Kërko

Françesku: viti 2021 qoftë vit i solidaritetit vllazëror e i paqes për të gjithë!

Pas Meshës së parë të Vitit të Ri 2021, kremtuar në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, kryesuar nga sekretari i Shtetit Papnor, kardinali Pietro Parolin, Papa u dhuroi besimtarëve bekimin e parë, nga Biblioteka Apostolike, ku e kremtoi lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot për Vitin e ri 2021, që nisi nën shenjën e Të Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit.

R. SH. - Vatikan

“Nis një vit i ri. Nis nën shikimin amtar të së Shenjtnueshmes Mari, të cilën liturgjia e sotme e kremton si Nënë e Zotit” – këto fjalët e para  të Papës në këtë ditë të parë të vitit. E Asaj ia besoi ankthet tona, trazimet tona. Ia besoi, sepse Ajo mund të na hapë udhë të reja në vijim të shtegtimit.

Nën shikimin ngushëllues të Marisë

Maria na shikon me dashuri amtare – vijoi Papa - ashtu si e shikonte të Birin Jezus. E duke ia ngulur sytë tanë syve të Saj, nisim ta kuptojmë më mirë rolin tonë, në këtë kohë të re, që na dhuron Zoti:

“Shikimi qetësues e ngushëllues i Virgjërës së Shenjtë është inkurajim! Na nxit që kjo kohë e dhuruar nga Zoti, të shfrytëzohet për rritjen tonë njerëzore e shpirtërore, të jetë kohë për t’u dhënë fund mërive e përçarjeve, kohë për ta ndjerë veten vëllezër me të gjithë, kohë për të ndërtuar, jo për të rrënuar; kohë për kujdes ndaj njëri-tjetrit e për krijimin”.

Dita Botërore e paqes i kushtohet të afërmit e krijimit

Në vijim Papa kujtoi se sot kremtojmë një ditë jo të zakonshme: Ditën e  parë të vitit, që sivjet i kushtohet kujdesit për të afërmin e për paqen.

Kultura e kujdesit, parë si udhë e paqes.

“Ngjarjet e dhimbshme  që  jetoi njerëzimi  në vitin e kaluar, posaçërisht pandemia, na mësojnë sa e rëndësishme është të interesohesh për problemet e të tjerëve e të ndash me ta të mira e të vështira. E kjo  është sjellja që i hap rrugën paqes, sepse ndihmon për ndërtimin e një shoqërie  të bazuar mbi  vëllazërimin”.

Këtë theksoi Papa në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot për Vitin e ri 2021. E, në vijim, u drejtoi të gjithë njerëzve vullnetmirë, thirrjen:

“Secili nga ne, burra e gra të kësaj kohe, jemi të thirrur ta realizojmë paqen çdo ditë e në çdo mjedis jete, duke ia shtrirë dorën vëllait që ka nevojë për një fjalë ngushëlluese, për një gjest dhembshurie, për një ndihmë solidare”.

Hapi i parë, në paqe me vetveten

Paqja mund të sigurohet nëse fillojmë të jemi në paqe me vetveten e me njeriun e afërm, duke i zhdukur vështirësitë, që na pengojnë e duke u kujdesur për të gjithë ata, që kanë nevojë.

Duhet të zhvillohet mendësia dhe kultura e kujdesit e të marrë fund indiferenca, kultura e hedhurinës dhe rivaliteti, që sot, për fat të keq,  sundojnë mbi botën:

“Paqja nuk është vetëm mungesë lufte, por edhe, e kryesisht, jetë plot me kuptim, e jetuar duke realizuar jetën personale  e duke ndarë me vëllezërit të mira e të vështira. Atëhere kjo paqe, aq shumë e dëshiruar, e edhe më shumë e rrezikur nga dhuna, nga egoizmi e nga ligësia, bëhet e mundshme dhe e realizueshme”.

Maria na nxjerrtë hirin e paqes

Virgjëra Mari, që nxori në dritë “Princin e Paqes” - vijoi Ati i Shenjtë - na nxjerrtë nga qielli edhe hirin e së mirës më të madhe, hirin e paqes, që nuk mund të fitohet plotësisht vetëm me forcat njerëzore:

 “Paqja, që është sidomos dhuratë e Zotit, duhet kërkuar me lutje të vazhdueshme, të mbështetura nga dialogu durimtar e respektues, duhet ndërtuar me bashkëpunim, të bazuar mbi të vërtetën e drejtësinë, gjithnjë plot vëmendje për dëshirat e ligjshme të njerëzve e të popujve”.

Së fundi, urimi, që të mbretërojë paqja në zemrën e njerëzve e në familje; në viset  e punës e të prehjes; në gjirin e bashkësive  e të kombeve:

“Në prag të këtij fillimi, u uroj të gjithëve  që Viti 2021 të jetë  i lumtur e i qetë. Të jetë për të gjithë vit i solidarietit vëllazëror e i paqes: vit i ngarkuar me pritje besimplote  e me shpresa, të cilat ia besojmë mbrojtjes qiellore  të Marisë, Nëna e Zotit e Nëna jonë”.

01 janar 2021, 15:31