Kërko

Vatican News

Thirrja e Papës: të gjinden rrugëzgjidhje për paqen në Jemen

Në përfundim të lutjes së Engjëllit, Papa kujtoi situatën tragjike në Jemen e edhe në Nigeri, duke uruar që të gjithë popujt të jetojnë në harmoni.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u drejtoi një përshëndetje të ngrohtë të gjithë atyre, që e ndiqnin  përmes mediave, duke nisur nga presidenti Sergio Mattarella, të cilin e falënderoi për urimet e mbrëmshme në mesazhin e tij të fundvitit. E në vijim i falënderoi edhe të gjitha ata që, nga të katër anët e botës, duke respektuar masat kufizuese, pasojë e pandemisë, kremtuan mbrëmë çaste lutjeje e reflektimi me rastin e  Ditës Botërore të Paqes si dhe nisma të tjera, në favor të pajtimit e të harmonisë ndërmjet popujve - siç ishte marshimi i Pax Christi dhe veprimtaritë e Karitasit, të Veprimit Katolik Italian, të Shën Egjidit etj. etj.

Ati i Shenjtë shprehu, më pas, shqetësimin e tij për thellimin e dhunës në Jemen, me viktima të shumta të pafajshme e u lut të gjenden rrugëzgjidhje, që krijojnë kushte për t’ua rikthyer paqen këtyre popullsive të martirizuara:

“Vëllezër e motra, të mendojmë për fëmijët e Jemenit… pa shkollë, pa mjekime, të  uritur. Të lutemi së bashku për Jemenin!”.

Më pas kërkoi lutje edhe për Kryedioqezën e Owerit, në Nigeri e si dhe për kryeipeshkvin, Moses Chikwe e shoferin e tij, rrëmbyer këto ditë:

“T’i lutemi Zotit që ai e të gjitha viktimat e akteve të tilla në Nigeri, të lirohen, e ky vend i dashur të rigjejë sigurinë, harmoninë e paqen”.

Një pëshëndetje e posaçme e Papës ishte për Sternsinger, Këngëtarët e Yllit,  që  edhe në kushtet e pandemisë, gjetën mënyrën,  të çonin shtëpi më shtëpi urimin e Krishtlindjes  e të mblidhnin ndihma për shokët e tyre më nevojtarë.

Së fundi, të gjithëve, urimi i ngrohtë për një vit me paqe e shpresë, nën mbrojtjen e Marisë, Nënës së Zotit.

01 janar 2021, 15:24