrin edhe në Japoni, ku "asnjë misionar evropian nuk kishte shkuar ende deri në atë kohë" - vazhdon Papa - për të përshkruar, më pas, tre vitet "shumë të vështira për shkak të klimës, kundërshtimit dhe mosnjohjes së gjuhës". E pikërisht në këtë vend i lind dëshira për të shkuar në Kinë. Dëshira shndërrohet në veprim e ai nis udhëtimin e tij të ri. Por ëndrra mbetet ëndërr…"Ai vdes në ishullin e vogël Sancian, duke pritur më kot që të mund të zbarkojë në kontinent afër Kantonit". Ishte 3 dhjetori i vitit 1552 e ai, 46 vjeç, “ndonëse me flokë të zbardhur para kohe!”. Forca e tij ishte konsumuar, duke i shërbyer pa kursim Ungjillit - kujton në përfundim Papa.

17 maj 2023, 12:22

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >