Kërko

Kryeipeshkvi Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës Kryeipeshkvi Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës 

Shevchuk: “gënjehet ai, që mendon se e sundon luftën, vetëm Zoti na shpëton”

Kryeipeshkvi i madh i Kyiv-Halyč, në një bisedë me mediat e Vatikanit, gjashtë muaj pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë: “Është kërcënim global për njerëzimin”. Roli i Kishës: “Ka nga ata që nxisin urrejtjen, ne predikojmë Ungjillin e paqes dhe jemi pranë njerëzve”. Mirënjohje Evropës për pritjen e refugjatëve, ndërsa për Papën Françesku pohon: “Është zëri ynë”

R.SH. – Vatikan

         Gjashtë muaj nga fillimi i luftës në Ukrainë. Gjashtë muaj bombardime, vrasje civilësh e ushtarësh, gjashtë muaj dhune e mizorish, denoncuar gjithnjë nga Papa Françesku. Radio Vatikani foli telefonikisht me kryeipeshkvin e madh të Kyiv-Halyč, Sviatoslav Shevchuk, i cili, nga njëra anë, dërgon “bekime nga Kievi” e falënderime për Atin e Shenjtë, që paralajmëroi botën për “kërcënimin global” të konfliktit në Ukrainë, por, nga ana tjetër, kërkon sërish solidaritet ndërkombëtar, që i kundërvihet barbarizmit të luftës, e cila, nënvizon ai, është “mister i së keqes”, përtej çdo rregulli dhe kontrolli njerëzor. Në fjalët e kreut të Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, falënderimi për meshtarët, rregulltarët, ipeshkvijtë, që nuk i braktisën njerëzit nën bomba, por falënderim edhe për Evropën, e cila ka hapur dyert për refugjatët ukrainas, duke i mirëpritur nëpër familje. Lufta, thekson ai, u shpëton nga duart edhe atyre, që e shkaktuan. “Vetëm Zoti mund të hapë udhën për të arritur paqen”, ngre zërin imzot Sviatoslav Shevchuk, ndërsa shpjegon si e ka ndihmuar Kisha popullin ukrainas, gjatë kësaj periudhe të vështirë…

         Para së gjithash duhet thënë se Kisha është pjesë e popullit ukrainas: ne jemi populli i vuajtur, populli i sulmuar, viktimë e këtij agresioni të padrejtë. Me këtë vetëdije, populli na ka dhënë gjithmonë orientimin për kryerjen e misionit tonë. Unë e quaj këtë sakramenti i pranisë. Prania e dukshme e meshtarëve, murgjve dhe ipeshkvijve është shumë e rëndësishme për njerëzit tanë, veçanërisht në zonat e luftimit, tani të pushtuara. Ne qëndruam me ta. E kjo prani e Kishës, për njerëzit e thjeshtë përfaqëson praninë e Zotit. Sepse pyetja e parë e popullsisë ishte: “Po ku është Zoti? Në këto kushte dramatike, kur na vrasin çdo ditë, ku është Zoti?”. Kësaj pyetje ekzistenciale, prania e Kishës i dha përgjigje. E kjo prani na nxit gjithmonë për veprimtari baritore: krijuam një rrjet komunikimi dhe gjetëm rrugë e mënyra për të dërguar ndihma humanitare. Arritëm të analizojmë çdo ditë gjendjen humanitare, e cila ndryshon me shpejtësi, për të reaguar siç duhej. Njerëzve,  që duhej të largoheshin, u siguruam transportin; atyre, që kishin nevojë për ushqim, u dhamë ushqime dhe ndihma të tjera; atyre, që kishin nevojë për mbrojtje, i strehuam në kishat tona, në manastiret që përdoreshin si strehim kundërajror. Kjo ishte përgjigja jonë: unanime, spontane, pa urdhra të veçanta.

Në gjashtë muaj luftime, ju nuk reshtët së përsërituri se lufta “mund dhe duhet të fitohet me paqen e Zotit” dhe se “sot kjo fjalë – paqe – është e njëjtë me fjalën dashuri”. Ç’do të thotë kjo për një popull që çdo ditë, siç thoni ju, duhet t’u bëjë ballë bombave dhe vdekjes?

