2021.07.11 attesa fedeli dell'angelus di Papa Francesco dalla finestra dell'ospedale Gemelli 2021.07.11 attesa fedeli dell'angelus di Papa Francesco dalla finestra dell'ospedale Gemelli  

Lutja mariane, nga Gemelli

Sot Papa Françesku do ta kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga kati i 10-të i Poliklinikës Universitare Agostino Gemelli, ku u shtrua të dielën e kaluar. Ndaj sytë e besimtarëve drejtohen kah ky vend, ashtu si atëhere kur këtu mjekohej Gjon Pali II.

R. SH. - Vatikan 

“E di se në këto ditë, e posaçërisht në këtë orë të Mbretëreshës Qiellore, jeni pranë meje. Ju falënderoj, i prekur thellë nga lutjet tuaja e ju bekoj të gjithë! Jam posaçërisht pranë dy të plagosurve njëherësh me mua! Lutem edhe për vëllain, që më qëlloi, të cilin e kam falur sinqerisht. I bashkuar me Krishtin, Meshtar e Viktimë, i ofroj vuajtjet e mia për Kishën e për botën. E Ty, Mari, të përsëris: “Totus tuus ego sum!”- “Jam krejt Yti!”

Është  data 17 maj 1981. Ditë e diel. Zëri i Gjon Palit II jehon rishtas në Sheshin e Shën Pjetrit përmes një mesazhi, regjistruar në Spitalin Gemelli, ku katër ditë më parë, më 13 maj, qe shtruar me ngut, pas atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit. E nga ky spital u drejtoi besimtarëve 22 herë lutjen e Engjëllit e të Mbretëreshës Qiellore. Jehon edhe sot e kësaj dite në kujtesën e besimtarëve zëri i Gjon Palit II, që  flet për dhimbjen “e pranuar në bashkim me Krishtin e vuajtur”. Papa pati ndenjur në spital  deri më 3 qershor, por u detyrua të shtrohej përsëri më 20 qershor e më 14 gusht, për shkak të infektimit nga cytomegalovirus e edhe për një ndërhyrje kirurgjikale, programuar si pasojë e asaj, që i shpëtoi jetën. Nga Gemelli, gjatë këtyre shtrimeve, e pati kremtuar tri herë Mbretëreshën Qiellore e tetë herë Engjëllin e Tënzot.

Ungjilli i vuajtjes, me Papën e Mijëveçarit të Tretë të Krishterimit

Gjatë shtrimit të tretë, më 12 korrik 1992, kremtoi dy herë Engjëllin nga Gemelli. Më 26 korrik u duk nga dritarja e spitalit. Më pas, gjatë shtrimit  të vitit 1994, nga fundi i prillit e deri më 27 maj, për shkak  të thyerjes  së qafës së djathtë femorale, u duk katër herë në dritare për lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Në lutjen e 29 majit, pas rikthimit në Vatikan, foli, me fjalë shumë prekëse, për kuptimin e dhimbjes, duke e lidhur me dhimbjen, që iu desh ta provonte në trupin e vet. “Kuptova - pati thënë - se duhet t’i prij Kishës së Krishtit në këtë mijëveçar të tretë me lutje e me nisma të ndryshme, por e pashë se kjo nuk mjafton: më duhet t’i prijë kryesisht me dhimbje, me atentatin e 13 vjetëve më parë, me këtë flijim të ri”. E, më pas, shtoi: “Po pse tani? Pse në këtë Vit të Familjes? Pikërisht sepse familja kërcënohet, familja rrezikohet. Prej këndej, duhet të kërcënohet edhe Papa, duhet të vuajë edhe Papa, që të gjitha familjet e botës ta shikojnë se ka një Ungjill, do të thosha, më të lartë: është Ungjilli i vuajtjes, me të cilën duhet përgatitur ardhmëria, mijëveçari i tretë i familjeve, i çdo familjeje, i të gjitha familjeve!”.

Vatikani n. 3  

U duk, më pas në dritare, për Engjëllin e Tënzot  të vitit 1996, më 13 tetor, kur e quajti Poliklinikën Gemelli “Vatikani n.3”, pas Sheshit të Shën Pjetrit e Castel Gandolfos. Kremtoi edhe katrë lutje të tjera të Engjëllit të Tënzot, gjatë shtrimeve të vitit 2005, në shkurt e në mars. Teksti i Atit të Shenjtë u lexua asokohe nga zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, Leonardo Sandri. Mbeti e vulosur në mendje e në zemra, data 13 mars, kur nga dritarja e katit X të Spitalit Gemelli, Gjon Pali II shqiptoi me vështirësi ndonjë fjalë në publik, pas tracheotomisë, për të bekuar e për të përshëndetur mbarë njerëzimin, me të cilin, edhe në kulmin e vuajtjes, kishte mbetur gjithnjë i bashkuar!

E, pas pak, sytë e besimtarëve do të drejtohen përsëri kah ky vend, ashtu si atëhere kur këtu mjekohej Gjon Pali II. Për të ndjekur lutjen e një Pape po aq të dashur nga të gjithë besimtarët e botës!

11 korrik 2021, 11:06