Kërko

MIgrantë të mitur, në Bosnjë MIgrantë të mitur, në Bosnjë 

Thirrja e Papës për mbrojtjen e jetës dhe të migrantëve të mitur

Dhjetra të rinj e fëmijë të vetëm në rrugët e migrimit, kërkojnë kujdes e mbrojtje, ashtu siç kërkon vetë jeta, në çdo fazë të saj. Këtë theksoi Papa në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit, në Ditën që Konfrenca ipeshkvnore e Italisë ia kushton jetës, këtë vit me temë “Liri dhe jetë!”.

R. SH. - Vatikan

Kujdes e kanale të veçanta humanitare: këtë kërkon Papa për të gjithë ata, që detyrohen të migrojnë në kushte të vështira e të pasigurta, posaçërisht shumë, tepër të mitur të pashoqëruar. Ishin ata, në zemër të Françeskut, në këtë të diel të pestë të kohës së zakonshme, e edhe në fjalët, që pasuan kremtimin e Engjëllit.

Udha ballkanike e migrimit. Karitasi: tepër rreziqe për migrantët e mitur të pashoqëruar

Shikimi i Papës shkoi në udhën ballkanike të migrimit, ndërmjet Serbisë e Kroacisë, ku prej ditësh dhjetra mijëra njerëz janë bllokuar në përpjekjen për të kaluar kufijtë evropianë, të detyruar të jetojnë në kushte çnjerëzore në kampe të improvizuara:

“Dëshiroj të drejtoj një thirrje në favor të migrantëve të mitur të pashoqëruar. Janë shumë! Për fat të keq, ndërmjet atyre, që u shtrënguan të largohen nga atdheu, janë dhjetra fëmijë e të rinj të vetëm, pa familje, para një mori rreziqesh. Këto ditë u njoftova për situatën dramatike të atyre, që gjinden në të ashtuquajturën “Udha ballkanike e migrimit”. Por ka shumë udhë të tilla. Të bëjmë çmos që këtyre krijesave të brishta e të pambrojtura  të mos u mungojë kujdesi i domosdoshëm si dhe kanalet e nevojshme humanitare”.

Jeta, dhuratë për t’u mbrojtur nga atentatet

Papa foli përsëri edhe për mbrojtjen e  jetës në çdo fazë të saj. Rasti ishte Dita e 43-të kushtuar jetës, që u kremtua sot në Itali. E themeluar nga Konferenca ipeshkvnore që më 1978-tën, ka për qëllim të promovojë mirëpritjen e jetës, posaçërisht asaj që përgatitet të lulëzojë. Dita kremtohet çdo vit të dielën e parë të shkurtit. Sivjet, me temën “Liri e jetë!”.

07 shkurt 2021, 14:19