Audienca e Papës Françesku me Komisarin e Lartë të UNHCR-së, Filippo Grandi Audienca e Papës Françesku me Komisarin e Lartë të UNHCR-së, Filippo Grandi

Bota ta dëgjojë britmën e refugjatëve. Papa pret Filippo Grandi

Emigracioni, luftërat, uria, varfëria, pandemitë, janë emergjencat, që prej vitesh kanë shkaktuar lëvizje të konsiderueshme të popullsisë drejt vendeve më të pasura. Këto dhe të tjera, janë temat e audiencës së Papës Françesku me Komisarin e Lartë të UNHCR-së, Filippo Grandi

R.SH. - Vatikan

Asnjëherë si vitet e fundit, veprimtaria e UNHCR-së - Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, agjenci e themeluar në dhjetor 1950 - nuk ka qenë kaq thelbësore për përballimin e emergjencave, si emigracioni, organizimi i kampeve për të ikurit nga luftërat, uria dhe persekutimet e të gjitha llojeve. Sot, Komisari i Lartë i këtij organizmi të OKB-së, Filippo Grandi, u prit në audiencë nga Papa Françesku. Në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican Neës, Grandi vë në dukje punën e vështirë të dialogut, në një botë indiferente ndaj nevojave të më të varfërve dhe më të ligshtëve.

         Temat e takimit, siç thotë Grandi në intervistë, kishin të bënin “pikërisht me kuadrin aktual të vështirë ndërkombëtar, në të cilin grupet më të prekura, ato me të cilat merremi ne - refugjatët, të zhvendosurit - janë veçanërisht të ekspozuar, sidomos ndaj pasojave ekonomike të pandemisë. Pastaj, edhe konteksti politik, i cili mbetet shumë i vështirë për këta njerëz, sepse është tejpolitizuar, por edhe mikpritja e tyre, e cila duhet të jetë gjest humanitar, siç na e kujton Papa Françesku, veçse shpesh bëhet temë e debatit politik. E më tej, situatat e veçanta: folëm për Amerikën Qendrore, Amerikën e Jugut, sidomos për eksodin e venezuelanëve, për Libanin: një vend në krizë të thellë. Folëm për Evropën dhe për nevojën që ajo të pajiset sa më shpejt me një mjet të përbashkët ligjor për të mirëpritur, identifikuar e integruar refugjatët. E mund të them se Atit të Shenjtë dhe ne kemi të njëjtin këndvështrim për këto çështje”.

16 prill 2021, 16:23