Indonezi, Françesku lutet për viktimat atentatit në Katedrale
R. SH. - Vatikan
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit e të Palmave, Françesku kujtoi të gjitha viktimat e dhunës, duke u drejtuar besimtarëve thirrjen:
“Të lutemi për të gjitha viktimat e dhunës, posaçërisht për ato të atentatit që ndodhi sot paradite në Indonezi, para katedrales së Makassar”.
Java e Madhe, përsëri në kushtet e pandemisë
Papa kujtoi edhe një herë, pas Meshës, se tashmë kemi hyrë në Javën e Madhe. Duke shtuar edhe se këtë javë e jetojmë për herë të dytë në rrethanat e pandemisë. Vitin e kaluar ishim të tronditur - kujtoi - ndërsa sivjet jemi të raskapitur. E kriza ekonomike vijon të bëhet gjithnjë më e rëndë.
Po Zoti, ç’bën?
Panoramikë e pikturuar me dy penelata, nga Papa, e pasuar nga pyetja tronditëse: “Po Zoti, ç’po bën në këtë situatë historike e shoqërore? E nga përgjigjja edhe më tronditëse: “merr kryqin!”:
“Domethënë e merr mbi vete të keqen e këtij realitet, e keqe fizike, psikologjike e sidomos, shpirtërore, sepse Djalli i mallkuar përfiton nga kriza, për të mbjellë mosbesim, dëshpërim, sherr”.
Edhe ne mund ta përshkojmë Udhën e Kryqit
Po ne, ç’duhet të bëjmë? Na e tregon Virgjëra Mari - gjegji sakaq Papa - Nëna e Jezusit, që është edhe dishepulle e parë e Tij. Ajo e ndoqi hap pas hapi të Birin. E mori mbi vete pjesën e vet të vuajtjes, të errësirës, të tronditjes dhe e përshkoi udhën e mundimeve, duke e mbajtur ndezur në zemër pishtarin e fesë.
Si Kireneu
Me hirin e Zotit - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit - edhe ne mund ta bëjmë këtë rrugë. E, gjatë udhës së përditshme të Kryqit, takojmë fytyrat e vëllezërve e motrave të shumta, që kalojnë çaste të vështira: të mos bëjmë asnjë hap më tutje! Ta lëmë zemrën të preket nga mëshira. E t’u afrohemi! Në atë çast, si Kireneu, mund edhe të mendojmë: “Pse u dashka ta bëj këtë pikërisht unë?”. Por, më pas, do të zbulojmë dhuratën, qe na takoi për rrisk, pa e merituar”.
Zoja e Bekuar na ndihmoftë t’i jetojmë këto ditë me Krishtin
“Zoja, që gjithnjë na prin në shtegun e fesë, na ndihmoftë” – u lut në përfundim të këtij meditimi të shkurtër, por domethënës e prekës të kësaj lutjeje Papa, në prag të Rrugës së Mundimeve, por edhe të lumnisë së Ngjalljes së Zotit, që i mori mbi vete varfëritë tona, për t’i shndërruar në lumninë e jetës së pasosur, ku nuk ka më mjerime, sëmundje, kryqa!”.