Kërko

Logo e udhëtimit të Papës Françesku në Bahrein Logo e udhëtimit të Papës Françesku në Bahrein

Papa në Bahrein, shtegtar i paqes dhe i dialogut ndërmjet Lindjes e Perëndimit

Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur programin zyrtar të vizitës së Papës Françesku në vendin e Gjirit Persik, nga 3 deri më 6 nëntor. U publikuan edhe logo e moto, frymëzuar nga Ungjilli sipas Lukës: “Paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”

R.SH. – Vatikan

Një udhëtim i shkurtër, por plot takime dhe fjalime. Pas rreth një muaji, nga 3 deri më 6 nëntor, Papa do të shkojë në Bahrein, në shtegtimin e tij të 39-të apostolik, si bartës i një mesazhi tejet aktual në botën e plagosur nga luftëra e përçarje. “Paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”: kjo është motoja e udhëtimit, frymëzuar nga Ungjilli sipas Lukës (Lk 2,14). Françesku është Papa i parë, që do të shkojë në këtë vend të Gjirit Persik, për të marrë pjesë më 4 nëntor, në “Forumin e Bahreinit për Dialogun”, kushtuar bashkëjetesës ndërmjet njerëzve të Lindjes e të Perëndimit.

Takimi me mbretin

Nisja për në Awali - një qytet i vogël që ndodhet afërsisht në qendër të Mbretërisë së Bahreinit - do të bëhet të enjten e 3 nëntorit, në orën 9.30, nga aeroporti ndërkombëtar i Romës / Fiumicino. Sipas programit të publikuar sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit, avioni papnor do të mbërrijë në orën 16.45 (me orën lokale). Papa do të shkojë në “Bazën Ajrore Sakhir” për pritjen zyrtare. Më pas, në orën 17.30, vizita e kortezisë tek Mbreti i Bahreinit, Hamad bin Isa al Khalifa, të cilit Françesku i pati shkruar një letër, dorëzuar nga kardinali Luis Antonio Tagle, më 10 dhjetor 2021, me rastin e kushtimit të katedrales së Zojës së Arabisë, Pajtore e Gjirit Persik, dhuratë e Mbretërisë së Bahreinit për Kishën Katolike të vendit. Sovrani iu përgjigj letrës duke shprehur “dëshirën e tij të madhe për ta parë një ditë Papën në Bahrein”.

Kjo dëshirë do të realizohet me takimin në Pallatin Mbretëror Sakhir, ku Papa do t’u flasë edhe autoriteteve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të Trupit diplomatik, në të parin nga pesë fjalimet e tij (përveç një homelie dhe një Engjëlli të Tënzot).

Takimi ekumenik e lutja për paqen

Dita e 4 nëntorit do të hapet në orën 10 me mbylljen e “Forumit të Bahreinit për Dialogun” në sheshin Al-Fida, gjithnjë në kompleksin e "Pallatit Mbretëror Sakhir". Papa do të mbajë një fjalim edhe këtu e, më pas, në orën 16, do të takohet privatisht me Imamin e madh të Al-Azharit, Ahmed al-Tayeb, “mik” dhe “vëlla”, siç e quan gjithmonë. Ndërsa në orën 16.30 është planifikuar takimi me anëtarët e “Këshillit të Pleqësisë Myslimane” në xhaminë e Pallatit Mbretëror Sakhir. Në fund të ditës, takimi ekumenik dhe lutja për paqen në katedralen e Zojës së Arabisë, ku Françesku do të mbajë një fjalim tjetër.

Ndërkaq, me meshën e orës 8.30, në "Stadiumin Kombëtar të Bahreinit", në Awali,nis dita e tretë e udhëtimit, e shtunë, 5 nëntor. Pasdite, në orën 17, Ati i Shenjtë do të takohet me rininë në shkollën e Zemrës së Krishtit.

Në kryeqytetin Manama

Papa Françesku nuk do të largohet nga Bahreini pa vizituar më parë kryeqytetin Manama, të dielën, më 6 nëntor. Në qytetin më të madh të shtetit, ku banon një e katërta e popullsisë së vendit, është planifikuar vetëm një takim lutjeje me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët dhe punonjësit baritorë, në kishën e Zemrës së Krishtit. Aty, Papa do të thotë edhe Engjëllin e Tënzot. Më pas do të kthehet në Awali, ku në orën 12.30, do të mbahet ceremonia e lamtumirës në “Bazën Ajrore Sakhir”. Në orën 13, nisja me avion dhe kthimi, rreth orës 17, në aeroportin ndërkombëtar të Romës / Fiumicino.

Moto e logo

Përveç programit, Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur edhe moton e logon e udhëtimit apostolik të Papës Françesku. Motoja, siç thamë, është frymëzuar nga fjalët e kënduara nga engjëjt në tregimin e lindjes së Zotit në Ungjillin sipas Lukës. Logoja përbëhet nga flamujt e stilizuar të Mbretërisë së Bahreinit dhe të Selisë së Shenjtë, paraqitur si dy duar të hapura drejt Zotit, për të simbolizuar edhe impenjimin e popujve dhe të kombeve për t'u takuar me çiltërsi, pa paragjykime, si “vëllezër dhe motra”. Fryti i takimit vëllazëror është dhurata e paqes, simbolizuar nga dega e ullirit në qendrën e të dyja duarve. Mbishkrimi "Papa Françesku" është blu për të treguar se udhëtimi apostolik i është besuar ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, që në Bahrein njihet si Zoja e Arabisë.

06 tetor 2022, 13:27