Kërko

 Cattedrale Nostra Signora d'Arabia in Bahrein Cattedrale Nostra Signora d'Arabia in Bahrein

Papa Françesku do të shkojë në Bahrein nëntorin e ardhshëm

Papa do të vizitojë Manama-n dhe Awali-n, seli e Katedrales të Zojës së Arabisë, gjatë shtegtimit për Forumin mbi dialogun ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Do të jetë Papa i parë, që do të shkojë në vendin e Gjirit Persik

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të vizitojë Bahreinin nga 3 deri më 6 nëntor. Është Papa i parë që viziton këtë vend të Gjirit Persik, me rastin e “Forumit të Bahreinit për Dialogun”, kushtuar bashkëjetesës njerëzore të Lindjes me Perëndimin. Papa e pranoi ftesën e autoriteteve civile dhe kishtare të vendit - njofton, në një deklaratë, drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni - e do të shkojë në kryeqytetin Manama dhe në qytetin Awali, ku më 10 dhjetor 2021 u shugurua katedralja e Zojës së Arabisë, Pajtore e Gjirit Persik. Hollësitë e shtegtimit apostolik të Françeskut në Gadishullin Arabik, ku në shkurt 2019 nënshkroi Dokumentin për vëllazërinë njerëzore në Abu Dhabi, do të bëhen të ditura më vonë.

Letra e Papës drejtuar Hamad bin Isa al Khalifa

Pikërisht ditën e përurimit të katedrales, kardinali Luis Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillizimin e Popujve, i pati dërguar mbretit të Bahreinit, Hamad bin Isa al Khalifa një letër nga Papa Françesku, së cilës sovrani iu përgjigj duke shprehur “dëshirën e tij të madhe për të parë një ditë Papën në Bahrein”, e duke përsëritur  “synimin e tij për të favorizuar   hapjen gjithnjë e më të madhe të portave të vendit të tij për njerëz, që nuk ndjekin fenë myslimane”.

28 shtator 2022, 14:31