Atentati në Katedralen e Makassar Atentati në Katedralen e Makassar 

Indonezi, Françesku lutet për viktimat atentatit në Katedrale

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi tek viktimat e dhunës, posaçërisht tek ato të atentatit kamikaze para Kishës së Makassarit. E, në vitin e dytë të pandemisë, Françesku ftoi për të ndjekur shembullin e Nënës së Krishtit, që e mori mbi vete pjesën e saj të mundimeve, duke e mbajtur gjithnjë të ndezur në zemër pishtarin e shpresës.

R. SH. - Vatikan

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së Dielës së Larit e të Palmave, Françesku  kujtoi të gjitha viktimat e dhunës, duke u drejtuar besimtarëve thirrjen:

“Të lutemi për të gjitha viktimat e dhunës, posaçërisht për ato të atentatit që ndodhi sot paradite në Indonezi, para katedrales së Makassar”.

Java e Madhe, përsëri në kushtet e pandemisë

Papa kujtoi edhe një herë, pas Meshës, se tashmë kemi hyrë  në Javën e Madhe. Duke shtuar edhe se këtë javë e jetojmë për herë të dytë në rrethanat e pandemisë. Vitin e kaluar ishim të tronditur - kujtoi - ndërsa sivjet jemi të raskapitur. E kriza ekonomike vijon të bëhet gjithnjë më e rëndë.

Po Zoti, ç’bën?

Panoramikë e pikturuar me dy penelata, nga Papa, e pasuar nga pyetja tronditëse: “Po Zoti, ç’po bën në këtë situatë historike e shoqërore? E nga përgjigjja edhe më tronditëse: “merr kryqin!”:

“Domethënë e merr mbi vete të keqen e këtij realitet, e keqe fizike, psikologjike e sidomos, shpirtërore, sepse Djalli i mallkuar përfiton nga kriza, për të mbjellë mosbesim, dëshpërim, sherr”.

Edhe ne mund ta përshkojmë Udhën e Kryqit

Po ne, ç’duhet të bëjmë? Na e tregon Virgjëra Mari - gjegji sakaq Papa - Nëna e Jezusit,  që është edhe dishepulle e parë e Tij.  Ajo e ndoqi hap pas hapi të Birin. E mori mbi vete pjesën e vet të vuajtjes, të errësirës, të tronditjes dhe e përshkoi udhën e mundimeve, duke e mbajtur ndezur në zemër pishtarin e fesë.

Si Kireneu

Me hirin e Zotit - kujtoi Papa në lutjen e Engjëllit -  edhe ne mund ta bëjmë këtë rrugë. E, gjatë udhës së përditshme të Kryqit, takojmë fytyrat e vëllezërve  e motrave të shumta, që kalojnë çaste të vështira: të mos bëjmë asnjë hap më tutje! Ta lëmë zemrën të preket nga mëshira. E t’u afrohemi! Në atë çast, si Kireneu, mund edhe të mendojmë: “Pse u dashka ta bëj këtë pikërisht unë?”. Por, më pas, do të zbulojmë dhuratën, qe na takoi për rrisk, pa e merituar”.

Zoja e Bekuar na ndihmoftë t’i jetojmë këto ditë me Krishtin

“Zoja, që gjithnjë na prin në shtegun e fesë, na ndihmoftë” – u lut në përfundim të këtij meditimi të shkurtër, por domethënës e prekës të kësaj lutjeje Papa, në prag të Rrugës së Mundimeve, por edhe të lumnisë së Ngjalljes së Zotit, që i mori mbi vete varfëritë tona, për t’i shndërruar në lumninë e jetës së pasosur, ku nuk ka më mjerime, sëmundje, kryqa!”.

28 mars 2021, 13:17