Kërko

Vatican News

Papa lutet për Mianmarin, duke kërkuar drejtësi e stabilitet

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës shkoi, me shqetësim të thellë, në Mianmarin e largët, tek populli i ish-Birmanisë e tek ata, që kanë sot përgjegjësi në vend, për të dalë nga çasti delikat shoqëror-politik lidhur me grushtin e shtetit të kësaj jave. Françesku iu drejtua besimtarëve në Shesh e kudo që e ndiqnin, me ftesën për t’u bashkuar në një lutje të heshtur për këtë vend, sa larg, aq pranë zemrës së Papës.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa shprehu gjithë shqetësimin e tij  për çastin tejet delikat, që po kalon Mianmari pas grushtit ushtarak të shtetit që, më 1 shkurt, çoi në arrestimin e prijëses, Nobel për Paqen, Aung Suu Kyi. Në këtë gjendje është sot Mianmari, që zë një vend të posaçëm në zemrën e Papës, që nga koha e vizitës së tij apostolike më 2017, e për të cilin i ftoi besimtarët në një lutje të heshtur.

Ditë ngarkuar me shqetësim

Këto ditë ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet e situatës  së krijuar në Myanmar - kujtoi Ati i Shenjtë - vend të cilin që nga vizita ime apostolike më 2017-tën, e kam në zemër me shumë dashuri:

“Në këtë çast kaq delikat, dëshiroj t’i siguroj përsëri afërsinë time shpirtërore, lutjen time e solidaritetin tim popullit të Mianmarit e lutem që të gjithë ata, të cilët kanë përgjegjësi në vend, të vihen me gatishmëri të sinqertë në shërbim të së mirës së përbashkët, duke promovuar drejtësinë shoqërore e stabilitetin kombëtar, për një bashkëjetesë të harmonishme demokratike”.

Në përfundim, ftesa e Papës drejtuar të gjithë besimtarëve:

“Të lutemi për Mianmarin!”.

E dielë lutjeje e agjërimi

Fjalët e Papës u shqiptuan në një ditë, kur Konferenca ipeshkvnore birmane(Cbcm) u bëri thirrje besimtarëve të agjërojnë e të luten për paqen. Ipeshkvijtë kërkuan ndjete e homeli, që bëjnë thirrje për dialog, për t’iu kundërvënë dhunës e për rikthimin e demokracisë, të cilën kardinali Charles Bo, kryetar i Konferencës ipeshkvnore, e kërkoi në thirrjen  drejtuar popullit dhe institucioneve më 4 shkurtin e kaluar, duke theksuar se paqja dhe demokracia janë e vetmja rrugë në të cilin duhet ecur!

Kështu shprehet këto ditë edhe kardinali Vincent Nichols, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Anglisë dhe Uellsit(Cbcew) që, në një deklaratë të shkurtër bashkohet me lutjen për pajtim në Mianmar e për lirimin e gjithë të burgosurve politikë.

07 shkurt 2021, 14:29