Kërko

Papa, klerit sllovak: Kisha të dëshmojë liri, krijimtari dhe dialog

Papa Françesku i inkurajoi ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët e Sllovakisë të punojnë për një Kishë të përvuajtur, që përçon lirinë e Ungjillit, krijimtarinë e fesë dhe dialogun, që sjell bashkim.

R.SH. - Vatikan

“Jam këtu për të ndarë me ju udhën, pyetjet, pritjet dhe shpresat e kësaj Kishe dhe të këtij vendi”. Ishte më se i qartë Papa Françesku, ndërsa u shpjegonte qëllimin e vizitës së tij në Sllovaki, ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve, seminaristëve dhe katekistëve, që i takoi sot në katedralen e Shën Martinit, në Bratislavë. Takimi i dytë i ditës së dytë të shtegtimit të tij apostolik në Budapest e Sllovaki.

Qendra e Kishës nuk është Kisha!

Në katedralen ku Beethoven dirigjoi të parën Missa solemnis (op.123) më 1835 e ku janë varrosur njerëzit më të shquar të vendit, Papa Françesku i kërkoi klerit sllovak një Kishë që të ecë e bashkuar, me pishtarin e Ungjillit të ndezur, pa u distancuar nga bota. Qendra e Kishës nuk është Kisha, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke i këshilluar ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët të jetojnë me njerëzit, të ndajnë me ta shqetësimet e problemet, të kuptojnë cilat janë pyetjet e pritjet e tyre.

“Kisha është bashkësi, që dëshiron të tërheqë drejt Krishtit me gëzimin e Ungjillit, është tharmi, që bën të rritet Mbretëria e dashurisë dhe e paqes brenda brumit të botës. Ju lutem, të mos dorëzohemi para tundimit të madhështisë, madhështisë së kësaj bote! Kisha duhet të jetë e përvuajtur si Jezusi, i cili hoqi dorë nga çdo gjë, u bë i varfër për të na pasuruar (shih 2 Kor 8,9): kështu, erdhi të banojë mes nesh dhe ta shërojë njerëzimin tonë të plagosur”.

Marrëdhënie të lira me Zotin

Për të shpjeguar si mund të realizohet kjo, Papa Françesku u bazua në tri fjalë: liri, krijimtari e dialog. Duke kujtuar lirinë e humbur gjatë komunizmit e të rifituar pas rënies së tij, Ati i Shenjtë, ashtu siç bëri edhe dje, nënvizoi se nuk është e lehtë të jesh vërtet i lirë. Nganjëherë, është më lehtë të bëjmë siç na thotë opinioni publik, mass media, duke mbajtur qëndrime “si gjithë të tjerët” për të mos i krijuar probleme vetes. Por edhe kur Populli i Zotit u çlirua nga Egjipti, përmendi Papa Biblën, iu desh të kalonte nëpër shkretëtirë për të qenë vërtet i lirë. Liria ka çmim të lartë, por nuk duhet të kthehemi në gjendjen e atyre, të cilët kishin mall për qepët e sigurta të Egjiptit, në vend që të shfrytëzonin të gjitha mundësitë, që u jepte liria e fituar. Papa përmendi sërish Dostojevskin e “Legjendën e Inkuizitorit të Madh” për t’i thënë klerit sllovak, ashtu siç i tha dje edhe atij hungarez, se “në jetën shpirtërore dhe kishtare tundohemi të kërkojmë një paqe të rreme, që na lë të qetë, në vend të zjarrit të Ungjillit, që na bën të shqetë e na shndërron”. Por një Kishë pa aventurën e Ungjillit, paralajmëroi Papa, mbyllet në vetvete, nuk u lë njerëzve liri shpirtërore:

“Mos kini frikë t’i formoni njerëzit për marrëdhënie të pjekura dhe të lira me Zotin. Janë të rëndësishme këto marrëdhënie! Kjo, ndoshta, do të na krijojë përshtypjen se nuk mund të kontrollojmë gjithçka, se mund të humbasim forcën dhe autoritetin; por Kisha e Krishtit nuk dëshiron t’i dominojë ndërgjegjet dhe t’i pushtojë hapësirat, ajo dëshiron të jetë një ‘gurrë’ shprese në jetën e njerëzve”.

