Kërko

Vatican News

Papa: Jezusi nuk na braktis kurrë, në çdo çast i mbështet lutjet tona

Lutja e vazhdueshme e Jezusit për dishepujt e tij, e sot për secilin prej nesh, ishte në qendër të reflektimit të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan. Ungjijtë, kujtoi Papa, na e përshkruajnë Krishtin në bisedë me Atin, në çastet më tragjike të jetës së Tij, në lutje, kur i duhet ta mbrojë fenë e dishepullit, që thirret për ta dëshmuar. Në çdo çast Ai i mbështet lutjet tona, “edhe nëse rrezikohen nga një fe e lëkundur”.

R.SH. - Vatikan

Fjalët e Papës në audiencën e përgjithshme të së mërkurës vijnë gjithnjë pas gjesteve: në Oborrin e Shën Damasit, Ati i Shenjtë Françesku ndalet një copë herë për t’i përshëndetur pothuajse një për një besimtarët e shumtë, ardhur për këtë takim. Të duket sikur dëshiron ta vërë në vend kohën e humbur, kur iu desh të hiqte dorë, për shkak të pandemisë. Dialoge, shtrëngime duarsh, autografe, bekime të të vegjëlve e të moshuarve, dhurata, lule: ndjenjat që  e lidhin Papën me besimtarët, tejet të dukshme, të prekin në shpirt. E të duket sikur i paraprijnë katekizmit, që sot vë në dukje dashurinë dhe kujdesin që ka Krishti për dishepujt e tij.

Dashuria e Jezusit për dishepujt, fryt i bashkimit me Atin

Fragmenti i Ungjillit, i lexuar në fillim të audiencës, është shkëputur nga Luka. Ritakohemi me Jezusin, rrethuar nga dishepujt, në Darkën e Mbrame. E dëgjojmë duke folur me dishepujt e vet e duke u thënë: “Ju jeni ata, që ngulmuan bashkë me mua në provat e mia, e unë po përgatis për ju një mbretëri, ashtu si ajo, që përgatiti Ati im për mua. “Simon, Simon, ja: Shejtani ju kërkoi për t’ju shoshitur si grurin, e unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu”. Jezusi, pra, lutet në çastin e vendimeve e të ngushticave më të vështira të shtigjeve tokësore. Kur deshi t’i zgjidhte ata, që më pas do të bëheshin apostujt e tij, Jezusi u ngjit mbi mal për t’u lutur e kaloi aty gjithë natën e lume, në bisedë me Zotin. Në të zbardhur të dritës, zgjodhi të dymbëdhjetët:

“Po të gjykojmë, pastaj, sesi do të sillen këta njerëz, do të na duket se zgjedhja nuk qe nga më të mirat” - këtë kujtoi në vijim Papa - por kjo dëshmon se pikërisht këta emra qenë shkruar në planet e Zotit”.

Jezusi lutet për secilin prej nesh, këtë çast  

Jezusi, pastaj, i ka në zemër dishepujt e Tij e lutet për ta, edhe kur gabojnë. Lutet! Sepse është mësues e mik “gjithnjë i gatshëm të presë me durim kthesën e dishepullit” - pohoi Papa - e të prek thellë koha kur, si ke gabuar, merr vesh se as në këtë kohë nuk të mungon dashuria e Jezusit. E, duke folur lirisht, Papa shtoi:

“Por, o Atë, edhe nëse unë kam rënë në mëkat mortar, në mua vijon të jetë e pranishme dashuria e Jezusit? Po! E Jezusi vijon të lutet për mua? Po, po! Po nëse unë s’kam lënë gjë pa bërë… Vijon prap se prap Jezusi? Po. Dashuria e Jezusit, lutja e Jezusit për secilin prej nesh nuk pushon kurrë, madje bëhet gjithnjë më e dendur e ne, mëkatarët, jemi në qendër të lutjes së Tij! Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë! Jezusi lutet për mua, lutet në këtë çast, para Atit e i tregon plagët, të cilat i mori me vete, që Ati ta shikojë pambarimisht haraçin e paguar për shëlbimin tonë, e dashurinë e pambaruar, që ka për ne. Por në këtë çast secili nesh mendon: pikërisht tani Jezusi po lutet për mua? Po. E ne duhet të jemi të sigurt për këtë”.

