Kërko

Papa: me Shën Jozefin, Kisha riniset nga periferitë dhe nga thelbësorja

Në audiencën e përgjithshme, Françesku nisi një cikël të ri katekizmi kushtuar Fatit të Marisë e Atit të kujtuar të Jezusit. Zgjedhja e Betlehemit dhe e Nazaretit, shpjegoi, na kujton se “periferitë dhe skutat janë të zgjedhura nga Zoti”. Propozoi edhe një lutje të re për Shën Jozefin: “Na ndihmo ta pëlqejmë, atë që bota e përjashton”.

R.SH. - Vatikan

Kisha riniset nga Betlehemi e nga Nazareti. Zgjedh çka  bota “nuk e njeh as nuk do ta njohë”, në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale si dhe “aftësinë  për të parë e për të vlerësuar esencialen”. Duke mësuar nga Shën Jozefi “të zgjedhim, çka të tjerët e flakin tutje”. Papa Françesku nisi kështu, në Sallën Pali VI, një cikël të ri katekizmi për audiencën e përgjithshme. E ia kushtoi atit të kujtuar të Jezusit, Pajtorit  të Kishës universale i cili, në këtë kohë të mbërthyer nga kriza globale, “mund të ndihmojë, të ngushëllojë, të prijë”.

Shembull për të gjithë

Në vitin e posaçëm kushtuar Shën Jozefit, 150-vjet pas shpalljes së tij  Pajtor i Kishës, e pas Letrës apostolike Patris corde, Papa u kujton të gjithëve shembullin dhe dëshminë e Fatit të Marisë, për të cilin pati devocion të thellë që në rini. Në Meshën e fillimit të papnisë, pikërisht ditën e festës së Shën Jozefit, Françesku ia pati kushtuar homelinë misionit të tij  si rojtar i Marisë, i Jezusit, i Kishës.

Në katekizmin e parë, ambienti ku jetoi Jozefi

Në katekizmin e parë Papa u ndalua tek vendi ku jetoi Jozefi. Emri i tij - kujtoi - në hebraisht ka kuptimin “Zoti rritët”. Urim e bekim, i bazuar mbi  besimin në provaninë e Zotit, që na kujton  lindjen dhe rritjen e fëmijëve, parë si bekim. E pikërisht ky është një nga tiparet kryesore të personalitetit të Jozefit të Nazaretit:

“Ai është njeri përplot me besim në Zotin, në provaninë. Çdo veprim i tij, i treguar nga Ungjilli, diktohet nga siguria se Zoti ‘rrit”, “shton” , “bashkon”, domethënë Zoti parashikon ta çojë përpara  planin e Tij  të shëlbimit”.

E në këtë drejtim - nënvizoi Papa - Jozefi i Nazaretit “i ngjet shumë Jozefit të Egjiptit”, të birit të Jakobit e Rakelës, i cili nga skllav që ishte, bëhet  njeriu i dytë më i rëndësishëm i Egjiptit, pas faraonit.

Simbolika e Betlehemit

Por figura e Jozefit mund të kuptohet sidomos duke kujtuar Betlehemin e Nazaretin. Betlehem do të thotë “shtëpia bukës”, në hebraisht, ndërsa  në arabisht “shtëpia e mishit”, ndoshta për shkak të sasisë së madhe të grigjëve të deleve e të dhive, që kishte kjo zonë. Në dritën e ngjarjes së Jezusit - vijoi Papa, - “kujtimi i bukës e i mishit na çojnë tek Misteri Eukaristik: Jezusi është buka e gjallë e zbritur nga qielli”.

E Betlehemi, që Mikea Profet e quan “ tejet i vogël për të qenë ndërmjet fshatrave të Judës” u zgjodh nga Biri i Zotit. Zgjodhi Nazaretin si vend i mishërimit të tij, jo Jeruzalemin:

“Dy fshatra periferike, larg zhurmave të kronikës e të pushtetit të kohës. Ndonëse Jeruzalemi ishte qytet i dashur nga Zoti, ishte ‘qytet shenjt’, i zgjedhur nga Zoti për të banuar në të. Ja pse - sqaroi Françesku - zgjedhja e Betlehemit dhe e Nazaretit na kujton se Zoti zgjedh pikërisht periferitë, skajet e skutat, ku jetojnë të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë”.

Po pse duhet ta marrim seriozisht këtë realitet?

“Të mos e marrësh seriozisht këtë realitet, do të thotë  të mos e marrësh seriozisht Ungjillin dhe veprën e Zotit, që vijon të duket në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale. Posaçërisht Jezusi shkon duke kërkuar mëkatarët, hyn në shtëpitë e tyre, flet me ta, u bën thirrje për kthesë. Po shkon e kërkon  edhe ata, që nuk kanë bërë keq, por kanë pësuar nga e keqja: të sëmurët, të uriturit, të varfërit, të fundmit”.

Në këtë aspekt - kujtoi në vijim Papa - shoqëria e kohës sonë nuk ndryshon shumë nga ajo e Kohës së Krishtit. Qendra dhe periferia janë edhe sot.  E Kisha e di mirëfilli se është e thirrur ta kumtojë lajmin e mirë  duke u nisur pikërisht nga periferitë.

Jozefi, zdrukthëtari i Nazaretit, që i beson planit të Zotit për të fejuarën e vet e për atë vetë, i kujton Kishës se duhet t’i ngulë sytë mbi çka bota e injoron me vetëdije:

“Ai i kujton secilit prej nesh se duhet t’i kushtojë vëmendje asaj, që të tjerët e flakin tutje. Në këtë kuptim është vërtet mjeshtër i thelbësores: na kujton se çka vlen me të vërtetë, nuk e tërheq menjëherë vëmendjen tonë, por kërkon shqyrtim durimtar për t’u zbuluar e për t’u vlerësuar. T’i lutemi Atij të ndërmjetësojë që mbarë Kisha ta rifitojë këtë shikim, këtë aftësi për ta shoshitur e për ta vlerësuar thelbësoren. Të rinisemi nga Betlehemi, të rinisemi nga Nazareti”.

Një mesazh shprese nga Shën Jozefi

Papa e përfundoi katekizimin me një mesazh shprese, drejtuar “të gjithë burrave e grave, që jetojnë në kushte të rënda jetese”: “Gjetshi në Shën Jozefin - uroi - dëshmitarin dhe mbrojtësin, në të cilin mund t’i ngulni sytë plot me shpresë”. E u ofroi edhe një lutje “për t’u thënë në shtëpi”, me të cilën mund t’i drejtohen Fatit të Marisë:

“O Shën Jozef, ti që i besove gjithmonë Zotit e zgjodhe udhët, ku të printe Provania, na mëso të mos mbështetemi shumë mbi planet tona, por mbi planin e dashurisë Sate. Ti, që vjen nga periferitë, na ndihmo t’i drejtojmë sytë mbi çka bota e përbuz dhe e shikon si hedhurinë! Ngushëlloje kë  ndjehet i vetmuar e edhe atë, që përpiqet në heshtje për të mbrojtur jetën e dinjitetin e njeriut. Amen!”.

17 nëntor 2021, 12:27

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >