Kërko

Papa nuk kryeson ritet e fundit dhe të fillimit të vitit, për shkak të acarimit të nervit shiatik

Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njoftoi se Papa ka një dhimbje të fortë, për shkak të acarimit të nervit shiatik, prandaj, duhet detyrimisht të pushojë. Kremtimi i “Te Deum”-it, sot pasdite, do të kryesohet nga kardinali Re, ndërsa mesha e 1 janarit nga kardinali Parolin. Gjithsesi, Ati i Shenjtë do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga Pallati Apostolik, siç parashikohej

R.SH. - Vatikan

Një dhimbje e fortë dhe vetëdija se Papa Françesku nuk mund të rrijë në këmbë në altar për ta mbyllur vitin 2020 me kremtimin e “Te Deum”-it dhe për ta hapur vitin 2021 me meshën e solemnitetit të Nënës së Zotit, në Ditën Botërore të Paqes, por mund të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga Pallati Apostolik, siç ishte parashikuar.

Ky është lajmi i papritur, që u dha vonë paradite nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili njoftoi mediat se “për shkak të dhimbjes nga nervi shiatik, kremtimet e mbrëmjes së sotme dhe të së nesërmes paradite në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Vatikanit nuk do të kryesohen nga Ati i Shenjtë Françesku”.

Bruni shpjegoi se në vend të Papës, do të jetë kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, që do të kryesojë “Te Deum”-in, sot pasdite në orën 17.00, ndërsa mesha e 1 janarit 2021, në orën 10.00, do të kremtohet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. “Nesër, 1 janar 2021 - përfundoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit - Papa Françesku, gjithsesi, do të kryesojë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga Biblioteka e Pallatit Apostolik, siç ishte planifikuar”.

31 dhjetor 2020, 13:00