Bota ta dëgjojë britmën e refugjatëve. Papa pret Filippo Grandi
R.SH. - Vatikan
Asnjëherë si vitet e fundit, veprimtaria e UNHCR-së - Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, agjenci e themeluar në dhjetor 1950 - nuk ka qenë kaq thelbësore për përballimin e emergjencave, si emigracioni, organizimi i kampeve për të ikurit nga luftërat, uria dhe persekutimet e të gjitha llojeve. Sot, Komisari i Lartë i këtij organizmi të OKB-së, Filippo Grandi, u prit në audiencë nga Papa Françesku. Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican Neës, Grandi vë në dukje punën e vështirë të dialogut, në një botë indiferente ndaj nevojave të më të varfërve dhe më të ligshtëve.
Temat e takimit, siç thotë Grandi në intervistë, kishin të bënin “pikërisht me kuadrin aktual të vështirë ndërkombëtar, në të cilin grupet më të prekura, ato me të cilat merremi ne - refugjatët, të zhvendosurit - janë veçanërisht të ekspozuar, sidomos ndaj pasojave ekonomike të pandemisë. Pastaj, edhe konteksti politik, i cili mbetet shumë i vështirë për këta njerëz, sepse është tejpolitizuar, por edhe mikpritja e tyre, e cila duhet të jetë gjest humanitar, siç na e kujton Papa Françesku, veçse shpesh bëhet temë e debatit politik. E më tej, situatat e veçanta: folëm për Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut, sidomos për eksodin e venezuelanëve, për Libanin: një vend në krizë të thellë. Folëm për Evropën dhe për nevojën që ajo të pajiset sa më shpejt me një mjet të përbashkët ligjor për të mirëpritur, identifikuar e integruar refugjatët. E mund të them se Atit të Shenjtë dhe ne kemi të njëjtin këndvështrim për këto çështje”.