         Si barinj të Kishës, shohim se ndër njerëzit mbizotëron ankthi, frika dhe zemërimi. E ka nga ata, që i tundojnë, duke nxitur urrejtjen ndaj sulmuesve. Prandaj, ne barinjtë predikojmë Ungjillin e paqes. Pikërisht duke iu përgjigjur këtyre ndjenjave njerëzore, dëshmojmë Zotin që është dashuri, Zotin që është burimi i paqes.

         Edhe Papa e ka vënë në qendër Ukrainën që në ditën e parë të luftës, duke kërkuar vazhdimisht paqe dhe duke vënë në jetë nisma për ndihmë. Por shqetësimi kryesor i Françeskut është global: është e gjithë bota, pohon ai, që kërcënohet nga ky barbarizëm. Çfarë jehone kanë këto fjalë tek ju?

         I jemi shumë mirënjohës Papës Françesku, që e bë zëri ynë. Papa, si Pasardhës i Pjetrit, ka dhuntinë e veçantë ta shohë si kërcënim global situatën në të cilën jetojmë në Ukrainë. Sepse lufta në Ukrainë ndikon në vetë indin e njerëzimit; këto krime prekin jo vetëm ukrainasit, por gjithë botën. Prandaj, ne i jemi vërtet mirënjohës Atit të Shenjtë, që është zëdhënësi ynë, edhe sepse ia shkundi ndërgjegjen Perëndimit dhe botës, duke kërkuar lutje për Ukrainën dhe solidaritet universal me popullin e saj.

Në këta gjashtë muaj, edhe nën bombardime, ju e keni ngritur gjithnjë zërin dhe i keni mbështetur ukrainasit me mesazhe të përditshme. Personalisht, çfarë ju dha forcë në këtë tragjedi?

         Forca, që më është dhuruar muajt e fundit, është ajo e përgjegjësisë baritore: ndihesha përgjegjës jo vetëm për veten, por sidomos për popullin. Prandaj, së pari, u përpoqa të shpëtoja njerëzit. Edhe me mesazhet, që i publikojmë çdo ditë, ne shoqërojmë njerëzit tanë. Shumë kanë pohuar se këto mesazhe janë burim inkurajimi për ta.

         Ukraina ka parë miliona bashkatdhetarë në arrati, por edhe solidaritetin e mikpritjen e tyre në shumë vende. Çfarë mund t’u thoni atyre, që hapën dyert për familjet ukrainase?

         Nga thellësia e zemrave tona vijnë fjalë mirënjohjeje: faleminderit. E kuptoj që është shumë pak të thuash thjesht “faleminderit”, por ne jemi vërtet shumë mirënjohës për këtë hapje dyersh. Në Evropë ka kampe refugjatësh për ukrainasit, por shumë njerëz hapën pikësëpari zemrat, pastaj dyert e shtëpive, të familjeve të tyre dhe kështu, u dëshmua se solidariteti është vërtet një vlerë e krishterë e mirëfilltë. I lutemi Zotit t’i bekojë të gjithë ata, që ditën t’i japin një dorë popullit të vuajtur ukrainas në këtë çast.

         “Njeriu – keni thënë ju në disa raste – fatkeqësisht, “di t’i fillojë luftërat, por pastaj bëhet skllav i tyre”. Çfarë shpresoni se mund t’i japë fund kësaj skllavërie?

         Ne e provojmë drejtpërdrejt se lufta është “mysterium iniquitatis”, për të cilin fliste Shën Pali: është vërtet misteri i së keqes, që përhapet në këtë botë. Agresori, që fillon luftën, jeton me iluzionin se mund t’i sundojë rregullat e luftës, por në fakt, ky mbetet iluzion. Sepse që në të shtënën e parë, lufta del jashtë kontrollit njerëzor. Dhe vetë agresori bëhet skllav i djallit, që i ka dalë nga zemra. Prandaj, çdo ditë, në lutjen “Ati ynë”, ne themi “na liro nga i Keqi”. Zoti është gurra e paqes, është Hyji i paqes. Ne besojmë se vetëm Ai mund t’i japë fund këtij misteri të së keqes.

23 gusht 2022, 16:58