Kërko

Vatican News
Në Siri vijon lufta Në Siri vijon lufta 

Papa për Sirinë: bota ta ndihmojë vendosmërisht që t’i japë fund krizës

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i drejtoi një thirrje të re bashkësisë ndërkombëtare, “në favor të Sirisë së martirizuar”, dhjetë vjet pas fillimit të konfliktit, për t’i ngjallur shpresat “popullsisë së dërmuar”. Angazhimi i të gjitha palëve në konflikt, nënvizoi, duhet të jetë konstruktiv e solidar, që të heshtin armët, të ripërtrihet indi shoqëror, të nisë rindërtimi e ripërtëritja ekonomike.

R. SH. - Vatikan

Një thirrje e fuqishme, drejtuar “palëve në konflikt” në Siri, që të japin shenja vullnetmira për të hapur, kështu, shtegun e shpresës për popullsinë e dërmuar nga lufta”. Por edhe urimi për angazhim të vendosur  konstruktiv e solidar nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që  “të ulen armët e të mund të rikrijohet indi shoqëror, të rifillojë rindërtimi dhe ripërtritja ekonomike”.

Një nga katastrofat humanitare më të rënda të kohës sonë

 Kjo, ndërhyrja e Papës, pas lutjes së Engjëllit, në prag të dhjetëvjetorit të fillimit  të “konfliktit gjakatar në Siri, që shkaktoi një nga katastrofat më të rënda humanitare të kohës sonë". Papa kujtoi vuajtjet e Sirisë “së dashur e të martrizuar”:

“Një numër i papërcaktuar të vdekurish e të plagosurish, miliona refugjatë, mijëra të zhdukur, shkatërrime, dhunë e të gjitha natyrave e vuajtje mbinjerëzore për mbarë popullsinë, posaçërisht për më të ligshtit, si fëmijët, gratë, pleqtë”.

Këtë kuadër rrënqethës pikturoi Papa, për t’u kërkuar, më pas, të gjithëve ta lusin Zotin “që e tërë kjo vuajtje e Sirisë së dashur, të mos harrohet e që solidariteti të ngjallë shpresat, që duken të humbura!”.

E menjëherë pas, Papa i ftoi besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit të thonë së bashku një “Falemi Mari”

Thirrja e fundit, nga Iraku, në takimin ndërfetar të Urit

Siria po e jeton dhjetëvjetorin e fillimit të konfliktit, që shpërtheu më 15 mars të vitit 2011, me një bilanc tejet të rëndë: më se 400 mijë viktima, 12 milionë të shpërngulur e 12,4 milionë të tjerë, 60% e popullsisë, tronditur thellë nga pasiguria ushqimore. Papa, një javë më parë, në Irak, gjatë takimit në Rrafshin e Ur, i ftoi përfaqësuesit e të gjitha feve të kërkojnë në lutje që Lindja e Mesme, e posaçërisht “Siria e martirizuar”, të kalojë nga konflikti - në unitet, duke ecur në rrugën e paqes.

14 mars 2021, 13:26