Kërko

Takimi ekumenik në nunciaturën apostolike të Bratislavës Takimi ekumenik në nunciaturën apostolike të Bratislavës

Papa në Bratislavë: vështirë të ëndërrohet një Evropë pa ideologji nëse të krishterët janë të ndarë

“Ta jetojmë fenë të lirë”. Të lirë nga skllavëria e privilegjeve. Të lirë nga “llogaritë e leverdisë” dhe nga “lidhjet politike”, që mund ta pengojnë udhën ekumenike dhe rizbulimin e rrënjëve të krishtera të Evropës. Fjalim i gjatë, ku ngërthehen citimet nga Dostojevskij dhe poeti sllovak Samo Chalupka, Gjon Pali II dhe shenjtorët Cirili e Metodi, ai që Papa Françesku i drejtoi Këshillit Ekumenik të Kishave të Sllovakisë.

R.SH. - Vatikan

Pasdite, pas meshës për mbylljen e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, Papa Françesku u zhvendos në Bratislavë – “2 orë me makinë”, siç pati thënë kur përgatiste vizitën. Në kryeqytetin e Sllovakisë, takimi i parë ishte ai ekumenik, me gjithë të krishterët e vendit, që kanë si pikë referimi Këshillin Ekumenik të Kishave, me 11 Kisha anëtare e me Konferencën Ipeshkvnore Katolike si vëzhguese.

Pas komunizmit, rreziku i një skllavërie tjetër

Ati i Shenjtë shprehu kënaqësinë që takimi ekumenik ishte i pari ndër veprimtaritë e tij në Sllovaki. “Udha e bashkësive tuaja – u tha krerëve të krishterë – rinisi pas viteve të persekutimit ateist, kur liria fetare pengohej, ose të vihej rëndë në provë. Pastaj, më në fund, mbërriti. E tani, ju bashkon një pjesë e rrugës, në të cilën provoni sa bukur, por njëkohësisht, edhe sa e vështirë është ta jetoni fenë si njerëz të lirë”. Mund të ktheheni në skllevër, paralajmëroi Papa, jo të një regjimi, por të një skllavërie edhe më të keqe, asaj shpirtërore.

 Papa e ilustroi mendimin e tij me historinë e përshkruar nga Dostojevskij, në librin “Legjenda e Inkuizitorit të Madh”, ku Inkuizitori i drejtohet Krishtit të kthyer në Tokë e të burgosur, duke e akuzuar se u ka dhënë tepër liri njerëzve, që nuk janë në gjendje të jetojnë me të, sepse s’kërkojnë veçse “një krodhe bukë e pako gjë tjetër”. Prandaj, janë gati t’ia sheshin lirinë çdo diktatori, që u premton bukë e siguri. E Ati i Shenjtë u bën thirrje të krishterëve ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të mos u kënaqur me “një krodhe bukë e pako gjë tjetër”, me rehatitë e përkohshme, por të jetojnë me lirinë e Krishtit.

Liria e të krishterëve nuk është e plotë pa bashkim

“Duke u kënaqur me bukë e siguri – ngriti zërin Papa Françesku - a mos vallë e kemi humbur hovin në kërkimin e bashkimit, për të cilin u lut Jezu Krishti, një bashkim që sigurisht kërkon lirinë plot maturi të vendimeve jo të lehta, kërkon sakrifica, por është premisa që bota të besojë (shih Gjn 17,21)? Të mos shqetësohemi vetëm për sa mund të përfitojnë secila nga bashkësitë tona. Liria e vëllait dhe e motrës është edhe liria jonë, sepse liria jonë nuk është e plotë pa ta”.

Kundrimi e veprimi

Duke iu referuar Shenjtorëve Cirili e Metodi, ungjillëzues të trojeve sllave, Papa pyeti si mund të urojmë që Evropa të rigjejë rrënjët e saj të krishtera, nëse të krishterët nuk janë të bashkuar ndërmjet tyre. “Si mund të ëndërrojmë një Evropë të lirë nga ideologjitë, nëse ne, si të krishterë, nuk kemi guximin për ta konsideruar lirinë e dhuruar nga Krishti më të rëndësishme se nevojat e grupeve të veçanta të besimtarëve?” Për të ecur në udhën e bashkimit, Papa këshilloi “kundrimin”, tipar dallues i popujve sllavë, për të cilin ka shumë nevojë Perëndimi i krishterë, që të rigjejë bukurinë e adhurimit të Zotit e të mos e shohë bashkësinë e fesë vetëm duke u bazuar në frytshmërinë e saj programatike e funksionale. Ndërsa, përsa i përket “veprimit”, Papa nënvizoi se bashkimi nuk arrihet veç me qëllime të mira e me shpalljen e vlerave të përbashkëta, por duke bërë diçka së bashku për ata, që na afrojnë më shumë me Zotin, pra, për të varfrit.

Në tryezë, dhurata e Zotit

Edhe për këtë këshilloi traditën e popullit sllovak, mikpritja e të cilit për të tjerët shprehet bukur në një poezi të njohur: “Kur në portë troket me besim të sinqertë dora e të huajit: kushdo qoftë, vjen nga afër a nga larg, ditën a natën, do të gjejë në tryezë dhuratën e Zotit, që e pret” (SAMO CHALUPKA, Mor ho!, 1864).

Pas takimit ekumenik, Papa Françesku e mbylli ditën e parë të udhëtimit të tij apostolik në Budapest e Sllovaki, me sivëllezërit e tij jezuitë, që erdhën për ta parë në nunciaturën apostolike të Bratislavës. Nesër, Ati i Shenjtë ka një sërë takimesh të tjera, gjithnjë në Bratislavë.

12 shtator 2021, 17:23