Papa: si Shën Lorenci, dëshmitarë të Ungjillit në shërbim të të varfërve
R.SH. – Vatikan
Që nga shekujt e parë të krishterimit, Shën Lorenci, të cilin Kisha Katolike e përkujton sot, përshkruhet si një i ri, veshur me rroben, që përdoret edhe sot nga diakonët. Pajtor pikërisht i diakonëve, por edhe i kuzhinierëve e i zjarrfikësve, shenjti na jep një dëshmi të jashtëzakonshme dashurie për Krishtin, karakterizuar nga shqetësimi për të varfërit, nga shërbimi bujar për Kishën e Romës dhe nga martirizimi. Ai ndihmonte Papën gjatë kremtimeve, shpërndante Eukaristinë dhe administronte pasuri e oferta për t’iu përgjigjur nevojave të më të varfërve. Papa Françesku e kujtoi në audiencën e përgjithshme, gjatë përshëndetjeve për shtegtarët italianë:
“Festa liturgjike e Shën Lorencit, diakonit dhe martirit të Kishës së Romës, zgjoftë tek të gjithë dëshirën për të dëshmuar Ungjillin, gjithmonë me gatishmëri ndaj të varfërve dhe njerëzve në vështirësi”.