Kërko

Shkolla në Nigeri, ku ndodhi rrëmbimi Shkolla në Nigeri, ku ndodhi rrëmbimi 

Lutja e Papës për lirimin e 317 studenteve nigeriane

Françesku, pas lutjes së Engjëllit, u shprehu afërsinë familjeve të vajzave, rrëmbyer të premten e kaluar në Nigeri, në shtetin e Zamfarës, dhe ia besoi mbrojtjes së Zojës së Bekuar.

R. SH, - Vatikan

Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa u lut për 317 studentet e rrëmbyera të premten e kaluar në Nigeri, nga një grup kriminal:

“Bashkoj zërin me atë të ipeshkvijve të Nigerisë për të dënuar rrëmbimin e ulët të 317 vajzave, që u morën nga shkolla e Jangebe, në veri-përendim të vendit. Lutemi për këto vajza, që të mund të rikthehen sa më shpejt në shtëpi. Jam pranë familjeve e pranë vajzave. Ta lusim së bashku Zojën, që t’i ruajë. Të falemi Mari….

Asnjë lajm

Deri tani nuk ka asnjë lajm për 317 vajzat e sekuestruara nga njerëz të armatosur, gjatë sulmit të ri në shkollën e Shtetit Zamfara. Ishte përsëritje dramatike e një ngjarjeje të hidhur: burra të armatosur hynë me forcë në shkollë dhe i rrëmbyen te gjitha vajzat. Në rajon lëvizin grupe të ndryshme të armatosura, që vijojnë të rrëmbejnë ku e si munden me qëllim pasurimi, për t’i shkëmbyer pengjet me para ose me  anëtarët e tyre të burgosur. Policia nisi një operacion të veçantë për t’i shpëtuar, duke aktivizuar një skuadër të armatosur rëndë në Jangebe.

Sulmet e mëparshme

Rrëmbimi i fundit u shtohet disa ngjarjeve të tjera të kësaj natyre. Javën e kaluar 42 vetë u rrëmbyen nga një shkollë në Shtetin nigerian të Nigerit. Në dhjetor, në një institut në veri të Nigerisë, u rrëmbyen më se 300 fëmijë. Në këtë rast pengjet u liruan pas një sërë bisedimesh me funksionarët e qeverisë.

Kaigama: thirrje e re për sigurinë në vend

Nigeria jeton në një situatë të vështirë, në të cilën mungon plotësisht siguria. Në një intervistë të kohëve të fundit dhënë Vatican News, kryeipeshkvi i Abujës, imzot Ignatius Kaigama, u bëri thirrje autoriteteve, duke u kujtuar se popullsia jeton e pushtuar nga frika e sulmeve nga ana e grupeve kriminale dhe esktremistëve islamikë.

28 shkurt 2021, 13:50