Kërko

Vatican News

Papa Françesku: lutja që buron nga zemra, na çon përdore tek Zoti

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa reflektoi për vlerën e uratës së dalë nga shpirti, duke kujtuar se “fjalët e pëshpëritura” janë të vetmet që ia drejtojnë Zotit “pyetjet të cilat ka dëshirë t’i dëgjojë”. Është lutja e të thjeshtëve, Atyna, që na e mësoi vetë Jezusi.

R. SH. - Vatikan

Lutja është dialog me Zotin, e çdo krijesë “dialogon” në një farë mënyre me Zotin. Në shpirtin e njeriut lutja bëhet fjalë, përgjërim, poezi… Fjala hyjnore u mishërua, e në mishin e çdo njeriu fjala rikthehet tek Zoti në lutje. Fjalët janë të vetmet të cilat, me siguri të plotë “ia drejtojnë Zotit pyetjet që Ai i Lumi dëshiron t’i dëgjojë”. Kështu u shpreh Papa në katekizimin e audiencës së sotme të  përgjithshme, mbajtur përsëri në bibliotekën e Pallatit Apostolik, pa praninë e publikut, për të respektuar kështu kufizimet, pasojë e pandemisë së Covid-19.

Duke vijuar  serinë e meditimeve kushtuar lutjes, Papa shpjegoi se lutja që del nga zemra, që përshpëritet nëpër dhëmbë ose thuhet në kor, është e nevojshme, si puna e dorës. Nëse lutja është dialog me Zotin, në  shpirtin e njeriut “bëhet fjalë, bëhet thirrje, këngë, poezi…”. Fjala na u dha për t’i fshehur ndjenjat - kujtoi Françesku - por edhe për të kundërtën, për të shprehur çka na zjen në zemër, çka na gëzon a na dhemb në thellësitë më të panjohura të shpirtit tonë njerëzor. Kështu fjalët i modelojnë ndjenjat:

“Bibla e edukon njeriun të flasë, ta nxjerrë gjithçka në dritën e fjalës,  që asgjë njerëzore të mos përjashtohet, të mos cenzurohet. Posaçërisht dhimbja është tejet e rrezikshme, nëse mbetet e mbuluar, e fshehur në skutat e shpirtit. Dhimbja e mbyllur brenda nesh, kur nuk mund të shprehet, kur nuk mund të shfrejë, e helmon shpirtin. E vret jetën”.

Prej këndej - sqaroi Papa  - Shkrimi Shenjt na mëson të lutemi  edhe me fjalë nganjëherë tejet të guximshme. Shkrimtarët  e Shkrimeve të Shenjta e dinë se në zemrën e njeriut “ka edhe ndjenja, që nuk mund t’i quash të urta, ka, madje, edhe urrrejtje…”. E kur këto ndjenja të shëmtuara trokasin në portën e zemrës sonë “duhet të kemi aftësinë t’ua “heqim kapsollën”, që të mos shpërthejnë e të na e rrënojnë shpirtin! E kjo mund të bëhet vetëm me lutje, me fjalën e Zotit. Në Psalmet gjejmë edhe shprehje shumë të ashpra kundër armiqve, “të cilat mësuesit shpirtërorë na mësojnë  se janë kundër djallit e edhe kundër mëkateve tona”, e megjithatë, janë fjalë  që i dëgjojmë shpesh në jetën tonë njerëzore:

“Janë aty për të dëshmuar se, po të mos ekzistonin përballë  dhunës fjalë, që mund t’i bëjnë të parrezikshme ndjenjat e këqija, që mund t’i bëjnë të padëmshme, bota do të kishte zhdukur qëkuri”.

Lutja e parë njerëzore është gjithnjë e thënë me zë. Të gjithë e dimë se të lutesh nuk do të thotë të përsërisësh ca fjalë, por se lutja e thënë me zë është më e sigurta e mund të thuhet kurdoherë, ndërsa ndjenjat, sado të fisme të jenë, “janë gjithnjë të paqarta, shkojnë e vijnë, na braktisin e rikthehen përsëri”. Edhe hiret e lutjes - kujtoi Papa - janë gjithashtu të paparashikueshme; ka çaste kur na braktisin, e madje edhe çaste kur na duket  se avullohen krejtësisht:

“Lutja e zemrës është misterioze e, në disa çaste, edhe e fshehur. Lutja, që shqiptohet me buzë, që pëshpëritet a thuhet në kor, është gjithnjë e nevojshme, si puna e dorës”.