Lutja, në kthesat e rrëpirta të  jetës

Jezusi lutet posaçërisht në çastin kur vërteton fenë e dishepujve, kur i pyet, së pari, çka thotë turma për Të, e pastaj edhe çka mendojnë ata vetë. E Pjetri përgjigjet në emër të të gjithëve: “Ti je Krishti i Zotit”:

“Kthesat e mëdha të misionit të Jezusit paraprihen gjithnjë nga lutja, por jo kalimthi. Lutja e tij është e thellë, e gjatë. Ky vërtetim i fesë duket si pikarritje, ndërsa është pikënisje e re për dishepujt. Që në atë çast e tutje  është sikur Jezusi të fliste haptazi për mundimet, vdekjen e ngjalljen. Në këtë perspektivë, si për dishepujt, ashtu edhe për ne që e lexojmë Ungjillin, lutja është i vetmi burim drite e force. Duhet të lutemi me gjithë shpirt, sa herë që  na duhet të ecim shtigjeve të thepisura”.

Britma e Kryqit përmbledh të gjitha pyetjet tona

Papa citoi, pastaj episodin e Shndërrimit: “Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin e Jakobin e u ngjit mbi mal për t’u lutur. E  ndërsa lutej, i ndërroi fytyra, lexojmë në Ungjill. E ky shndërrim - kujtoi Françesku, është përshpejtim i dukjes së lavdisë së Jezusit, pasojë e lutjes, ndërsa Biri ishte në bashkim të plotë me Atin”.

E Papa vijoi:;

“Nga ky përshkim i shpejtë nëpër faqet e Ungjillit, mësojmë se Jezusi jo vetëm që dëshiron të lutemi, si lutet Ai vetë, por na siguron se, edhe  po të jenë krejt të kota e të pafryt  provat  e lutjes, ne duhet ta kemi gjithnjë parasysh vlerën e pallogaritshme të saj. Duhet të jemi të vetëdijshëm: Jezusi lutet për mua".

Unë Pjetri, lutem për ty

Në vijim Papa tregoi sesi një ipeshkëv, në një çast të vështirë të jetës së tij,  duke parë Bazilikën e Vatikanit, vërejti një mbishkrim, që thoshte: “Unë, Pjetri, do të lutem për ty!”. Këto fjalë i dhanë forcë e ngushëllim:

“E kjo ndodh sa herë ndonjëri nga ne e di se Jezusi lutet për të. Jezusi lutet për ne. Në këtë çast, në këtë çast. Bëjeni këtë ushtrim me kujtesë e përsëriteni. Kur ndodheni para ndonjë vështirësie, kur ju rrëmben ‘në orbitë’ dëfrimi: Jezusi po lutet për mua! Po, o Atë, thua të jetë e vërtetë kjo? Është e vërtetë! Na e thotë Ai vetë. Nuk duhet ta harrojmë kurrë se secilin prej nesh e mbështet fuqimisht lutja e Jezusit, që lutet për secilin prej nesh, me emër e mbiemër, para Atit, duke i treguar plagët që janë çmim i paguar për shëlbimin tonë”.

Jezusi e mbështet lutjen tonë

Papa Françesku e përfundoi katekizmin duke pohuar se edhe po të jenë lutjet tona vetëm bëlbëzime, nuk duhet ta vëmë në dyshim se arrijnë në Qiell, sepse mbështetemi nga lutja e Jezusit. Edhe kur nuk dimë fare të lutemi. Lutet Ai për ne, edhe në çastin e provës, edhe në çastin e  mëkatit. Jezusi lutet gjithnjë për ne!

02 qershor 2021, 12:29

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >