Kërko

Vatican News

Papa për Biden: të favorizohet paqja dhe pajtimi në SHBA

Papa Françesku uron që presidenti i ri i SHBA-ve të punojë për një shoqëri të bazuar mbi vlerat historike të demokracisë amerikane, mbi “respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit të çdo njeriu, veçanërisht të më të varfërve”. Dje, betimi i Joe Biden

R.SH. - Vatikan

Lutja e Papës Françesku shoqëron Joseph Biden në ditën, që mori detyrën në Uashington dhe u betua, i ndjekur nga e gjithë bota, si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Detyrë e nivelit të lartë”, i shkruan Ati i Shenjtë në mesazhin e tij, mbërritja e të cilit përkoi me fillimin e ceremonisë së përurimit të presidencës, zhvilluar mes rregullave të rrepta, diktuar nga pandemia, por edhe me masa të jashtëzakonshme sigurie:

 “Ju bëj urimet e mia më të përzemërta dhe ju siguroj lutje që  Zoti i Gjithpushtetshëm t’ju japë urti dhe forcë gjatë ushtrimit të detyrës suaj të lartë. Nën udhëheqjen tuaj, populli amerikan vazhdoftë të marrë forcë nga vlerat e larta politike, etike dhe fetare, që e kanë frymëzuar kombin që nga themelimi i tij”.

 Papa përmend më pas, punën e jashtëzakonshme që duhet të bëjë kreu i Shtëpisë së Bardhë në vendin, ku deri më sot, 400 mijë vetë kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-19. E ku presidenca e fundit u mbyll me sulmin kundër Capitol Hill, pas një viti me protesta, debate të ashpra publike dhe probleme racore. Ati i Shenjtë i uron presidentit Joe Biden të veprojë me drejtësi, liri dhe respekt për dinjitetin njerëzor:

 “Në një kohë kur krizat e rënda, që e mundojnë familjen tonë njerëzore kërkojnë përgjigje largpamëse dhe unitare, lutem që vendimet tuaja të udhëhiqen nga shqetësimi për të ndërtuar një shoqëri të karakterizuar nga drejtësia dhe liria e vërtetë, së bashku me respektin e vazhdueshëm për të drejtat dhe dinjitetin e çdo njeriu, veçanërisht të më të varfërve, të të pambrojturve dhe të atyre, që nuk kanë zë”.

Jo më kot, tema e zgjedhur nga presidenti i ri Biden për ceremoninë e djeshme ishte “America United”, për të nënvizuar sfidën e jashtëzakonshme, që e pret në katër vitet e ardhshme. E, edhe lutja e Papës thekson pikërisht këtë, njëlloj si në Engjëllin e Tënzot të 10 janarit, kur, pas sulmit kundër Capitol Hill, në Uashington, pati kërkuar ndjenjë përgjegjësie dhe promovimin e pajtimit kombëtar nga politikanët amerikanë:

“I kërkoj Zotit, burimi i çdo urtie dhe i çdo të vërtete, t’i drejtojë përpjekjet tuaja për favorizimin e mirëkuptimit, të pajtimit dhe të paqes në Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërmjet kombeve të botës, në mënyrë që të promovohet e mira e përbashkët universale”.

Pastaj bekimi përfundimtar, të cilin Papa e shtrin mbi gjithë popullin amerikan:

“Me këto ndjenja, me kënaqësi, i lutem Zotit të dikojë mbi ju, familjen tuaj dhe popullin tuaj të dashur amerikan, shumë e shumë bekime”.

21 janar 2021, 06:58