Thirrja e Papës për mbrojtjen e jetës dhe të migrantëve të mitur
R. SH. - Vatikan
Kujdes e kanale të veçanta humanitare: këtë kërkon Papa për të gjithë ata, që detyrohen të migrojnë në kushte të vështira e të pasigurta, posaçërisht shumë, tepër të mitur të pashoqëruar. Ishin ata, në zemër të Françeskut, në këtë të diel të pestë të kohës së zakonshme, e edhe në fjalët, që pasuan kremtimin e Engjëllit.
Udha ballkanike e migrimit. Karitasi: tepër rreziqe për migrantët e mitur të pashoqëruar
Shikimi i Papës shkoi në udhën ballkanike të migrimit, ndërmjet Serbisë e Kroacisë, ku prej ditësh dhjetra mijëra njerëz janë bllokuar në përpjekjen për të kaluar kufijtë evropianë, të detyruar të jetojnë në kushte çnjerëzore në kampe të improvizuara:
“Dëshiroj të drejtoj një thirrje në favor të migrantëve të mitur të pashoqëruar. Janë shumë! Për fat të keq, ndërmjet atyre, që u shtrënguan të largohen nga atdheu, janë dhjetra fëmijë e të rinj të vetëm, pa familje, para një mori rreziqesh. Këto ditë u njoftova për situatën dramatike të atyre, që gjinden në të ashtuquajturën “Udha ballkanike e migrimit”. Por ka shumë udhë të tilla. Të bëjmë çmos që këtyre krijesave të brishta e të pambrojtura të mos u mungojë kujdesi i domosdoshëm si dhe kanalet e nevojshme humanitare”.
Jeta, dhuratë për t’u mbrojtur nga atentatet
Papa foli përsëri edhe për mbrojtjen e jetës në çdo fazë të saj. Rasti ishte Dita e 43-të kushtuar jetës, që u kremtua sot në Itali. E themeluar nga Konferenca ipeshkvnore që më 1978-tën, ka për qëllim të promovojë mirëpritjen e jetës, posaçërisht asaj që përgatitet të lulëzojë. Dita kremtohet çdo vit të dielën e parë të shkurtit. Sivjet, me temën “Liri e jetë!”.