Kërko

 San Lorenzo Diacono e martire San Lorenzo Diacono e martire

Shën Lorenci: të varfërit janë yjet dhe thesaret e Kishës

Sipas “Depositio martyrum”, Diakoni i Kishës së Romës, u martirizua në rrugën Tiburtina, gjatë persekutimit të Valerianit, më 10 gusht të vitit 258.

R.SH. - Vatikan

Pajtori i tretë i qytetit të Romës, pas shenjtorëve Pjetri e Pali, Lorenci, lindi në Spanjë, në gjysmën e parë të shekullit III. Ishte diakon i Kishës katolike në një kohë, kur të krishterët persekutoheshin. Mbarështonte pasuritë dhe lëmoshët, për t’iu përgjigjur nevojave të të varfërve, jetimëve, vejushave, Në vitin 258 pas Krishtit u shpall edikti i perandorit Valerian: të gjithë ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët duheshin dënuar me vdekje. Papa, asokohe Siksti II, u mbyt më 6 gusht. Ndërsa Lorenci u kursye, me shpresë se do të jepte informacione për pasurinë e bashkësisë. Po ai, pasi ua shpërndau të varfërve atë pak pasuri, që kishte Kisha, u paraqit para autoriteteve romake, që kërkonin pasuritë, i shoqëruar nga një turmë  e madhe: ishin varfanjakët, të çalët, të verbërit e Romës. E u tha autoriteteve, që prisnin prej tij ar e gurë të çmuar: “Ja. Këta janë thesari i Kishës”.

Papa Siksti e diakoni i tij, Lorenci

Lorenci, diakon i famshëm i Kishës së Romës, e dëshmoi me martirizimin nën Valerianin (258) shërbimin e bamirësisë, katër ditë pasi ia prenë kokën Papës Siksti. Sipas një tradite të përhapur që në shekullin IV, u poq mbi skarë, pasi ua kishte shpërndarë të varfërve gjithë kamjen e pakët të Kishës, duke i quajtur thesari i saj i vërtetë (Meshari Romak).

Ishte data 10 gusht e, sipas një tregimi të lashtë mbi fundin e tij, rrëfyer nga Shën Ambrozi, u dogj mbi gradelë.  Në “De Officiis”  Shën Ambrozi  përfytyron takimin e Papës me diakonin e vet, gjatë udhës së martirizimit. Në këtë tekst, Shën Lorenci i drejton Papës Siksti II pyetjet: 

“Ku po shkon, o Atë, pa tënd bir? Për ku ngutesh, o ipeshkëv shenjt, pa diakonin tënd? Nuk e pate kurrë zakon ta ofrosh flijmin, pa shërbëtorin tënd. Ç’gabim bëra, që të gandova kaq keqas, o Atë? Ndoshta më shikon si të padenjë? Më vërë në provë! Atëhere  ndoshta nuk do të refuzosh atë, me të cilin kremtove misteret hyjnore e që ishte shoku yt, kur iu desh të derdhë gjakun!”.

Mbi gjurmët e Shën Lorencit

Dëshmia e Shën Lorencit shtegtoi në shekuj. Erdhi deri në kohët tona. Nga Papa Siksti, te Papa Françesku që, më 19 qershor 2021, u kujtoi diakonëve të Romës figurën e shenjtit, duke e lidhur ngushtë shembullin e Shën Lorencit, me sfidat aktuale. U kujtoi kohët e vjetra, por që meritojnë të shikohen si shembull nga të rejat, sidomos lidhur e shërbimin e diakonëve:

“Pakësimi i numrit të meshtarëve çoi në shërbimin e diakonëve… Ndaj Koncili,  pasi foli për shërbimin që i duhet bërë popullit të Zotit në diakoninë e liturgjisë, të fjalës e të bamirësisë, nënvizon se diakonët janë sidomos njerëz, që i kushtohen detyrës së bamirësisë e të mbarështimit të saj… Prandaj në Romë u bënë përpjekjet të ringjallej kjo traditë me diakoninë në Kishën e Shën Stanislaut”

 Nata e yjeve të Shën Lorencit

Jemi më 10 gusht e shkojmë drejt natës më të këndshme të verës,  natës së Shën Lorencit. Natë yjesh, natë dëshirash romantike,  edhe pse nata e valë e gushtit të kujton një nga torturat më mizore ushtruar mbi martirët e krishterë: pjekjen mbi skarë.

Historia…

 Pësoi mundimin më të zgjatur, më të keqin, sepse më të ngadalshmin. Me shpresë se më në fund do të fliste. Po ai, shakaxhi i madh, nga skara e skuqur u tha persekutuesve të tij: “Më ktheni nga ana e majtë, se nga e djathta u poqa”.  Është Pajtor i diakonëve, kuzhinerëve, zjarrfikësve (që aso kohe nuk mundën ta shuanin zjarrin mbi të cilin piqej).

Legjenda

E që aso kohe, sipas legjendës, Lorenci qan sa herë shikon tokën e lotët e tij bien nga lart në trajtën e yjeve të arta, që këputen nga kupa blu e qiellit të gushtit.

Legjenda i quan meteorët e 10 gushtit “Lotët e Shën Lorencit”, duke kujtuar fundin e martirit. E tregon se Lorenci, kur i erdhi fundi, i fali fajtorët e mbeti me sy të hapur fort, që shprehnin atë dhimbje, të cilën zëri tashmë nuk mund ta shprehte. Sy pa lot, të tharë nga zjarri. Prandaj qan vit për vit  me lot yjesh, natën kur bota vijon ta kujtojë!

Poezia

E me të, kujton edhe poezinë e poetit të famshëm italian Giovanni Pascoli, titulluar “10 gushti”. Për poetin yjet që bien nga qielli, janë lotët e Shën Lorencit, që dëshpërohet kur shikon, nga lart, se bota vijon të sundohet nga e keqja.

Shkruan Pascoli në fund të poezisë së tij pesimiste:

“E ti, o Qiell,  prej lartësive të botëve tua të paqta

(sepse s’e njohin të keqen e as dhimbjen,

larg nga mjerimet prore)

e resh këtë atom të errët, në hapësirën pa fund,

ku vijon të sundojë e Keqja njerëzore!”.

Për të rinjtë

Për të rinjtë është nata romantike e dëshirave, çasti magjik i kalimit të meteorëve, që mund ta bëjnë realitet ëndrrën e atij çasti.

Për astronomët

Lotët e Shën Lorencit këto iskra të ndritshme që bien mbi tokën tonë, për astronomët janë meteorë, që duket se vijnë nga konstelacioni i Perseut.

Janë si janë, janë pamja më e pritur e gjithë verës, që i shtyn njerëzit të bisedojnë me yjet e t’u tregojnë dëshirat më të fshehta, që nuk ia tregojnë askujt, veç qiellit!

10 gusht 2022, 10:17