Kërko

Papa: do të jetë një vit i mbarë, nëse kujdesemi për të afërmin!

Urimi që të mund ta takojmë Zotin përmes Marisë, ftesa për t’u kujdesur për të tjerët e shpresa për rilindjen e mbarë njerëzimit, ishin në qendër të vëmendjes në homelinë e Papës për Solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit, lexuar nga sekretari i Shtetit Papnor, kardinali Pietro Parolin, që kryesori Meshën në Bazilikën e Vatikanit në vend të Françeskut mbasi, siç e kemi kujtuar, Papa nuk mundi të ishte i pranishëm për shkak të acarimit të nervit shiatik.

R. SH. - Vatikan

Të bekosh;  të lindështë gjesh: këto, tri foljet e liturgjisë së sotme,  përmes të cilave Papa, në homelinë e parë të vitit, në të kremten e Nënës së Zotit dhe me rastin e Ditës së 54-t Botërore të Paqes, u shpjegoi besimtarëve fjalën e sotme të Ungjillit.

Të bekosh  - shpjegoi - nuk është nxitje, por kërkesë e saktë:

“E është e rëndësishme edhe sot që meshtarët ta bekojnë popullin e  Zotit, pa u lodhur kurrë: e që edhe besimtarët të bekojnë. Zoti e di se kemi nevojë të bekohemi: gjëja e parë që bëri pas krijimit, ishte të thoshte  fjalën ‘mirë’ për të gjitha sendet, që kish krijuar, e ‘shumë mirë’  kur na krijoi ne".

Bota është ndotur nga shpërrallimet e nga përgojimet  

Bekimi i Zotit hyn në jetën e gjithkujt sa herë hapet zemra e  Jezusit. Por për ta hapur atë zemër, duhet ndërmjetësimi i Marisë, sepse është Ajo që sjell bekimin e Zotit, përmes saj bekohemi e mësohemi të bekojmë, mbasi Maria na mëson “se bekimi merret për t’u dhuruar”:

“Edhe ne jemi të thirrur të bekojmë e të flasim mirë në emër të Zotit. Bota  vijon të flasë keq e të mendojë keq për të tjerët, për shoqërinë, për vetveten. Po përgojimi e prish gjithçka, e zvetënon, ndërsa bekimi e rilind, i jep forcë, për të rinisur rrugën e mbarë”

Gratë i dhurojnë ardhmërinë botës

Të lindësh - është folja e dytë. E kjo na kujton menjëherë Biblën, ku thuhet se Biri i Zotit “lindi nga gruaja”, siç lindin njerëzit. E nga ky çast Maria  u bashkua me Zotin, sepse në të Zoti u lidh me korpin tonë e nuk na la kurrë më vetëm: kështu Ajo u bë urë ndërmjet nesh e Zotit:

“Përmes Marisë takohemi me Zotin, ashtu si dëshron Ai. Po, sepse Jezusi nuk është ide abstrakte; është konkret, i mishëruar, i lindur nga gruaja dhe i rritur me durim. Gratë e njohin mirë këtë konkretësi durimtare. Sa gra e sa nëna në këtë botë lindin e rilindin jetën, duke i dhënë ardhmërinë botës”.

Do të jetë vit i mbarë, nëse kujdesemi për të tjerët

Maria na mëson se jemi në botë për të dhuruar jetë, jo për të vdekur e se “Hapi i parë për t’u dhënë jetë të gjitha gjërave, që na rrethojnë, është të kemi kujdes për njerëzit e për sendet. Zemra duhet edukuar për kujdes! Sepse nuk vlen fare t’i njohësh njerëzit e sendet, kur nuk kujdesemi për ta”.

Dhuroi kohë të afërmit!

Gjej – kjo folja e tretë dhe e fundit. Maria na fton të gjejmë kohë për gjithkënd:

“Koha është pasuri që e kemi të gjithë, por për të cilën jemi ziliqarë, sepse e duam vetëm për vete. Duhet të lypim hirin të gjejmë kohë edhe për Zotin e për të afërmin; për kë është vetëm, për kë vuan, për kë ka nevojë për kujdes”.

Kjo porosia e Papës, që në përfundim të homelisë, kujtoi:

“Nëse gjejmë kohë për të dhuruar, do të mahnitemi, si barinjtë. Zoja, që e solli Hyjin në kohë, na ndihmoftë ta dhurojmë kohën tonë”.

 

01 janar 2021, 15:16