Kërko

Vatican News
Shën Norberti Shën Norberti 

Papa Premostratensëve: gjithnjë me zemër të hapur për mikpritje

Ditën kur përkujtohet Shën Norberti, Françesku i shkruan një letër abatit Wouters, me rastin e 900-vjetorit të themelimit të abacisë Prémontrè, në Francë. Papa e nxit bashkësinë e përhapur në të pesë kontinetet, të udhëhiqet gjithnjë nga Ungjilli, duke dëgjuar Zotin e vëllezërit.

R. SH. - Vatikan

Apostull i paqes, i Eukaristisë, predikatar i palodhshëm, me zemër të hapur për kë kërkonte ndihmë apo thjesht një lutje! Papa Françesku i kujtoi, kështu, karakteristikat e Shën Norberti, në Letrën drejtuar atë Jozef Wouters, abat i përgjithshëm i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens, me rastin e Jubileut të shpallur për të kremtuar 900-vjetorin e Abacisë Prémontré dhe lindjen e bashkësisë së parë,  nga e cila e ka zanafillën.

Ndjeshmëri e re

Françesku e kujtoi Shën Norbertin, lindur më 1075, në Xanten të Gjermanisë, si “një nga autorët më inkurajues të reformës gregoriane”,  përshkoi jetën dhe thirrjen, që i lindi ndërsa Kisha kalonte një periudhë lulëzimi. “Nuk mungonin - shkruan Papa - burra e gra të frymëzuar nga Zoti, që nisën të vënë në diskutim lidhjet e drejtuesve të Kishës me interesa thjesht mondane. Norberti ishte një prej tyre!”. Prej këndej,  vendosi të hiqte dorë nga jeta oborrtare e  të ndiqte  rrugën e apostujve, duke rrokur Rregullën e Shën Agostinit.

 Bashkësitë e Urdhërit tuaj - kujton Papa - e pranuan këtë trashëgimi e, që prej nëntë shekujsh, e vijojnë misionin me frymën  e Rregullës së Shën Agostinit, duke i qëndruar besnikë meditimit dhe predikimit të Ungjillit e duke marrë forcë nga Misteri Eukaristik, burim e kulm i jetës së Kishës.

Dëshmitarë të Ungjillit

Takimi me Papën Gelasi II e nxiti të bëhej prediktar i flaktë apostolik. “Sot, më shumë se kurrë, i dashur vëlla, kumtimi i Lajmit të Mirë - shkruan Papa - është i nevojshëm e kërkon nga ana e të gjithëve, posaçërisht e meshtarëve, angazhim fisnik e koherencë ndërmjet mesazhit të shpallur e jetës personale dhe komunitare”. Norberti qe shërbëtor besnik i Ungjillit e bir i dashur i Kishës, plot bindje ndaj Papës. Shëronte të sëmurët gjatë rrugës, dëbonte shpirtrat e këqij e kishte aftësinë t’i shuante sherret e t’u jepte fund hakmarrjeve ndërmjet familjeve fisnike. Ndaj u quajt “Apostull i paqes”.

Më 1121 zgjodhi luginën e Prémontré, për t’i mbledhur aty ndjekësit e tij, duke formuar, kështu, bashkësinë e parë, me mision “që të lutej për e me Kishën mbarë”. Këtë jetë vijojnë të bëjnë bijtë e tij, të cilët Papa  i porositi që liturgjia e tyre të jetë gjithnjë “kanonikale”, apo ladv drejtuar Zotit për popullin e me popullin e Zotit.

06 qershor 2021, 15:44