Lutja e Papës për lirimin e 317 studenteve nigeriane
R. SH, - Vatikan
Në përfundim të Engjëllit të Tënzot, Papa u lut për 317 studentet e rrëmbyera të premten e kaluar në Nigeri, nga një grup kriminal:
“Bashkoj zërin me atë të ipeshkvijve të Nigerisë për të dënuar rrëmbimin e ulët të 317 vajzave, që u morën nga shkolla e Jangebe, në veri-përendim të vendit. Lutemi për këto vajza, që të mund të rikthehen sa më shpejt në shtëpi. Jam pranë familjeve e pranë vajzave. Ta lusim së bashku Zojën, që t’i ruajë. Të falemi Mari….
Asnjë lajm
Deri tani nuk ka asnjë lajm për 317 vajzat e sekuestruara nga njerëz të armatosur, gjatë sulmit të ri në shkollën e Shtetit Zamfara. Ishte përsëritje dramatike e një ngjarjeje të hidhur: burra të armatosur hynë me forcë në shkollë dhe i rrëmbyen te gjitha vajzat. Në rajon lëvizin grupe të ndryshme të armatosura, që vijojnë të rrëmbejnë ku e si munden me qëllim pasurimi, për t’i shkëmbyer pengjet me para ose me anëtarët e tyre të burgosur. Policia nisi një operacion të veçantë për t’i shpëtuar, duke aktivizuar një skuadër të armatosur rëndë në Jangebe.
Sulmet e mëparshme
Rrëmbimi i fundit u shtohet disa ngjarjeve të tjera të kësaj natyre. Javën e kaluar 42 vetë u rrëmbyen nga një shkollë në Shtetin nigerian të Nigerit. Në dhjetor, në një institut në veri të Nigerisë, u rrëmbyen më se 300 fëmijë. Në këtë rast pengjet u liruan pas një sërë bisedimesh me funksionarët e qeverisë.
Kaigama: thirrje e re për sigurinë në vend
Nigeria jeton në një situatë të vështirë, në të cilën mungon plotësisht siguria. Në një intervistë të kohëve të fundit dhënë Vatican News, kryeipeshkvi i Abujës, imzot Ignatius Kaigama, u bëri thirrje autoriteteve, duke u kujtuar se popullsia jeton e pushtuar nga frika e sulmeve nga ana e grupeve kriminale dhe esktremistëve islamikë.