Krijimtaria: një “alfabet” i ri për kumtimin e Ungjillit

Kisha të jetë shenjë lirie e mikpritjeje, nënvizoi Papa, jo si një nunc, për të cilin – tregoi Ati i Shenjtë – një ipeshkëv më shkruante: “Kemi qenë 400 vjet nën turkun e kemi vuajtur shumë. Pastaj, 50 vjet nën komunizëm e, edhe atëherë vuajtëm shumë. Por shtatë vitet me këtë nunc kanë qenë edhe më keq”. Duke theksuar edhe një herë nevojën e lirisë së Ungjillit në Kishë, Ati i Shenjtë kaloi në shpjegimin e fjalës e të udhës së dytë për të qenë në qendër të jetës së Popullit të Zotit: krijimtaria.

Papa kujtoi shenjtorët Cirili e Metodi, ungjillëzuesit e trojeve sllave, të cilët aq shumë u inkulturuan në jetën e popujve, të cilëve u predikonin, sa të shpiknin edhe një alfabet të ri për ta. Edhe sot, nënvizoi Françesku, Kishës i duhet të gjejë një “alfabet të ri”, një mënyrë të re për ta kumtuar Ungjillin, sidomos kur kemi përpara një brez, që e ka humbur sensin e fesë, ose e ka kthyer atë thjesht në zakon. E nëse deri në këtë çast, Papa shtoi ndonjë frazë aty-këtu në reflektimin e tij, në këtë pikë e la mënjanë letrën e shkruar për të folur lirisht mbi homelinë, e cila, nënvizoi, nuk duhet të jetë 40 minuta, por më së shumti 10-15 minuta e, në këtë rast, madje, duhet të jetë shumë e bukur që njerëzit ta dëgjojnë:

“Një profesor i homiletikës, që kam pasur, thoshte se homelia duhet të ketë koherencë të brendshme: një ide, një imazh dhe një ndjenjë; njerëzit duhet të largohen me një ide, një imazh dhe diçka, që u ka lëvizur në zemra. Kaq i thjeshtë është kumtimi i Ungjillit! E kështu predikonte Jezusi, që merrte si shembull zogjtë, fushat… këtë bënte... Me gjëra konkrete, që njerëzit i kuptonin”.

Dialogu e shembulli i kardinalit Korec

Ta mbjellim kështu farën e Ungjillit, e këshilloi Papa klerin sllovak, e pastaj, ta lëmë Zotin të kujdeset për rritjen e saj. Të kultivojmë dialogun me gjithë të krishterët e edhe me ata, që nuk besojnë, vijoi më tej Ati i Shenjtë, duke përvijuar udhën e tretë. Ju keni një proverb të bukur, u tha sllovakëve: “Kujt të gjuan me gurë, jepi një copë bukë”. Kjo na frymëzon. E këtu, Papa paraqiti një nga shembujt më të ndritur të historisë së Sllovakisë:

“Më ka bërë shumë përshtypje një veçanti në historinë e kardinalit Korec. Ka qenë kardinal jezuit, i persekutuar nga regjimi, i burgosur, i detyruar të bënte punë tejet të rënda, derisa u sëmur. Kur erdhi në Romë për Jubileun e vitit 2000, ai shkoi në katakombe dhe ndezi një qiri për persekutuesit e vet, duke i kërkuar Zotit mëshirë për ta. Ky është Ungjilli! Ky është Ungjilli! Rritet në jetë dhe në histori përmes dashurisë së përvuajtur, përmes dashurisë plot durim”.

Po mbjell një farë me këto fjalë, tha Papa, para se t’u jepte bekimin të gjithëve. “Të shohim a do të bëhet pemë”.

13 shtator 2021, 13:04