Lutja mariane, nga Gemelli
R. SH. - Vatikan
“E di se në këto ditë, e posaçërisht në këtë orë të Mbretëreshës Qiellore, jeni pranë meje. Ju falënderoj, i prekur thellë nga lutjet tuaja e ju bekoj të gjithë! Jam posaçërisht pranë dy të plagosurve njëherësh me mua! Lutem edhe për vëllain, që më qëlloi, të cilin e kam falur sinqerisht. I bashkuar me Krishtin, Meshtar e Viktimë, i ofroj vuajtjet e mia për Kishën e për botën. E Ty, Mari, të përsëris: “Totus tuus ego sum!”- “Jam krejt Yti!”
Është data 17 maj 1981. Ditë e diel. Zëri i Gjon Palit II jehon rishtas në Sheshin e Shën Pjetrit përmes një mesazhi, regjistruar në Spitalin Gemelli, ku katër ditë më parë, më 13 maj, qe shtruar me ngut, pas atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit. E nga ky spital u drejtoi besimtarëve 22 herë lutjen e Engjëllit e të Mbretëreshës Qiellore. Jehon edhe sot e kësaj dite në kujtesën e besimtarëve zëri i Gjon Palit II, që flet për dhimbjen “e pranuar në bashkim me Krishtin e vuajtur”. Papa pati ndenjur në spital deri më 3 qershor, por u detyrua të shtrohej përsëri më 20 qershor e më 14 gusht, për shkak të infektimit nga cytomegalovirus e edhe për një ndërhyrje kirurgjikale, programuar si pasojë e asaj, që i shpëtoi jetën. Nga Gemelli, gjatë këtyre shtrimeve, e pati kremtuar tri herë Mbretëreshën Qiellore e tetë herë Engjëllin e Tënzot.
Ungjilli i vuajtjes, me Papën e Mijëveçarit të Tretë të Krishterimit
Gjatë shtrimit të tretë, më 12 korrik 1992, kremtoi dy herë Engjëllin nga Gemelli. Më 26 korrik u duk nga dritarja e spitalit. Më pas, gjatë shtrimit të vitit 1994, nga fundi i prillit e deri më 27 maj, për shkak të thyerjes së qafës së djathtë femorale, u duk katër herë në dritare për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Në lutjen e 29 majit, pas rikthimit në Vatikan, foli, me fjalë shumë prekëse, për kuptimin e dhimbjes, duke e lidhur me dhimbjen, që iu desh ta provonte në trupin e vet. “Kuptova - pati thënë - se duhet t’i prij Kishës së Krishtit në këtë mijëveçar të tretë me lutje e me nisma të ndryshme, por e pashë se kjo nuk mjafton: më duhet t’i prijë kryesisht me dhimbje, me atentatin e 13 vjetëve më parë, me këtë flijim të ri”. E, më pas, shtoi: “Po pse tani? Pse në këtë Vit të Familjes? Pikërisht sepse familja kërcënohet, familja rrezikohet. Prej këndej, duhet të kërcënohet edhe Papa, duhet të vuajë edhe Papa, që të gjitha familjet e botës ta shikojnë se ka një Ungjill, do të thosha, më të lartë: është Ungjilli i vuajtjes, me të cilën duhet përgatitur ardhmëria, mijëveçari i tretë i familjeve, i çdo familjeje, i të gjitha familjeve!”.
Vatikani n. 3
U duk, më pas në dritare, për Engjëllin e Tënzot të vitit 1996, më 13 tetor, kur e quajti Poliklinikën Gemelli “Vatikani n.3”, pas Sheshit të Shën Pjetrit e Castel Gandolfos. Kremtoi edhe katrë lutje të tjera të Engjëllit të Tënzot, gjatë shtrimeve të vitit 2005, në shkurt e në mars. Teksti i Atit të Shenjtë u lexua asokohe nga zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, Leonardo Sandri. Mbeti e vulosur në mendje e në zemra, data 13 mars, kur nga dritarja e katit X të Spitalit Gemelli, Gjon Pali II shqiptoi me vështirësi ndonjë fjalë në publik, pas tracheotomisë, për të bekuar e për të përshëndetur mbarë njerëzimin, me të cilin, edhe në kulmin e vuajtjes, kishte mbetur gjithnjë i bashkuar!
E, pas pak, sytë e besimtarëve do të drejtohen përsëri kah ky vend, ashtu si atëhere kur këtu mjekohej Gjon Pali II. Për të ndjekur lutjen e një Pape po aq të dashur nga të gjithë besimtarët e botës!