Françesku citoi, në vijim, Katekizmin e Kishës Katolike i cili, në numrin 2701, pohon:

“Lutja e zëshme është pjesë e domosdoshme e jetës së krishterë. Dishepujve, të tërhequr nga lutja e heshtur, Mësuesi i tyre u mëson një lutje të shqiptuar me zë: Atynën”.

E në të gjen gjithçka do shpirti – komentoi Papa - që vijoi duke nënvizuar  se duhet të kemi përvujtërinë e disa pleqve që, kur janë në Kishë, ndoshta edhe pse nuk e kanë më dëgjimin e mprehtë të dikurshëm, i thonë me gjysëm zëri lutjet, të cilat i mësuan që kur ishin të mitur, duke e mbushur navatën me pëshpëritjet e tyre. Është një lutje, që nuk e trazon heshtjen, por dëshmon besnikërinë ndaj detyrës për të thënë uratë, praktikuar gjatë gjithë jetës, e me gjithë zemër. Këta njerëz që luten me gjysëm zëri, e me shumë përvujtëri - sqaroi Papa - “shpesh herë janë ndërmjetësit e mëdhenj të famullive. Janë si lisat, që e zgjërojnë nga viti në vit kurorën e gjetheve, për t’u ofruar hije sa më shumë njerëzve, kur i përvëlon dielli i verës”:

“Vetëm Zoti e di kur e sa bashkohet me Të zemra e tyre, në sa pëshpërisin me gjithë shpirt lutjet: sigurisht edhe këta njerëz kanë përballuar net e çaste të errëta, boshe. Por gjithnjë me vetëdijen se me lutjen e zëshme mund të mbetesh gjithnjë besnik. Është si spirancë: kapesh për litarin e saj e rri aty, në besë të Zotit,  çkado që të ndodhë”.

Papa  Françesku solli, më pas, si shembull, “qëndresën e shtegtarit rus, për të cilin flitet në një nga veprat e famshme të përshpirtshme, i cili përsëriste pambarimisht të njëjtën lutje: “Jezus, Krisht, Bir i Zotit, Zot, ki mëshirë për ne mëkatarët!”.

“Nëse arrijnë hire në jetën e tij, nëse urata bëhet një ditë e përvëluar, aq sa të përceptojë praninë e Mbretërisë së Zoti mes nesh, nëse shikimi i tij  shndërrohet aq, sa të duket si shikim ferishtjeje, kjo ndodh sepse ngulmoi në përsëritjen e kësaj urate krejtësisht të thjeshtë. Kësaj lutjeje, që në fund “bëhet pjesë e frymëmarrjes së tij”. Histori e bukur, kjo e shtegtarit rus, të cilën secili prej nesh mund ta gjejë e ta lexojë - i këshilloi Papa besimtarët - sepse përmes tij do të mësojnë vlerën e lutjes së thjeshtë, të thënë me zë të lartë:

“Nuk duhet, pra, ta nënvleftësojmë lutjen e thënë me zë. Ndokush mund të thotë: ‘Eh, kjo është punë fëmijësh, njerëzish injorantë; unë jam në kërkim të lutjes së bërë me mendje, të meditimit, të boshllëkut të shpirtit, në pritje që aty të vijë vetë Zoti….’. Ju lutem, mos bini në mëkatin e krenisë, duke e përbuzur lutjen e bërë me zë. Eshtë urata e të thjeshtëve, ajo që na e mësoi vetë Krishti, Atynë që je në qiell…”.

Fjalët që shqiptojmë - përfundoi Françesku, “na marrin për dore. Në ndonjë çast na rikthejnë shijen, e zgjojnë edhe zemrën më të përgjumur e edhe ndjenjat që i patëm harruar. E na prijnë drejt përvojës së Zotit. “Fjalët e pëshpëritura” janë të vetmet që ia drejtojnë Zotit “pyetjet të cilat ka dëshirë t’i dëgjojë”. Është lutja e të thjeshtëve, Atyna, që na e mësoi vetë Jezusi. Krishti nuk na la në mjegull. Na tha: “Ju, kur të luteni, thoni kështu”. E na mësoi lutjen e Atynës!

21 prill 2021, 12:37

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >