Kërko

Lufta në rajonin e Kharkiv-it, Ukrainë Lufta në rajonin e Kharkiv-it, Ukrainë 

Françesku: lufta, marrëzi e tregtarëve kriminelë të armëve

Në përfundim të audiencës, gjashtë muaj pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, Papa bën thirrje për largimin e rrezikut të shpërthimit bërthamor në Zaporizhzhia. Kujton kryesisht refugjatët e fëmijët, si dhe atentatin kundër Darya Dugina-s, bijë e ideologut të Putinit, pa harruar edhe konfliktet në Siri e Jemen si dhe dramën e pa fund të Rohingya-ve

R.SH. - Vatikan

Ukraina mbetet plagë e hapur në zemër të Atit të Shenjtë. E pranishme, në të gjitha takimet, nga  Engjëlli i Tënzot, tek audienca e përgjithme e tek takimet e zakonshme.

Lutje për paqe në trojet ukainase

E edhe sot, në përfundim të takimit javor me besimtarët, me dhimbje të thellë, por edhe me shpresë në Tënzonë, kërkoi lutje të njëzëshme lartuar  Zotit për paqe në trojet ukainase, ku populli vuajti e vijon të vuajë prej gjashtë muajsh tmerrin e luftës. Po Françesku nuk e humbet kurrë besimin. Shpreson se do të bëhen hapa konkrete për t'i dhënë fund luftës dhe për të shmangur rrezikun e fatkeqësisë bërthamore në Zaporizhzhia, e pohon:

“I kam në zemër të burgosurit, veçanërisht të lënduarit, kërkoj nga autoritetet përgjegjëse të punojnë për lirimin e tyre dhe mendoj për fëmijët e shumtë të vdekur e për refugjatët e panumërt. Ka shumë e shumë të plagosur, shumë fëmijë ukrainas e rusë, që mbetën jetimë e nuk kanë kombësi. Fëmijë pa baba e pa nënë, rusë e ukrainas”.

Papa përshëndet disa fëmijë ukrainas në audiencën e përgjithshme
Papa përshëndet disa fëmijë ukrainas në audiencën e përgjithshme

Thua u çmend bota, në të cilën jetojmë?

Në këtë atmosferë të krijohet përshtypja se po jetojmë në një botë krejtësisht të çmendur. Na e kujton edhe Papa:

“Mendoj me trishtim për gjithë këtë mizori, për gjithë këta të pafajshëm që paguajnë për këtë çmenduri, çmenduri, çmenduri nga të gjitha anët, sepse lufta është çmenduri dhe askush në luftë nuk mund të thotë: Jo, nuk jam i çmendur”. 

Tregtarët e armëve janë kriminelë, që vrasin njerëzimin!

E më pas Papa i ftoi mbarë njerëzit  të mendojnë për këtë realitet dhe t'i thonë njëri-tjetrit:

“Lufta është çmenduri. E ata, që fitojnë nga lufta dhe tregtia e armëve, janë kriminelë që vrasin njerëzimin!”.

Më pas edhe ftesa që të gjithë të mendojnë për vendet e tjera që ishin në luftë për më shumë se 10 vjet. Për Sirinë, për luftën në Jemen, ku  fëmijët vuajnë nga uria; për Rohingyat që enden padrejtësisht nëpër botë të dëbuar nga trojet e tyre.

Ukrainasit në audiencën e përgjithshme
Ukrainasit në audiencën e përgjithshme

Sulmi ndaj Darya Dugina

Françesku kujtoi edhe sulmin që i kushtoi jetën Darya Duginës, vajzës së Aleksandër Duginit, i konsideruar si ideologu i presidentit rus Vladimir Putin, vdekur më 20 gusht, gjatë hedhjes në erë të makinës së saj, me të cilën shtegtonte drejt Moskës. Papa Françesku e kujtoi kështu viktimën e re:

“Mendoj për vajzën e varfër që fluturoi në hava nga një bombë  e fshehur nën sedilje të makinës për udhë drejt Moskës. Janë gjithnjë të pafajshmit, që paguajnë për luftën, të pafajshmit”.

Lutje e veçantë për Ukrainën e Rusinë

Nuk harron as komb e as njeri, që vuan e ravgon nëpër rrugët e botës Papa. Por sot pati një mendim të veçantë, si e veçantë është çka po ndodh para syve të njerëzimit që, me sa duket, nuk e ka nxënë ende leksionin tragjik të Luftës II Botërore, për të mos përmendur hekatomba të tjera të afërta e të largëta. Por sot, gjashtë muaj pas fillimit të luftës, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë Ukrainën dhe Rusinë, të dyja vendet që ia ka kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, me aktin solemn kremtuar më 25 majin e kaluar. Në përfundim lutja drejtuar Zojës së Bekuar:

“Të lutemi që ti, Nënë, t’i sjellësh sytë nga këto dy vende të dashura, të shikosh Ukrainën e të shikosh Rusinë e të na sjellësh paqen! Ne kemi shumë nevojë për paqe!”.

24 gusht 2022, 12:50